• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Thursday, July 2, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Meta ka të drejtë në gabimin e vet

by Mustafa Nano
22/02/2018 10:37
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Mustafa Nano

Në datën 15 prill të vitit 2010, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë ka marrë një vendim, që do të mbetet gjatë në memorien institucionale të shtetit shqiptar. Ajo e shfuqizoi (saktësisht, e konsideroi të papajtueshme me kushtetutën) marrëveshjen e lidhur mes Shqipërisë e Greqisë mbi kufirin detar. Dhe me këtë, i riktheu negociatat për këtë çështje në pikën zero. Ishte një vendim i drejtë? Nuk ka një dakordësi mbi këtë çështje. Disa thonë se vendimi ishte i gabuar, e disa të tjerë se vendimi ishte i drejtë (një pjesë prej këtyre të fundit, nuk kanë ngurruar ta cilësojnë këtë vendim si patriotik e historik). Por kjo nuk duket se ka shumë rëndësi. Rëndësi ka që ai vendim nuk mund të diskutohet (si çdo vendim i Gjykatës Kushtetuese). Në fakt, askush nuk e ka diskutuar. As qeveria e kohës nuk e vuri në diskutim. Madje, edhe komentet mbi të ishin të rralla. Të gjithë mbajtën shënim atë që ndodhi, dhe kaq. Dhe kjo është një gjë e mirë.Por të gjithë i jemi rikthyer atij vendimi, teksa qeveria shqiptare është duke negociuar një marrëveshje të re me Greqinë. Dhe në këtë mes po vihet re një tentativë për t’i reduktuar vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese vetëm të lidhura me transparencën e munguar. Në fakt, nuk është kështu. Vërejtjet ishin të shumta, e në thelb të çonin te përfundimi se ajo ishte një marrëveshje e gabuar. Lihet të nënkuptohet se pala shqiptare ka qenë shumë e shkujdesur dhe e papërgatitur në negociatat e bëra (shih pikat 82.1-82.5). Dhe Shqipëria, sipas këtij vendimi, ka dalë e humbur prej asaj marrëveshjeje.

Por ky është një diskutim që i përket së shkuarës. Nuk ka kuptim ta rihapësh. Jo për gjë, por tani jemi edhe në rrethanat që marrëveshja po rinegociohet, ku gjëja e parë që duhet të kërkojmë është të mos përsëriten gabimet e bëra. Dhe qeveria “Rama” nuk na ka borxh vetëm kaq. Ajo na ka borxh që të sillet ashtu si ajo (kur ishte në opozitë) do donte që të sillej qeveria “Berisha”, gjë që del nga ankimimi i bërë prej saj në Gjykatën Kushtetuese. Po ju risjell në vëmendje dy objeksione të Partisë Socialiste në vitin 2009 (të tjerat janë të natyrës teknike, që duhen patur parasysh nga negociatorët teknikë): 1. Mungon plotfuqia nga ana e Presidentit të Republikës për negocimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes objekt shqyrtimi; 2. Negocimi dhe hartimi i marrëveshjes është kryer në fshehtësi dhe në mungesë të transparencës; qeveria ka detyrimin të bëjë publike të gjitha çështjet, të cilat kanë interes, sidomos ato lidhur me kufijtë e vendit dhe territorit të shtetit.

Plotfuqia e Presidentit sapo iu kërkua Metës. Mirëpo, ky i fundit ende nuk e ka dhënë. Ngaqë është me mendimin se mungon transparenca, apo thënë me fjalët e PS-së së vitit 2009, ngaqë “negocimi dhe hartimi i marrëveshjes po kryhet në fshehtësi dhe në mungesë të transparencës; qeveria ka detyrimin të bëjë publike të gjitha çështjet, të cilat kanë interes, sidomos ato lidhur me kufijtë e vendit dhe territorit të shtetit”. Mund t’i themi çfarë të duam Metës sot, mund t’i kujtojmë se mund t’i hapte sytë në kohën që marrëveshja e parë u negociua dhe u nënshkrua, mund ta padisim publikisht për këtë nonchalancetë asaj kohe, mund ta quajmë njësoj fajtor me Berishën, mund t’i themi ç’të duam, mirëpo nuk është vendi për këtë diskutim. Ne jemi tani në valën e negociatave me grekët, dhe vëmendjen duhet ta mbajmë të ngrehur shí në këtë pikë, në mënyrë që të mbrojmë interesin kombëtar e të mos bëhemi gazi i botës (një konflikt i brendshëm mbi këtë argument, do na bënte gazin e botës). Dhe kërkesa e Metës është e drejtë. Ky i fundit mund të niset nga motivimet më të liga në kërkesën e vet, por e njëjta kërkesë është edhe e imja. Besoj edhe juaja. Ne kemi nevojë për transparencë.

