Presidenti Ilir Meta kerkon anulimin e projektit per ‘Unazen e Re’. Qendrimin i kreut te shtetit, ne nje fare menyre u paralajmerua, pasi ai takoi nje grup banoresh te Unazes, qe kane kryer ndertime pa leje. Ky qendrim i kreut te shtetit shihet ne harmoni me fushaten elektorale per zgjedhjet lokale, dhe ne te njejten gjatesi vale me opoziten, e cila edhe ajo kerkon anulimin e projektit te Unazes se Re. Ky qendrim i kreut te shtetit pason nje seri pozicionimesh te tij kunder mazhorances, duke anashkaluar faktin se me postin qe mban eshte perfaqesues i te gjitheve. Unaza e Re eshte nje debat i natyres politike mes PD-LSI nga njera ane dhe PS nga ana tjeter, si pjese e fushates pergatitore per zgjedhjet vendore. Pozicionimi i Metes e ben te qarte perfshirjen e tij ne kete fushate ne favor te opozites.
Ja argumentet e Presidentit Meta
Presidenti i Republikës, e ka ndjekur me vëmendje dhe shumë shqetësim situatën konfliktuale të krijuar midis banorëve dhe autoriteteve publike përgjegjëse për shkak të realizimit të projektit të zgjerimit të segmentit rrugor “Rehabilitimi i segmentit rrugor mbikalimi i Pallatit me Shigjeta – Rrethrrotullimi i sheshit “Shqiponja”.
Presidenti i Republikës, sot ka pritur një përfaqësi të banorëve të Unazës se Madhe, të cilët i kanë parashtruar atij të gjitha shqetësimet dhe kundërshtimet e tyre, si dhe i kanë vënë në dispozicion të dhëna të cilat hedhin më shumë dritë mbi problematikat për realizimin e këtij projekti.
- Presidenti i Republikës në qëndrimet e Tij publike, që prej datës 14 nëntor 2018 e në vijimësi, i ka kërkuar autoriteteve përgjegjëse që:
– Të tregojnë përgjegjshmëri për trajtimin e këtij rasti;
– Të bëjnë transparencë të plotë për të gjithë procesin e ndjekur;
– Të zbatojnë me përpikmëri procedurat ligjore, për hartimin, miratimin dhe implementimin e këtij projekti urban në mënyrë që realizimi i tij të mundësojë një zgjidhjeje të drejtë për të gjithë qytetarët dhe interesin publik në tërësi;
– Të nisin sa më parë një proces dialogu me banorët, për shqyrtimin e pretendimeve të tyre, në mënyrë që të gjitha ankesat të vlerësohen me transparencë dhe përgjegjësi;
– Të tregojnë vullnet për të konsultuar dhe për të harmonizuar interesin publik me interesat më jetike të qytetarëve që preken.
– Të tregojnë përgjegjshmëri në respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut të cilat gëzojnë një mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.
Presidentit të Republikës i janë paraqitur në mënyrë të vazhduar peticione me shkrim, ankesa, dhe të dhëna të tjera nga banorët e zonës së Unazës së Re nëpërmjet të cilave ata paraqesin kundërshtimet e tyre për realizimin e këtij projekti në formën që është miratuar ku denoncojnë problematikat e theksuara ligjore të realizimit të këtij projekti nga autoritetet përkatëse publike.
- Presidenti i Republikës, në datën 14 nëntor 2018, i ka kërkuar Avokatit të Popullit që të angazhohet edhe më shumë në verifikimin e gjithë procedurave dhe sjelljes së autoriteteve publike mbi këtë çështje.
- Presidenti i Republikës, ka ndjekur me vëmendje gjithashtu edhe denoncimin publik, si dhe debatin pasues mbi rastin e fallsifikimeve të dokumentave zyrtarë të institucioneve të larta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga një kompani fantazëm shqiptare dhe mënyrën se si kjo kompani kishte arritur të fitonte disa kontrata publike me shtetin shqiptar, ku përfshihet edhe realizimi i punimeve në zonën e Unazës së Re Astirit sipas projektit për ndërtimin e segmentit rrugor sipas projektit “Rehabilitimi i segmentit rrugor mbikalimi i Pallatit me Shigjeta – Rrethrrotullimi i sheshit “Shqiponja”.
