Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta së bashku me Kryetarin e PS-së, z. Edi Rama dhe kandidatin i “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për Bashkinë e Vorës, z. Luan Sallaku, zhvilluan një bashkëbisedim me banorët e Vorës.
Të pranishëm në këtë takim ishin edhe Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, z. Edmond Panariti, Zv.Ministrja e Arsimit dhe Sportit, z. Nora Malaj, deputeti z. Artan Gaçi dhe Kryetari i LRI-së, z. Endrit Braimllari.
Gjatë fjalës së tij para të qytetarëve të mbledhur në qendër të Vorës, z. Ilir Meta tha se të gjitha rrugët kalojnë nga Vora dhe se pas fitores së “Aleancës për Shqipërinë Europiane” më 21 qershor të gjithë do të kenë mundësi të punojnë.
“Mua më kanë akuzuar pse shkoj në Vorë, pse takohesh ti në Vorë, edhe unë do ta përsëris sërish, çfarë faji kam unë që të gjitha rrugët kalojnë nga Vora? 12 vjet e kishin Bashkinë e Vorës, por kam përshtypjen që as kur shkonin jashtë shtetit, as kur shkonin në plazh, nuk kalonin në Vorë. Vetëm vinin javën e fundit të zgjedhjeve dhe bënin zgjedhjet ashtu siç dinë ti bëjnë ata dhe pastaj kanë dëshirë të na e faturojnë neve. E di Vora kush e bën fushatën natë, dhe e di Vora se kush e bën fushatën ditën dhe me diell”, – tha z. Meta, duke shtuar se brenda tetorit do të hapen 500 vende të reja në Vorë.
“E kam thënë dhe më parë këtu në Vorë se nën drejtimin e Bashkisë nga ‘Aleanca për Shqipërinë Europiane’ me kryetarin e ri z. Luan Sallaku, nuk do të punojë vetëm ai që nuk ka dëshirë të punojë. E kam thënë që do t’ua marrim me shkrim atij apo asaj që s’ka dëshirë të punojnë se me pahir në punë nuk çojmë, por çdo njeri për shkollën që ka, për formimin që ka, do t’i japim një mundësi, dy mundësi. Dhe kur nuk e ka formimin profesional, do t’i japim mundësinë për një trajnim profesional në mënyrë që të gjejë veten në tregun e punës. Po e mbyll me një angazhim konkret dhe me një lajm shumë të mirë, që brenda tetorit do të hapen 500 vende të reja këtu në Vorë dhe ta bëjmë edhe ish-kryetarin e Bashkisë së Vorës që ta kuptojë që ne jemi nga ata që mbajmë premtimet dhe ne nuk jemi nga ata që duam ta marrim Vorën, ta mbajmë peng për interesa personale”, – theksoi Lideri i LSI-së.
Në fund z. Meta tha se gjëja e parë që do të bëjë Kryetari i ri i bashkisë së Vorës, z. Luan Sallaku, është transparencë për çdo qindarkë kontribut që japin qytetarët dhe bizneset për pushtetin vendor.
“Gjëja e parë që do të bëj Luan Sallaku si kryetar i Bashkisë së Vorës, është transparenca për çdo qindarkë kontribut që jep komuniteti këtu, që japin bizneset në territorin e bashkisë së re të Vorës, dhe që jep qeveria shqiptare dhe donatorët e huaj në mënyrë që i gjithë komuniteti të jetë pjesëmarrës në vendimmarrjen që bëhet për çdo të ardhur, për çdo shpenzim, për çdo investim që çdo gjë të shkojë në interes të këtij komuniteti të mrekullueshëm”, – deklaroi z. Ilir Meta duke shtuar se Kryeministri z. Edi Rama do të jetë garanti i një transformimi shumë të madh edhe për Bashkinë e re të Vorës.
Duke marrë fjalën, z. Edi Rama tha se bashkia është si një shtëpi e përbashkët që siguron familjen të ketë një jetë më të qetë. Kryetari i PS-së theksoi se duke investuar votën për kandidatët e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, investohet për një mundësi më të madhe bashkëpunimi me qeverisë dhe pushtetit vendor për këto çështje.