Të kuptohemi, me transparencë nuk kuptohet që të na thuhet çdo gjë. Jo, ka shumë gjëra që nuk mund e nuk duhet të thuhen gjatë negociatave të këtij lloji, në mënyrë që të mos komprometohet ecuria e integriteti i tyre. Por ne nuk kemi pse të mos dimë se cilët janë anëtarët e grupit negociator, se cilët janë ata që kanë barrën politike e teknike në këtë çështje, që është e ngarkuar, jo për faj të tyre, me përthyerje, ngjyrime e simbolika të llojllojshme. Nuk kemi pse të mos dimë edhe detaje me interes publik nga negociatat (kjo gjë kërkohej edhe nga Gjykata kushtetuese në vendimin e vitit 2010). Në fund të fundit, duam të sigurohemi që grupi negociator të mos marrë rolin e një noteri, të cilit thjesht i mbetet të firmosë e vulosë atë që në tryeza të tjera kanë vendosur, mbi kritere të konveniencës politike, Rama me Ciprasin, apo Bushati me Kociasin. Ç’është më e rëndësishmja, këtu nuk flitet vetëm për kufirin detar. Flitet për një marrëveshje shumë komplekse, me anë të së cilës synohet të hidhet pas shpine një histori e tërë dyshimesh, pikëpyetjesh, keqkuptimesh, mospajtimesh, pabesish, goditjesh poshtë brezit, etj. Kështu që ka sa të duash vend për transparencë. Mirëpo, në vend të transparencës, neve na jepet lajmi se negociatat janë mbyllur, se palët janë marrë vesh për të gjitha, se pritet që Ciprasi të vijë në Tiranë.

Meta pra ka të drejtë në kërkesën e vet. Por ai ka bërë një gabim në këtë histori dhe, me sa duket, këto gabimet me publikime letrash i paska huq. Të njëjtin gabim (që ishte më i rëndë, në fakt) bëri edhe me atë letrën që ai i dërgoi Presidentit amerikan, me anën e së cilës e garantonte atë se, pavarësisht qeverisë antiamerikane të Shqipërisë, amerikanët kishin në Tiranë një njeriun e tyre, d.m.th. Metën!!!! Ajo letër ishte nga ato gjeste që e bëjnë një shtet qesharak. Edhe vendimi për të publikuar letrën e Presidencës dërguar Ministrisë për Europën dhe për Punët e Jashtme mund të futet pa frikë në listën e gjesteve që e nxjerrin shtetin shqiptar në një dritë qesharake. Përmbajtja e letrës është ok, por publikimi i saj është i pakuptueshëm, dhe bëhet qartazi në funksion të lojërave politike të Metës. Ajo letër duhej të mbetej pjesë e komunikimit zyrtar midis dy institucioneve të shtetit shqiptar, Presidencës dhe Ministrisë së Jashtme. Meta, në rrethanën më të skajshme, mund ta nxirrte, si pa dashje lajmin (siç bëjnë të gjithë, në të gjithë botën), se Presidenti i kish dërguar një letër Ministrit të Jashtëm, në të cilën i kërkonte atij transparencë, dhe kjo do të ishte e dobishme, kjo do të hapte një debat publik të nevojshëm, por publikimi i saj i plotë, pikë për pikë e germë për germë, nuk i bën asnjë shërbim kësaj çështjeje, përkundrazi, çalltisja për ta bërë këtë publikim na thotë veç një gjë: Rama e Meta vijojnë të shkojnë si macja me miun. Dhe ky ishte qëllimi i letrës. Mirëpo ky është një lajm i vjetër. Që nuk i duhet kujt. Neve na duhet tjetër gjë, na duhet një marrëveshje e mirë dhe e drejtë me grekët, në mënyrë që të zgjidhim rebusin e marrëdhënieve të koklavitura Shqipëri-Greqi./Mapo

Next Post
Gjeni vend tjetër për t’u ndeshur, djema!

20 dhe 21 shkurti mund të tregohen pak më ndryshe, Doktor!

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

“Hormuzi në krizë, tarifat e kalimit rrezik për tregtinë globale”

“Hormuzi në krizë, tarifat e kalimit rrezik për tregtinë globale”

July 2, 2026
Milot-Balldren: Kosto e lartë apo perceptim i gabuar

Milot-Balldren: Kosto e lartë apo perceptim i gabuar

July 2, 2026
Mbahet seanca plenare, PD mungon në sallë! Replika mes Bidos e Muçit: Je viktimizuar se ke kombësi greke…

Mbahet seanca plenare, PD mungon në sallë! Replika mes Bidos e Muçit: Je viktimizuar se ke kombësi greke…

July 2, 2026
Rritet bilanci i tërmeteve në Venezuelë, mbi 2200 viktima dhe mbi 11 mijë të plagosur, vijojnë kërkimet për të mbijetuar

Rritet bilanci i tërmeteve në Venezuelë, mbi 2200 viktima dhe mbi 11 mijë të plagosur, vijojnë kërkimet për të mbijetuar

July 2, 2026
‘Peshkaqenët blu’ të Botërorit, pse Kepi i Gjelbër është surpriza më e bukur e eventit?

‘Peshkaqenët blu’ të Botërorit, pse Kepi i Gjelbër është surpriza më e bukur e eventit?

July 2, 2026
Tensione para Kuvendit, Lapaj kërkon t’i bashkohet tubimit, protestuesit: Largohu nga këtu!

Tensione para Kuvendit, Lapaj kërkon t’i bashkohet tubimit, protestuesit: Largohu nga këtu!

July 2, 2026
Përplasje edhe në hyrje të Parlamentit, hiqet gardhi metalik. Seanca nis pa PD

Përplasje edhe në hyrje të Parlamentit, hiqet gardhi metalik. Seanca nis pa PD

July 2, 2026
Shqipëria, e dyta në Europë për energjinë e prodhuar nga burimet e rinovueshme në raport me konsumin

Shqipëria, e dyta në Europë për energjinë e prodhuar nga burimet e rinovueshme në raport me konsumin

July 2, 2026
Berisha mbledh drejtuesit politikë të qarqeve, çfarë u diskutua mes demokratëve

PD tërhiqet nga seanca e sotme: Nuk shkojmë në një Parlament të rrethuar me polici!

July 2, 2026

Deti i tërë mes së thënës e së bërës…

July 2, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In