- Institucioni i Presidenti i Republikës, më datë 06 dhjetor 2018 i ka përcjellë Prokurorit të Përgjithshëm për ndjekje dhe vlerësim prej këtij organi shqetësimet e paraqitura nga disa qytetarë Shqiptaro-Amerikan në lidhje me dhunën dhe presionin psikologjik të ushtruar nga autoritetet shtetërore përkundrejt cënimit të të drejtave të tyre të pronësisë që preken nga ky projekt.
- Presidenti i Republikës, në zbatim të kompetencave Kushtetuese të parashikuara në nenin 92/h, të Kushtetutës, më datë 19 nëntor 2018, me shkresë zyrtare i ka kërkuar informacion dhe të dhëna me shkrim drejtuesve të institucioneve shtetërore për çështjet që kanë të bëjnë me detyrat e tyre në lidhje me këtë projekt. Konkretisht i është kërkuar informacion këtyre institucioneve:
– Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë;
– Autoritetit Rrugor Shqiptar;
– Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit;
– Ministrisë së Brendshme;
– Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit;
– Kryetarit të Bashkisë Tiranë;
– Agjencisë së Zhvillimit të Territorit;
– Ministrisë e Drejtësisë;
– Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit/Integrimit të Ndërtimeve/Zonave Informale
– Zyrës Qëndrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme
Disa nga këto institucione edhe sot më datë 03.02.2019, kur kanë kaluar më shumë se 75 ditë nga kërkesa fillestare e Presidentit, nuk kanë kthyer ende një përgjigje mbi informacionin e kërkuar, edhe pse kërkesa e Presidentit është ripërsëritur në adresë të tyre.
Institucionet që nuk kanë dhënë informacion ndaj Presidentit të Republikës, dhe nuk kanë kthyer një përgjigje konform kërkesës janë :
– Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
– Ministria e Drejtësisë
– Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit/Integrimit të Ndërtimeve/Zonave Informale
– Zyra Qëndrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme
– Ministria e Brendshme
– Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit
Presidenti i Republikës, vlerëson se kjo sjellje e institucioneve publike për mosdhënien e informacionit të kërkuar nga Kreu i Shtetit është jashtë çdo llogjike normale të funksionimit të institucioneve shtetërore në një vend demokratik.
Drejtuesit e këtyre institucioneve kanë kryer një shkelje të rëndë të nenit 92/h të Kushtetutës dhe legjislacionit në fuqi që përcakton kushtet e së drejtës së informimit, pasi kanë shmangur zbatimin dhe detyrimin kushtetues dhe ligjor me mosdhënien e informacionit ndaj Presidentit të Republikës.
Mosdhënia e informacionit ndaj Presidentit të Republikës, i cili është kërkuar në mënyrë të përsëritur prej Tij, forcon bindjen se, këtij projekti i ka munguar qëllimisht transparenca në çdo hallkë të procesit në kundërshtim me rendin kushtetues dhe juridik të Republikës së Shqipërisë.
PROBLEMATIKA E KONSTATUAR NGA PRESIDENTI REPUBLIKËS
Nga gjithë informacioni që është administruar deri më tani dhe i është vënë në dispozicion Kreut të Shtetit, Presidenti i Republikës, ka arritur në bindjen se projekti për “Rehabilitimin e segmentit rrugor mbikalimi i Pallatit me Shigjeta – Rrethrrotullimi i sheshit “Shqiponja”, paraqet shkelje të shumta ligjore të cilat kërkojnë detyrimisht një rishikim të plotë dhe të menjëhershëm të vendimarrjes shtetërore në mënyrë që ky projekt të realizohet përkundrejt një zgjidhjeje të drejtë dhe të arsyeshme në interesin më të mirë publik.
Konkretisht, Presidenti i Republikës konstaton se:
– Hartimi i këtij projekti është kryer në mungesë të plotë të konsultimit publik dhe transparencës. ARRSH në lidhje me ketë konstatim justifikohet se, nuk ka kryer konsultim publik pasi ky segment rrugor nuk i nënshtrohet vlerësimit mjedisor të thelluar në kushtet kur ky segment rrugor është me gjatësi më të vogël se 10 km.
