Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta i ka dërguar sot një ftesë zyrtare Presidentit të Parlamentit Evropian Antonio Tajani, duke kërkuar vëzhgues ndërkombëtarë për zgjedhjet e 18 qershorit, nga ana e Parlamentit Europian.
Ilir Meta thekson në letër rëndësinë e madhe që ka monitorimi i procesit zgjedhor, në shërbim të legjitimitetit të rezultatit.
Letra e plotë e Ilir Metës
I nderuar Zoti President,
Më lejoni t’Ju informoj se më 18 qershor 2017 do të zhvillohen zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.
Duke marrë në konsideratë angazhimin e autoriteteve të Republikës së Shqipërisë për të garantuar një proces zgjedhor të rregullt, transparent, demokratik e në përputhje me standardet më të larta bashkëkohore ndërkombëtare, kam kënaqësinë t’Ju përcjell ftesën në emër të Kuvendit të Shqipërisë për një grup vëzhguesish ndërkombëtarë nga Parlamenti Evropian.
Besimplotë se monitorimi sa më i gjerë ndërkombëtar dhe vendor i zgjedhjeve të ardhshme parlamentare i shërben cilësisë së procesit por edhe legjitimitetit të rezultatit të tyre, lutem pranoni, i nderuar Zoti Tajani, ndjenjat e konsideratës time më të lartë./javanews.al
c.a