Kreu i shtetit kerkon garanci maksimale per te dhene plotfuqishmerine qe te nisin negociatat per marreveshjen me Greqine. Dhe një ndër garancite maksimale është pasja e një përfaqesuesi te Presidences ne grupin negociator.
Pikerisht ate qe e deklaroi i pari dhe e perserit here pas here ish- ministri i Drejtesise i LSI Ylli Manjani, qe kembengul qe negociatat ti drejtoje Meta.
Burime të besueshme të “Panorama” në institucionin e Presidentit të Republikës, sqaruan se kreu i shtetit, Ilir Meta, do t’i drejtohet me një shkresë ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushatit, për t’i shprehur gjithë problematikat e konstatuara në kërkesën e bërë një javë më parë për dhënien e plotfuqishmërisë.
Të njëjtat burime pohojnë se, për shkresën në fjalë do të vihen në dijeni edhe kryeministri Edi Rama dhe kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Në këtë shkresë, kreu i shtetit do t’i kërkojë ministrit Bushati që të saktësojë emrat e negociatorëve që do të negociojnë për marrëveshjen e re me Greqinë.
Një tjetër kërkesë që kreu i shtetit pritet t’i drejtojë Bushatit për dhënien e plotfuqishmërisë, do të jetë edhe përfshirja e përfaqësuesit të Presidentit të Republikës, Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Ministrisë së Drejtësisë në grupin negociator.
Konsultimet e zhvilluara me paraardhësit e tij e kanë shtyrë Presidentin e Republikës që në shkresën, që do t’i dërgojë Ministrisë së Jashtme, të kërkojë edhe transparencë për të gjithë negociatat që janë zhvilluar dhe do të zhvillohen me palën greke.
Kujtojmë, se në shkresën e dërguar në 12 shkurt në Presidencë, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka informuar Metën lidhur me ecurinë e negociatave me palën greke dhe nevojën e dhënies së plotfuqishmërisë për një grup negociator të qeverisë, për të konkretizuar marrëveshjen.
Në të njëjtën kërkesë, Bushati informonte presidentin se pjesë e grupit negociator do të ishin përfaqësues të Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, por pa saktësuar emrat që qeveria do t’i besojë marrëveshjen me palën greke./Tema/