I pranishëm në takimin e kësaj të premteje në emisionin “Fiks Fare” ka qenë presidenti i zgjedhur, Ilir Meta, i cili në bashkëbisedimin me moderatorët e emisionit ka bërë disa deklarata interesante.
Ai tha se është gati të dorëhiqet si president, boll që LSi del forcë e parë.
Ai dha edhe një mesazh për Bashën kur tha se “nga doktori nuk ndahet”.
Meta: Me halle pa halle, LSI forcë e madhe! Sipas vendit dhe kuvendi.
Fiks Fare: Ishim në siklet si të prezantonim. Se je edhe bashkëkryetar i koalicionit, je edhe kryetar i Parlamentit, njëkohësisht edhe president i zgjedhur…
Meta: Mbi të gjitha jam edhe miku i Filipit.
Fiks Fare: Si po ju duket vetja mes nesh?
Meta: Jam fiks fare!
Fiks Fare: Na fal që nuk të pritëm me raki Skrapari, por ngaqë thua lart e poshtë që do marrësh timonin nuk i jepet shoferit për të pirë.
Meta: Unë nuk kam folur për timon, as për tepsi. Unë kam folur për përgjegjshmëri. Megjithatë, unë edhe rakinë e mbaj, nuk ka problem.
Fiks Fare: Keni ndryshuar këto kohët e fundit, nga slogani “me qetësi e dashuri”, keni kaluar për sherr e shamatë. Mirë qetësia të ka humbur, por edhe dashuria?! Ke pasur ndonjëherë dashuri për Ramën?
Meta: Tani, ju duhet ta kuptoni që dashuria është diçka e brendshme, nuk është diçka… nuk është si mall. Ka patur simpati.
Fiks Fare: Nuk konkluduat në dashuri se nuk donte Rama, apo ju?
Meta: Nuk më lë Monika për atë punë.
Fiks Fare: Ke thënë Tom dhe Jerry. Na e sqaro kush është Tom e kush është Jerry…
Meta: E para, Tom dhe Jerry nuk ka të bëjë fare me Devin dhe Dorin. Së dyti, tani nuk ka rëndësi kush është njëri e kush është tjetri, të dy janë e njëjta gjë.
Fiks Fare: Emrat nuk do na i thuash, kush është njëri e kush është tjetri?
Meta: Ta zgjidhin vetë më mirë, me konsensus
Fiks Fare: Me Bashën nuk i ke mirë punët. Mos je prishur gjë edhe me Fariun, atë mblesin?
Meta: Absolutisht. Pastaj Fariun e njoh shumë përpara Lulit, madje e njoh edhe pak përpara Doktorit, plus që jemi dhe pak të afërt se i kemi gratë dibrane dhe kanë të bëjnë me njëra-tjetrën. Kështu që nuk ndodh të prishem me Fariun.
Fiks Fare: Po me Bashën?
Meta: Me Lulin? Patjetër që marrëdhënia ime me Lulin është një marrëdhënie tepër interesante, pasi… E keni parasysh, një fëmije nuk duhet asnjëherë t’ia marrësh për keq edhe kur bën një gabim.
Fiks Fare: Si forcë e parë, me kë do beni koalicion me Bashën, me Idrizin apo me Blushin?
Meta: Kjo është një pyetje për Petrit Vasilin.
Fiks Fare: Me çfarë funksioni del në fushatë, se në çdo vend të kemi parë që flet i fundit…
Meta: Si anëtari më i thjeshtë i LSI-së. Në fund sepse anëtarit të thjeshtë atëherë i bie të flasë, i pari flet kryetari.
Fiks Fare: Po duke folur si i fundit merr gjithe vëmendjen…
Meta: Jo, vëmendja është e të gjithëve, sepse LSI është një shans për të gjithë. Kryetar është Petrit Vasili, ai është në listën e votimit dhe ju e dini që jo rastësisht LSI doli e para edhe në listën e partive.
Fiks Fare: Nëse duhet marrë një vendim, për shembull dhe Petriti thotë do merret ky vendim, nënkryetarja nuk pranon. Ti ça do bësh?
Meta: Unë jam gjithmonë me LRI-në.
Fiks Fare: Trendi i momentit është bërë Shekspiri. Rama pas marrëveshjes në orët e natës doli e tha unë jam Romeo, kështu që Zhulieta i mbeti Lulit. Tani, Rama nuk duket shumë si Romeo, po dhe Luli nuk i ngjan shumë Zhulietës, që të pijë helmin për dashurinë…
Meta: Nuk duket aq i sakrificave. Unë mendoj që mos të shkojmë kaq larg deri tek Shekspiri. Ajo që mbaj mend unë nga thëniet e tij gjeniale, kur kam parasysh egoizmin e disa politikanëve këtu në vendin tonë, është një thënie shumë interesante: “Nuk është i lig se ka një shkak, por është i lig se është i lig”. Se ndonjëherë njeriu bëhet i lig se ka një shkak, është pa bukë dhe del edhe bën një veprim të padrejtë, por është i lig se është i lig. Kështu që mos të shkojmë larg se ne kemi personazhet tona këtu, ne kemi Jovan Bregun.