“Bashkia është shtëpia e përbashkët që siguron që familja brenda mureve të shtëpisë të ketë një jetë më të qetë sepse ka bashkinë në krah që i siguron shërbime cilësore për fëmijët , për më të moshuarit, për prindërit e kështu me radhë. Duam që tua bëjmë shumë të qartë të gjithëve që duke investuar votën për kandidatët tanë, investojmë për një mundësi më të madhe bashkëpunimi me nesh dhe kandidatëve tanë për këto çështje, – tha z. Rama. – Në fund të fundit këtu bëhet fjalë për të zgjedhur një shërbëtor, nuk bëhet fjalë për të zgjedhur kryetarin e PD-së. Kryetarin e PD-së ata e vendosin vetë, e kanë, e duan, nuk e di kush është tamam, por gjithsesi ai që e di unë, është ai që e dinë dhe ata, pavarësisht se ata thonë që nuk është ai. Këtu është fjala kush do të jetë Kryetari i Bashkisë, kush do të jetë njeriu që do t’i shërbejë komunitetit. Pra demokratë të dashur zgjidhni shërbëtorin. Shërbëtori mund të jetë vetëm Luani, shërbëtor mund të jetë vetë kandidatët e ‘Aleancës për Shqipërinë Europiane’. Ne këtë punë e bëjmë me pasion dhe me këmbëngulje dhe dimë ta bëjmë”, – deklaroi ndër të tjerash z. Edi Rama.
Ndërsa, kandidati “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për Bashkinë e Vorës, z. Luan Sallaku deklaroi se programi i tij synon që ta kthejë Vorën në një qytet të vërtetë dhe një pjesë integrale të Tiranës dhe Durrësit.
“Unë jam njëri prej jush, jam lindur dhe rritur këtu në Vorë. Punoj këtu në Vorë dhe do të vazhdoj të punoj këtu në Vorë gjithnjë si njëri prej jush. E theksoj këtë fakt se edhe pas 21 qershorit kur unë do të jem kryetari i ri i Bashkisë së Vorës, unë do të vazhdoj të jem njëri prej jush, për t’ju shërbyer, për të punuar se bashku me ju, për ta bërë Vorën qytet. Që ta bëjmë Vorën pjesë integrale të hapësirë të metropolit Tiranë-Durrës, që ta bëjmë Vorën nga rrugë kalimi ku të gjithë kalojën dhe askush nuk e kthen kokën nga ajo, në një qendër të rëndësishme zhvillimi, në një qendër të rëndësishme shërbimesh, në një qendër të madhe punësimi”, – tha z. Sallaku.
Më tej, kandidati i Aleancës për Shqipërinë Evropiane theksoi se Vora ka 12 vite në udhëkryq dhe është marrë peng nga një kryetar bashkie që nuk ka asnjë projekt dhe asnjë perspektivë për qytetin.
“Vora ka plot 12 vjet që drejtohet nga i njëjti njeri, ka 12 vjet me të njëjtin kryetar, ka 12 vjet marrë peng nga Fiqiri Ismaili, pa asnjë projekt, pa asnjë investim, pa asnjë perspektivë. Vora ka 12 vjet në udhëkryq. Motra dhe vëllezër, 21 qershori është dita juaj, 21 qershori është dita e gjykimit edhe për Gërdecin, që pasi e vranë dhe e dogjën, edhe e vodhën. Prandaj më 21 qershor ne të gjithë së bashku do t’i themi ndal 12 viteve abuzim, 12 vite shpërdorim dhe vjedhje, 12 vite e fiqoksinës, – deklaroi z. Sallaku. – Me 21 qershor do ta kthejmë Vorën në drejtimin e duhur, në drejtim të interesit të qytetarit. Motra dhe vëllezër, unë do të jem një kryetar për t’u shërbyer, do të jem një kryetar për të gjithë banorët e Vorës pa dallim. Bashkia e Vorës pas 21 qershorit do të jetë modeli i bashkëveprimit me qytetarin. Do të jetë shembulli i transparencë për qytetarin të cilën në mënyrë periodike do të informojmë për çdo projekt, për çdo vendim dhe për çdo qindarkë. Ne ecim me shpejtë së bashku, të fitojmë së bashku, të ndërtojmë Vorën qytet modern së bashku, të bëjmë bashkinë e Vorës ashtu siç e duan qytetarët e saj”, – u shpreh kandidati i ASHE-së, z. Luan Sallaku.