– Ky vlerësim i ARRSH-së është spekullativ dhe i gabuar pasi segmenti rrugor “Pallati me Shigjeta – Rrethrrotullimi i sheshit “Shqiponja” është pjesë integrale e projektit të “Unazës së Madhe të Tiranës” i cili në tërësinë e tij ka një gjatësi 27 km.
– Pamundësia financiare shtetërore për të realizuar një projekt tërësor duke i ndarë dhe financuar ato vit pas viti me lote dhe të fragmentarizuar, nuk mund të përbëjë kurrësesi shkak ligjor për të shmangur procesin e konsultimit publik, kur një gjë e tillë është e detyrueshme me ligj.
– Për më tepër, ky projekt duhet të përfshinte jo vetëm vlerësimin mjedisor të detyrueshëm sipas ligjit, por edhe vlerësimin socialo-ekonomik, pasi efektet që sjell implementimi i tij prekin veprimtarinë tërësore të qytetit të Tiranës dhe në mënyrë të drejtëpërdrejtë interesat jetikë të banorëve të kësaj zone.
– Veprimi i ARRSH për të hartuar një Projekt Rehabilitimi për këtë segment rrugor, pa kryer një konsultim publik të hapur me banorët si palë të interesuar, përveç se është një shkelje e ligjit dhe akteve nënligjore, krijon bindjen se është kryer me qëllim për të shmangur dëgjesat publike dhe opinionet që mund të paraqiteshin në funksion të përmirësimit të projektit në të gjitha aspektet.
– Rezulton se, projekti i “Studim projektim rehabilitimi i segmentit rrugor Pallati me Shigjeta – Rrethrrotullimi Shqiponja”, është hartuar nga një kompani private konsulence, pa garë dhe me kërkesë të ARRSH-së nëpërmjet një kontrate sponsorizimi të lidhur më datë 25 maj 2018. Kjo praktikë e ndjekur nga ARRSH, është në kundërshtim të plotë me ligjin për prokurimin publik dhe parimet që udhëheqin konkurencën e lirë dhe të ndershme.
– Nëse hartimi i këtij projekti do të ishte realizuar me një garë me procedura të hapura dhe transparente, mund të ishin administruar propozime teknike, zgjidhje, apo ide alternative objektive dhe konkuruese. Në ketë mënyrë, investimi për këtë vepër publike do të mund të realizohej me kosto më efiçente për buxhetin e shtetit, si dhe me impakt sa më të pranueshëm social dhe ekonomik për qytetarët.
– Përzgjedhja e një procedure sponsorizimi me arsyetimin se është kursyer buxheti i shtetit, është vetëm një alibi. Një projekt i dhuruar krijon rrezik që përllogaritja e impaktit social dhe ekonomik të mos jetë në vëmendjen e zbatuesit të detyrës së projektimit, duke rritur në këtë mënyrë koston e investimit për veprën publike.
– Ky projekt i dhuruar, pa garë dhe i pakonsultuar me publikun nuk reflekton shqetësimet dhe interesat e komunitetit dhe gjithë palëve të interesuara, duke qenë se nuk parashikon objektivisht përllogaritjen e kostove që burojnë nga problemet sociale dhe ekonomike që krijohen nga shembja e banesave, pronës së qytetarëve, si dhe nga proceset gjyqësore që mund të lindin si pasojë e gjithë veprimeve arbitrare të administratës publike në këtë drejtim.
– Nga informacioni i bërë publik rezulton se projekt zbatimi i hartuar nga konsulenti është miratuar në parim nga Këshilli Teknik i ARRSH më vendim nr. 56, datë 04 shtator 2018.
– Procesi i tenderimit nga ARRSH për ndërtimin e kësaj vepre publike është hapur shtator 2018 dhe fituesi është përzgjedhur dhe njoftuar në buletinin publik, nr.44, datë 5 nëntor 2018, ndërkohë që zhvillimi i kësaj vepre është miratuar nga Këshillit Kombëtar i Territorrit vetëm më datë 20 nëntor 2018.