Fiks Fare: Kush është Jovan Bregu këtu?
Meta: Ai që vdiste për një çikë magazinë.
Fiks Fare: Kush? Rama?
Meta: Tani, magazinën për vete, të gjithë magazinën për vete.
Fiks Fare: Po Luli kush është?
Meta: Sandër Mafishja!
Fiks Fare: Dje bëtë një super miting, por u tha dhe një super batutë. Petrit Vasili ka thënë mbrëmë se kjo është një qeveri e çmendur. Ju kur e kuptuat që Rama ishte i çmendur, se ju keni qenë dhe afër tij, madje më afër se Vasili?
Meta: Thirreni dhe një herë Petritin, se Petriti është mjek edhe ndoshta mund të japë një përcaktim edhe më të qartë. Por ajo që unë mbaj mend është nga Dritëro Agolli në ’94, kur Doktori, pika ime e dobët dhe e fortë, lajthiti pak se e kishte edhe për herë të parë në pushtet dhe i donte të gjitha pushtetet për vete dhe Dritero Agolli shkruajti disa vargje në Kuvend. Unë rrija me Dritëroin gjithmonë pranë tij dhe ai thoshte: “Në vendin tim e në vendin tënd, një kokë e çmendur të gjithë i çmend”.
Fiks Fare: Po ti ç’doje në çmendinë katër vjet o Ilir, se hallin tënd kam?
Meta: Tani…
Fiks Fare: Ç’doje ti, more Ilir?
Meta: Unë vaksinën e bëra dhe nuk u çmenda, tani është koha për një shans për të gjithë. Do t’i shpëtojmë të gjithë.
Fiks Fare: Shumë e drejtë. Tani në skenën politike shqiptare ka dy çifte që shkëlqejnë, Basha-Rama dhe Meta-Berisha. Cili nga këta do divorcohet më shpejt?
Meta: Së pari, mos prisni që unë të divorcohem nga Doktori, edhe nëse ai divorcohet nga unë. E para kjo.
Fiks Fare: Është e sigurt kjo?
Meta: Po, po, po. E dyta, unë nuk mund të flas që çifti jonë është më i mirë se çifti tjetër, apo meqë ju i keni çiftuar në këtë…
Fiks Fare: Jo, nuk i kemi çiftuar ne, u çiftuat me njëri-tjetrin ju…
Meta: Le ta shprehin qytetarët me votë, po unë nuk është se jam çiftuar. Por pikë të dobët e kam, këtë ia kam thënë Ramës që në fillim, ia kam thënë të gjithëve, ia kam thënë edhe Lulit. Madje, Lulit ia kam thënë “kujdes, mos u ndaj nga Doktori, se Doktori është shpirti i demokratëve”.
Fiks Fare: Si ishte kjo dashuria për Doktorin mor burrë i dheut? Me mbles ishte edhe kjo? Apo ishte një lloj dashurie me shikim të parë? Si e pate këtë dashuri?
Meta: Nuk ishte dashuri në errësirë, të jeni të sigurt.
Fiks Fare: Je akoma në bashkëqeverisjen më të keqe, më të ndyrë, sipas jush, më të poshtër dhe, siç thatë dje, me ebola? A nuk ke frikë se infektohesh mor vëlla?
Meta: E kam bërë vaksinën që në ‘91, në fillim të ‘91 kur hyra në selinë e Partisë Socialiste.
Fiks Fare: Këta nuk kanë bërë vaksinë fare?
Meta: Jo, jo, jo.
Fiks Fare: E ke vënë re që Basha dhe Rama në sulmet ndaj jush janë në sinkron me njëri tjetrin? Janë perfekt, shushunja njëri, shushunja tjetri…
Meta: Të paparë!
Fiks Fare: Tepsi njëri, tepsi tjetri. Ja, do ja nxjerrë tepsinë. Ke pasur pjesën tënde tek kjo tepsia. Më fal, apo mos dole rruar e qethur nga kjo tepsia? Se vetëm ti dole kështu…
Meta: Tani, këtë çojeni tek magazina, tek Jovan Bregu, se Jovani vdes për një çikë magazinë dhe një çikë tepsi. Përsa i takon sinkronizimit të tyre unë mendoj që është normal dhe po ta kesh mendjen për të thithur gjithë ditën, kuptohet që shushunja ke në mendje.
