Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta mori pjesë në një takim me dhjetëra të rinj dhe të reja të qytetit të Kukësit.
Në këtë takim Meta ishte i shoqëruar nga Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi si edhe nga deputetët Vexhi Muçmata dhe Ylli Shehu.
Në fjalën e tij përpara të rinjve, kryetari i LSI-së shprehu besimin se me mbështetjen e fortë të rinisë në Kukës, në zgjedhjet e 21 qershorit do të merret një fitore bindëse. Meta tha se programi i Halilaj dhe i mazhorancës është që Kukësi të mos jetë thjesht vendlindja e të rinjve kuksiane, por edhe e ardhmja e tyre.
“Do të arrijmë një fitore bindëse në 21 qershor, në emrin e të rinjve dhe të rejave të Kukësit, në mënyrë që ju të gjithë të keni një perspektivë shumë më të mirë. Premtimet tona për të garantuar të paktën 500 vendeve të reja të punës vetëm në këto dy vitet që vijnë deri në vitin 2017, janë premtime tërësisht të realizueshme. Nga të gjitha këto, 200-250 vende të reja pune do të hapen kryesisht për të rinjtë dhe të rejat që do të shërbejnë në aeroportin e ri të Kukësit i cili do të bëhet funksional shumë shpejt”, tha Meta.
Lideri i LSI u shpreh se aeroporti i Kukësit do të krijojë mundësi të reja zhvillimi, ndërsa premtoi mbështetje edhe për zhvillimin e turizmit në këtë zonë.
“Programi i kryetarit të ardhëm të bashkisë së re të Kukësit, është i vetmi program që ekziston sot për banorët e Kukësit, dhe është programi më gjithëpërfshirës që u drejtohet të gjithë shtresave të Kukësit. Ajo që unë dua të shpreh mbështetje të veçantë është pesha që i jep ky program problemeve të rinisë së Kukësit dhe angazhimi për t’i zgjidhur këto probleme sëbashku me të rinjtë dhe të rejat e Kukësit”, tha Meta.
Kryetari i LSI shprehu bindjen se me fitoren e Hasan Halilajt, Kukësi do të jetë vendi i perspektivës dhe jo thjesht vendlindja e tyre.
“Ndaj programin e kandidatit tonë, kryetarit të ardhshëm të Bashksië së Kukësit, z. Hasan Halilaj, ne do të bëjmë të mundur që Kukësi të mos jetë thjesht vendlindja juaj. Kukësi të jetë e ardhmja juaj, e ardhmja për të ndërtuar, e ardhmja për t’u punësuar, e ardhmja për të ndihmuar familjet tuaja në këto Alpe të mrekullueshme, në këtë mjedis të mrekullueshëm. Kjo bashki e re bashkon shumë mundësi. Nuk është thjesht një zgjerim territori, por është një shtim hapësirash, mundësish resursesh, kapacitetesh në mënyrë që të bëhen ato politika zhvillimi që do të hapin vende të reja pune, në industri, në miniera, në bujqësi, në blegtori dhe në gjithçka tjetër duke i dhënë mundësi të gjithëve të prekin ato përfitime që meritojnë bazuar në resurset të cilat ne i kemi, por nuk vihen në punë. Prandaj të gjitha votat për kandidatin tonë z. Hasan Halilaj”, theksoi z. Meta.
Kryetari i LSI-së kërkoi angazhimin maksimal të të rinjve për në mënyrë që të “Aleanca ëpr Shqipërinë Europiane” të ketë shumicën bindëse edhe në Këshillin e ri bashkiak .
“Nuk mund të ketë progres në asnjë drejtim Kukësi, në rast se kryetari i ardhshëm i bashkisë nuk ka një program dhe i vetmi që ka një program sot është Hasan Halilaj. Mbi të gjitha Kukësit i duhet një kryetar bashkie që të trokasë që nga dera e Edi Ramës dhe e gjithë ministrave për projekte që duhen financohen dhe që duhen për mbështetje në emër të komunitetit të Kukësit. Nuk i duhet një kryetar bashkie që ta kthejë bashkinë në njësi të vogël të SHQUP-it këtu në Kukës. “Ne tani na mbetet që deri në 21 qershor, të gjitha këto energji tuaja t’i shpërndajmë tek të gjithë të rinjtë e Kukësit, kudo në të gjitha komunat edhe në shtëpinë më të largët, në mënyrë që të votojmë atë besim dhe atë entuziazëm që meriton projekti ynë i përbashkët që Kukësi të mos jetë thjesht vendlindja juaj, por të jetë e ardhmja juaj”, tha Meta.