– Në këtë mënyrë rezulton e provuar se procedurat e tenderimit për realizimin e investimit në këtë segment rrugor janë shpallur, zhvilluar dhe kanë përfunduar ndërkohë që projekti nuk ishte miratuar ende nga Këshilli Kombëtar i Territorit.
– Referuar nenit 27, 28 të ligjit nr.107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e terrirorit”, dhe nenit 9, 10/1, të VKM nr. 408/2018 “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, i ndryshuar në rastin konkret autoriteti përgjegjës sipas ligjit që miraton me Vendim, Projektidenë mbi mënyrën se si një pjesë e territorit dhe një rrugë e kësaj kategorie do të zhvillohet, është Këshilli Kombëtar i Territorit.
Hapja e procedurave të tenderimit, pa një vendim të autoritetit vendimarrës për miratimin ligjor të projektit Këshilli Kombëtar i Territorit, përveç se është shkelje e rëndë ligjore, krijon bindjen se ky proces ka qenë selektiv, i paracaktuar dhe në kushte ekstreme të kapërcimit me dashje direkte të procedurave të detyrueshme ligjore.
– Ndërkohë në zbatim të ligjit nr.10164, dt 15.10.2009 “Për Autoritetin Rrugor Shqiptar”, Këshilli Teknik i ARRSH-së nuk parashikohet si institucion vendimarrës i ARRSH-së, dhe në këtë mënyrë vendimet e marra prej tij nuk kanë fuqi detyruese.
– Këshilli Teknik është një organ rekomandues këshillimor për ARRSH dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, por asnjëherë vendimarrës për miratimin përfundimtar dhe dhënien e fuqisë ligjore për Projektet e Zhvillimit të Rrugëve dhe Akseve Kombëtare të kësaj rëndësie. Kjo është dhe arsyeja që Këshilli Teknik e ka miratuar këtë projekt në parim.
– Ndërkohë, është denoncuar dhe faktuar publikisht, procedurat e prokurimit që ka zhvilluar ARRSH janë shumë problematike sepse realizimi i këtij projekti është ndarë subjektivisht në 3-lote të veçanta.
– Ky fakt krijon bindjen se ndarja në 3 lote është bërë me qëllim fragmentarizimin e fondeve në dispozicion, ruajtjen e kufijve monetarë me qëllim shmangien e kompanive ndërkombëtare në këtë proces tenderimi, si dhe çdo veprim është në kundërshtim me ligjin për prokurimin publik dhe rregullat e miratuara nga Këshilli i Ministrave për këtë fushë.
Siç është faktuar publikisht konkurimi në të tre lotet ka qenë fiktiv. Në çdo lot kanë konkuruar dy kompani, ku e njëjta kompani në të tre lotet ka dhënë ofertë ekonomike me vlerë zero! Kjo provon qartazi realizimin e një procesi tenderimi të trukuar.
– Një nga kompanitë fituese të tenderit (DH Albania) ka rezultuar një kompani e krijuar rishtazi me një historik fiktiv dhe me dokumenta të paraqitura të fallsifikuara, çka ka detyruar ARRSH-në dhe Ministrinë e Insfrasktrukturës që pas publikimit të skandaleve në këtë drejtim dhe konfirmimit publik të fakteve të fallsifikuara nga autoritetet Amerikane të zgjidhin në mënyrë të njëanashme kontratën.
Vendimarrja e qeverisë dhe ARRSH-së, për të rihapur procesin e tenderimit për realizimin e kësaj vepre, pas zgjidhjes së kontratës për këtë segment rrugor, e krahasuar kjo me faktet e denoncuara publikisht,vlerësohet si një veprim i nxituar dhe aspak objektiv. Kjo sepse, aktualisht organi i Prokurorisë është duke kryer hetime në këtë çështje, dhe nga ky hetim mund të zbulohen fakte dhe rrethana të cilat mund të sjellin pasoja të drejtëpërdrejta që ndikojnë në mënyrën se si kjo vepër duhet realizuar.