Fiks Fare: Më fal, çfarë thithin? Çfarë thithin? Në të gjitha kuptimet është kuptim i keq…
Meta: Atë që thithin shushunjat.
Fiks Fare: Se kemi të bëjmë me dy meshkuj. Çfarë thithin? Obobo, Like! Çfarë na bëre! Like ja tepsia, sa pjesë kishe këtu more aman? Se iku mbaroi, kjo s’ka më gjë.
Meta: Një gjë, nëse ka qënë tepsi kjo qeverisjeje, pjesa e LSI-së ka qenë e papërfillshme, kështu që tepsinë e ka patur dhe do ta ketë gjithmonë me vete, por drejtimi i Shqipërisë është përgjegjësi, nuk është tepsi. Për këtë jam i sigurt dhe është një shans për të gjithë dhe jo një tepsi për një njeri.
Fiks Fare: E akuzon Ramën që i ka marrë të gjitha pushtetet, që i ka pasur edhe më përpara dhe i kërkon edhe tani. Ju e morët Presidencën…
Meta: Na e dha, nuk e kërkuam. Na e dha.
Fiks Fare: Tani do dilni edhe forcë e parë, a nuk po bini në kontradiktë me vetëveten?
Meta: Tani, më e rëndësishmja është që Shqipëria të ketë një drejtim të ri dhe Petrit Vasili të jetë kryeministër. Pastaj ky shqetësimi se mos i merr një parti të gjitha pushtetet. Jam gati të kontribuoj që të gjejmë një zgjidhje. Unë jap edhe dorëheqjen nga posti i presidentit, boll që LSI-ja të jetë forcë e parë dhe të ketë edhe kryeministrin.
Fiks Fare: Po fitoi Rama ngele pa punë, si do ia bësh pastaj?
Meta: E para, kjo gjë nuk ndodh nëse Petrit Vasili bëhët kryeministër. Ju e dini që atyre u ka dalë nami që të gjejnë punë, kështu që do më gjejnë punë edhe mua.
Fiks Fare: Po edhe Ruçi ka folur pak ashpër…
Meta: Po, e dëgjova dhe kjo mund të ndodhë, por më vjen keq që miku im Ruçi nuk do ketë kënaqësinë të votojë kundër shkarkimit tim se nuk e kam vënë unë të nëntin në listë në Fier.
Fiks Fare: Ku është më i mirë Rama se Berisha, si diktator, apo si partner?
Meta: Së pari po flasim për Berishën e dytë.
Fiks Fare: Zgjidh e merr vetë zoti Meta.
Meta: Jo, jo. I dyti është tjetër gjë, pastaj si patner është shumë i qëndrueshëm Doktori. Kështu që nuk diskutohet.
Fiks Fare: Ke qënë shtangist. E ke ngritur edhe PS-në edhe PD-në. Kush ishte më e rëndë?
Meta: Problemi është se këta të dy që morën dhe PS-në dhe PD-në i rrëzuan dhe unë ngrita nga fillimi një gjë të re, që ata nuk duan ta pranojnë. Prandaj ta marrin me qetësi dhe pa xhelozi këtë punë.
Fiks Fare: Luli ka bërë foto me Trumpin, është foto e freskët, historike, shkoi deri në Amerikë…
Meta: Edhe unë u gëzova shumë.
Fiks Fare: Rama ka bërë me Obamën, e kemi parë të gjthë, ndërsa ti ke foto me Clintonin e famshëm…
Meta: Po.
Fiks Fare: Cili nga këta presidentë amerikanë fiton në Shqipëri?
Meta: Do të fitojë ai që pati suksesin më të madh me postimin në rrjetet sociale, me Bes Kallakun dhe Ard Daullxhiun. E përshëndes Ardin dhe i them se do ta zgjidhim atë çështjen që e ka me aq merak.
Fiks Fare: Martesën?
Meta: Çështjen që ka aq merak, po.
Fiks Fare: Ramës i bëmë një pyetje, po ta bëjmë edhe ty. Në fakt Rama tha ‘unë po e shpëtoj Ilirin, po e marr me vete’ dhe parashutën ia dha Lulit. Një parashutë e ke mbrapa dhe ke edhe një në dorë, ke Lulin dhe Ramën, avioni po bie, kujt do ia japësh parashutën? Ti shpëton për vete…
Meta: Unë do t’i marr të dy në prehër pasi kam frikë se ata nga tensioni nuk do hapin dot parashutën.
Fiks Fare: Nuk shpëton dot pa Ilirin. Faleminderit shumë që ishe sot! Kënaqësi shumë e madhe.
Meta: Kënaqësia ime.