– ARRSH, referuar nenit 78, Kodit të Procedurave Administrative në kushtet kur Prokuroria ishte/është duke hetuar duhet të kishte pezulluar të gjitha veprimet për zhvillimin e një tenderi të ri, me qëllim që të shmangte çdo mundësi për shkaktimin e një dëmi të pariparueshëm mbi interesat publike, apo të mbulimit të fakteve dhe rrethanave që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
– Rezulton se Këshilli Kombëtar i Territorit, ka shqyrtuar propozimin e ARRSH, dhe me Vendimin nr.1, datë 20.11.2018, ka miratuar vetëm Lejen Zhvillimore “Rabilitimi i Segmentit Rrugor “Mbikalimi i Pallatit me Shigjeta, rrethrrotullimi Shqiponja, Bashkia Tiranë”.
Rezulton se vetëm 1 (një) ditë pasi Presidenti i Republikës ka kërkuar informacion shkresor mbi këtë çështje, Këshilli Kombëtar i Territorit, mblidhet për miratimin e vendimit për të përcaktuar si do të zhvillohej ky projekt.
– Nga informacioni që jepet nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit, Leja e Zhvillimit e miratuar më dt 20 nëntor 2018, është dhënë pa një informacion të plotë dhe të saktë mbi statusin e pronësisë së pasurive të paluajtshme mbi të cilat do të ndërtohet vepra.
– Sipas kërkesave të ligjit nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, dhe VKM nr. 408/2018 “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, i ndryshuar, informacioni mbi statusin e pronësisë dhe rregullimi i marrëdhënieve në truallin objekt ndërtimi është një kërkesë e detyrueshme për zbatim.
Rezulton se, Këshilli Kombëtar i Territorit me urgjencë ka miratuar në datë 20.11.2018, Lejen e Zhvillimit për këtë projekt, pa verifikuar statusin e pronësisë të pasurive ku shtrihet ky projekt.
– Leja e Zhvillimit dhe informacion i saktë mbi të drejtat pronësore që prekeshin nga ky projekt do të shërbenin për nisjen e procedurave të shpronësimit për interes publik.
Ndërkohë që autoritetet publike kanë realizuar ndërhyrje për prishjen e objekteve në terren, pa ndjekur procedurat ligjore dhe pa asnjë njoftim paraprak zyrtar, duke sjellë një situatë tensioni dhe pasigurie jetike tek secili prej banorëve të prekur nga ky projekt.
Në këtë mënyrë, janë shkelur rëndë dhe me kokëfortësi të drejtat themelore kushtetuese të njeriut. Për më tepër, kjo sjellje presioni, intimidimi mbi banorët, familjarët dhe fëmijët e tyre kanë shkaktuar trauma psikologjike me pasoja shëndetsore dhe sociale.
– Vendimi i Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT) i datës 20 nëntor 2018, për dhënien e Lejes së Zhvillimit, sipas ligjit nr.107/2014, duhet të pasohej me dhënien e Lejes së Ndërtimit.
– Leja e Ndërtimit është akti i vetëm sipas ligjit që legjitimon fillimin e punimeve dhe ky akt në rastin konkret duhet të lëshohet nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Vetëm pas dhënies së Lejes së Ndërtimit mund të fillonte kryerja e punimeve, gjë e cila konfirmohet zyrtarisht nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit me shkresën e saj drejtuar Presidentit të Republikës.
– Nga informacioni i dhënë deri më tani, konfirmuar me shkresë të AZHT nr. 3005/1, datë 24.12.2018, rezulton se KKT nuk ka dhënë Leje Ndërtimi për realizimin e punimeve sipas këtij projekti të miratuar.
– Konstatohet se, në kantier, në gjithë segmentin rrugor janë kryer punime pa leje ndërtimi. Punime si heqja e simbolit Shqiponja në Rrethrrotulimin me të njëjtin emër, heqja e trafikndarësve në gjithë segmentin rrugor, heqja e ndriçimit dhe e pemëve, gërmime, etj. Këto ndërhyrje përbëjnë shkak edhe për aksidente të mundshme automobilistike, me pasoja për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.
Pra një tërësi punimesh janë kryer në mungesë të Lejes së Ndërtimit për këtë projekt, gjë e cila është një tjetër shkelje e rëndë për ARRSH-në si autoritet zhvillues i projektit dhe i gjithë strukturave të tjera qëndrore dhe vendore që monitorojnë dhe ruajnë zhvillimet dhe ndërtimet në territor (IKMT, IMT Tiranë, Policia Bashkiake, Policia e Shtetit).
Procedurat e shpronësimit për interes publik në momentin e denoncimit të skandalit mbi procedurat e tenderimit të këtij projekti nuk kishin filluar ende nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Edhe sot më datë 3 shkurt 2019 procedurat e shpronësimit nuk kanë përfunduar.
Në këtë mënyrë të gjitha njoftimet jo zyrtare, veprimet, dhe ndërhyrjet, pa akt të shkruar dhe zyrtar të autoriteve publike përkundrejt pronarëve dhe banesave të tyre, me qëllim vendosjen e tyre në presion se pronat e tyre do të prisheshin, është i pajustifikuar dhe abuziv. Të gjitha këto veprime bien në kundërshtim të hapur me nenet 41, 42 të Kushtetutës dhe legjislacionit të brendshëm të Republikës së Shqipërisë.
– Nga informacioni i siguruar rezulton se nga ky projekt preken një numër i lartë ndërtesash ndërmjet të cilave mbi 120 objekte pa dokumentacion pronësie të cilët janë në proces legalizimi.
– Procesi i trajtimit të këtyre objekteve sipas ligjit të legalizimit është tërësisht jashtë cdo llogjike të funksionimit të shtetit ligjor, pasi ka një mungesë të theksuar të transparencës në këtë drejtim.
– Nga ankesat e parashtruara përpara Presidentit nga banorët, rezulton se ALUIZNI ka skualifikuar, nga procesi i legalizimit shumë objekte informale, duke e bazuar vendimmarrjen në projektin e miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit, me Vendim nr.1, datë 20 nëntor 2018.
– Kjo vendimmarrje ngre një pikëpyetje shumë të madhe mbi ecurinë e vetë procesit të legalizimit në këtë zonë nga ALUIZNI dhe Qeveria, se përse këto objekte nuk janë përfshirë në legalizim dhe nuk janë pajisur me Leje Legalizimi përpara kësaj date (20 nëntor 2018)
– Sipas ligjit të legalizimit këto objekte, të ndërtuara prej më shumë se 25 vitesh dhe të deklaruara për legalizim që në vitin 2005-2006, duhet të kishin përfunduar procesin e plotë të legalizimit.
– Vlen të theksohet se, gjatë gjithë kësaj periudhe kohore prej më shumë se 25 vitesh, banorët kanë paguar të gjitha tarifat dhe taksat qëndrore dhe vendore, duke u sjell dhe konsideruar si banorë dhe pronar të ligjshëm të pronave të tyre.
– Përpos këtij fakti nga informacioni që vjen nga banorët, së fundmi Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka filluar aplikimin e ndëshkimit administrativ me gjobë në shumën 500 000 lekë, ndaj poseduesve të objekteve informale. Këto veprime arbitrare të IKMT janë kryer pasi ALUIZNI ka përjashtuar nga procesi i legalizimit objektet informale, duke i trajtuar banorët në kushtet sikur ata janë shkelës aktual të ligjit, pra sikur ndërtimin e tyre e kanë realizuar në këto momente.
– Kjo praktikë është në kundërshtim të hapur me parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës, cënon hapur sigurinë juridike dhe krijon një situatë paniku dhe klimë pasigurie tek qytetarët, të cilët tashmë sipas këtyre akteve jo vetëm që do të duhet dalin nga banesat e tyre që do të prishen, por imponohen të paguajnë me detyrim edhe një shifër prej 500 000 lekësh si gjobë nga IKMT.
Kjo sjellje shantazhuese nga IKMT përkundrejt banorëve nuk është aspak në përputhje me objektivat e një shteti social, jashtë funksionimit të shtetit ligjor; është tërësisht në kundërshtim me çdo normë ligjore që rregullon këtë proces, dhe krijon një klimë të theksuar pasigurie e terrori, e cila mund të krijojë premisa për nxitjen e konfliktit të shtetit me qytetarët e tij.
QËNDRIM I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS MBI ZGJIDHJEN E KËSAJ ÇËSHTJE
Presidenti i Republikës, në vlerësim të gjendjes së paligjshmërisë ekstreme të konstatuar nga keqfunksionimi i institucioneve të administratës shtetërore dhe të situatës së krijuar, vlerëson se kjo çështje mund dhe duhet të marrë një zgjidhje përfundimtare.
Për këtë është e domosdoshme që qeveria të tregojë vullnetin politik dhe të ndërmarrë këto masa të menjëhershme:
– Këshilli i Ministrave dhe Këshilli Kombëtar i Territorit duhet të anullojnë menjëherë Projektin për “Rehabilitimin e segmentit rrugor mbikalimi i Pallatit me Shigjeta – Rrethrrotullimi i sheshit “Shqiponja”, që pretendohet të zbatohet i cili është miratuar me Vendim nr. 1, datë 20.11.2018 të KKT-së;
– Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ARRSH të ndërpresin dhe të anulojnë menjëherë çdo procedurë prokurimi që po realizohet bazuar në projektin ekzistues me qëllim ruajtjen e financave publike dhe shmangjen e çdo pasoje negative për interesin publik dhe cenimin e të drejtave të pronësisë së qytetarëve;
– Skualifikimi i operatorëve ekonomikë nga gara e dytë e hapur nga ARRSH, nuk e zgjidh çështjen, por krijon premisë që nëpërmjet procedurave administrative dhe gjyqësore të ankimit ky projekt i deformuar të marrë rrugë me pasoja ekonomike për buxhetin e shtetit;
– Pas anullimit të plotë të projektit ekzistues të nisin procedurat me garë të hapur për të realizuar një Projekt të Ri, i cili do të duhet të ofrojë zgjidhjen më të mirë teknike për zhvillimin urban të Tiranës;
– Gjatë fazës së hartimit të projektit të hapet menjëherë dialogu për konsultim publik me banorët e kësaj zone për mënyrën së si kjo vepër publike duhet të zhvillohet, dhe të vlerësohen objektivisht mendimet dhe opinionet e tyre. Përfshirja e ekspertëve të pavarur do ta ndihmonte për të rritur cilësinë e projektit të ri dhe besimin publik ndaj tij;
– Të pezullohet zbatimi dhe të shfuqizohet menjëherë cdo procedurë apo akt administrativ që ka të bëjë me përjashtimin e objekteve nga procesi i legalizimit apo i prishjes së ndërtimeve, referuar projektit ekzistues;
– Të shfuqizohen nga IKMT të gjitha gjobat administrative që ky organ ka vendosur së fundmi përkundrejt banorëve në mënyrë subjektive në lidhje me realizimin e këtij projekti.
– Të merren masa nga autoritet përgjegjëse për rivendosjen urgjente të ndriçimit publik, të hequr në mënyrë të paligjshme, pasi mungesa e tij është bërë burim aksidentësh me pasoja shëndetin dhe jetën e qytetarëve.
– Të pezullohet menjëherë çdo procedurë shpronësimi për interes publik e cila ka nisur me kërkesë të ARRSH-së, bazuar në projektin ekzistues ;
– Pas miratimit konform ligjit të një projekti të ri dhe të besueshëm, të ndiqet me shumë rigorozitet procedurat e shpronësimit publik pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, sipas kërkesave që dikton ligji;
– Gjatë ndjekjes së procedurave të shpronësimit, në rast se preken pasuri pronë private që nuk është pajisur me dokument pronësie dhe ndodhen ende në proces legalizimi, të bëhet një vlerësim i bazës ligjore ekzistuese dhe nëse ajo vlerësohet e mangët të krijohet shtrati i nevojshëm ligjor me qëllim trajtimin me shpërblim të të gjithë qytetarëve në mënyrë sa më të drejtë, duke ruajtur interesin publik dhe të drejtat themelore të tyre të pronës së krijuar dhe poseduar prej një kohe të gjatë .
– Ministria e Insfrastrukturës dhe Energjisë, ARRSH, Këshilli i Ministrave të studiojnë me vëmendje dhe të përshtasin legjislacionin në këtë fushë me qëllim që të realizohet një trajtim i drejtë, dhe i barabartë i qytetarëve në lidhje me pronat dhe banesat e tyre që mund të preken nga ky projekt i ri.
Kur ka vullnet nga qeveria dhe institucionet përgjegjësë, gjithmonë ka zgjidhje.
– Për këtë, duhet sjellë në kujtesë qëndrimin që Këshilli i Ministrave ka mbajtur në disa raste gjatë viteve 2011, 2012, 2015, në zbatimin e disa projekteve të ndryshme të infrastrukturës rrugore, të tilla si zgjatimi i Bulevardit Zogu I, pjesa tjetër e Unazës së Madhe (segmenti Pallati me Shigjeta –Kopshti Zoologjik), si dhe Unaza hyrëse e qytetit të Vlorës, të cilat në mungesë të kuadrit ligjor për rregullimin e çështjeve të pronësisë të objekteve që prekeshin, kanë bërë të mundur që qeveria me VKM 563/2011, VKM nr.560/2012, VKM nr. 133/2015, të ndërhyjë për zgjidhjen e çështjes;
– Procedurat e prokurimit për këtë vepër publike të hapen ndërkombëtarisht konform ligjit pasi të jetë formalizuar një projekt solid, i qëndrueshëm dhe objektiv duke nxitur konkurencën e lirë të operatorëve vendas dhe ndërkombëtar;
– Tirana ka nevojë për ndërtimin dhe funksionimin e Unazës së Madhe, por ajo duhet të realizohet duke respektuar të drejtat themelore të qytetarëve, për një zgjidhje të drejtë dhe duke shfrytëzuar në mënyrë eficente buxhetin e shtetit, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe me transparencën e plotë që realizimi i këtij projekti kërkon;
– Qeveria Shqiptare, dhe gjithë institucionet publike, duhet të reagojnë me përgjegjshmëri të lartë ndaj kësaj situate të krijuar.
– Ato duhet të zbatojnë me përpikmëri procedurat ligjore, për hartimin, miratimin dhe implementimin e këtij projekti urban që ndikon jo vetëm në jetën e banorëve të zonës por gjithë qytetit të Tiranës, në mënyrë që realizimi i tij të mundësojë një zgjidhjeje të drejtë për të gjithë qytetarët dhe interesin publik në tërësi.
– Presidenti i Republikës, inkurajon Prokurorinë e Republikës së Shqipërisë që të kryejë një hetim të gjithanshëm mbi këtë çështje në të gjitha dimesionet e saj, pasi shkeljet në realizimin e këtij projekti janë të rënda, evidente dhe në kundërshtim me gjithë rendin juridik dhe kushtetues të Republikës së Shqipërisë.
– Presidenti i Republikës do ta përcjellë këtë qëndrim publik edhe në adresë të organit të akuzës, me qëllimin final zbardhjen e plotë, në mënyrë objektive dhe të pavarur, të të gjitha shkeljeve ligjore dhe dhunimit të lirive të drejtave të njeriut.
– Po kështu, Presidenti i Republikës i kërkon Avokatit të Popullit të hetojë për të evidentuar të gjitha shkeljet e ligjit dhe të drejtave të njeriut.
– Presidenti i Republikës fton të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe ato të shoqërisë civile të angazhuara në luftën kundër korrupsionit për zbardhjen e të gjithë shkeljeve dhe abuzimeve gjatë procesit të hartimit dhe realizimit të këtij projekti.
Reflektimi i shpejtë, i sinqertë dhe i thelluar ndaj kësaj çështje në tërësinë e saj do të ndihmonte ndjeshëm në rikthimin e besimit publik te shteti i së drejtës dhe sundimit të ligjit.
Ky reflektim është i domosdoshëm edhe për rritjen e besimit edhe të partnerëve ndërkombëtarë në seriozitetin e shtetit tonë për të luftuar korrupsionin, forcuar zbatimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut, cështje shumë të rëndësishme edhe për çeljen e negociatave për anëtarësimin me Bashkimin Evropian.
/a.meta