Nga Edi Rama
(Fjala e plotë në Asamblenë e Partisë Socialiste)
Uroj që të gjithë ju, sëbashku me të gjithë anëtarët e familjes sonë të madhe politike të keni një Vit të Ri të gëzuar, me shëndet dhe mbarësi në familjet tuaja!
Ky në fakt është një takim i pazakontë, në një kohë të pazakontë të vitit për mbledhje partie, në një moment të pazakontë për këtë familje, e cila ka përgjegjësinë të kujdeset për shtëpinë e madhe të shqiptarëve, Shqipërinë.
Por e pazakontë është edhe mundësia që na ka dhënë në këtë fund viti, protesta e studentëve. Një mundësi e mirëseardhur në formën e një reagimi shumë kuptimplotë në emër të një jete më të mirë universitare, por, njëkohësisht, edhe në emër të besimit te ne dhe tek unë si i pari i kësaj familjeje.
Përtej halleve nëpër plot familje, vështirësive të lloj-llojshme në mjediset mësimore, kushteve shpesh të rënda në konvikte, indiferencës dhe mosbesimit ndaj politikës, pjesa dërrmuese e atyre vajzave dhe djemve, edhe kur çirreshin mu përpara fytyrës time, “turp, turp, turp” në oborrin e Universitetit “Ismail Qemali”, shihnin dhe shohin në drejtimin tonë, sepse jemi për ta mundësia e vetme për zgjidhjen e kërkesave të tyre.
Ata na dhanë një shuplakë, e cila mua më përvëlon njësoj si ditën e parë dhe unë zgjodha t’iu kthej atyre faqen tjetër, jo pse kanë të drejtë në të gjitha ato që kërkojnë, aq më pak kanë të drejtë në mënyrën si i kërkuan, ndonjëherë dhe jashtë çdo norme elementare të mirësjelljes së mësuar në familjen më të zakonshme shqiptare.
Iu kam kthyer faqen tjetër, sepse, në thelb, përtej formave të shfaqjes, ata kanë të gjithë të drejtën të jenë të acaruar me ne, përderisa nga ne dhe askush tjetër presin shumë më tepër. Ndërsa nga të tjerët, jo s’presin asgjë, por i kanë sikterisur larg vetes, madje duke i përçmuar publikisht.
E pra, kjo pritshmëri e madhe e atij brezi, të lindur dhe të rritur në Shqipërinë e rrumpallës më totale në historinë e arsimit shqiptar, është një ndër gjërat më prekëse, tronditëse dhe frymëzuese njëkohësisht, që unë personalisht kam përjetuar në jetën time politike. Secili prej tyre në rrugën e Ministrisë së Arsimit mund të ishte fëmija im, i lindur pas rënies së komunizmit dhe i rritur në një vend të trazuar deri në qelizën e fundit të qenies së vet. Një vend ku:
Me të gjithë monumentet e diktatorit ranë të gjitha shtatoret e gjalla të mësuesve;
Me gjithë shtetin totalitar ranë totalisht të gjitha rregullat e jetës shkollore dhe studentore;
Me gjithë lirinë dhe demokracinë, erdhi dhe marramendja më e madhe kolektive dhe individuale që ka përjetuar ky vend ndonjëherë, pjellë e së cilës është fiks brezi i kësaj proteste.
Ky brez është pasqyra më besnike e politikës së bërë për çerekshekulli për zgjedhjet e radhës, jo për gjeneratat e tjera.
Ky brez është mishërimi më popullor i politikës së bërë për ta marrë dhe mbajtur pushtetin, pa menduar, pa guxuar, pa punuar, për të ndërtuar shtetin.
Ky brez paguan sot për reformat që nuk u bënë kur këta djem e vajza 20-vjeçarë vinin në jetë në këtë vend, kur njerëzit jetuan për 20 e kusur vite duke ngrënë të drejtat e njëri-tjetrit, duke marrë pronat e njëri-tjetrit, duke vjedhur dritat e njëri-tjetrit dhe duke fajësuar njëri-tjetrin nën shembullin udhëheqës të politikës që mendoi vetëm për vezën e vet sot dhe kurrë për pulën e të gjithëve mot.
Ky brez është fëmija që vuan deformimet e sëmundjeve të tranzicionit të pafundmë, të cilit ne i kemi dhënë fund në shumë drejtime, por shumëkund, deri më tash, vetëm në letër.
Ne i kemi dhënë fund tranzicionit kur thamë: “Stop, dritat, nuk vidhen më!
Por edhe kur kaluam ligjin për Arsimin e Lartë i kemi thënë fund tranzicionit.
Ama, ndryshimi është se dritat nuk vidhen më.
Tranzicioni ka mbaruar.
Ndërsa universiteti ka ligjin në letër, por jo ende ligjshmërinë në jetën e vet të përditshme.
Tranzicioni vazhdon.
Në drejtësi, e njëjta gjë.
I kemi thënë fund tranzicionit dhe jemi në një proces të ndërmjetëm mes tranzicionit dhe fundit të tij.
Në qeverisjen e territoreve i kemi thënë fund tranzicionit dhe jemi në një kohë të ndërmjetme mes tranzicionit dhe fundit të tij.
Në një kohë të ndërmjetme jemi te pensionet.
I kemi thënë fund tranzicionit me reformën e pensioneve, por sot, në botën e pensionistëve, tranzicioni vazhdon për pjesën më të madhe të tyre.
E njëjta gjë me pronën.
I kemi thënë fund tranzicionit në letër, por koha e pronës mbetet një kohë e ndërmjetme mes tranzicionit dhe fundit të tij.
Dhe kështu e ndërmjetme është në shumë aspekte koha shqiptare, pasi ne e morëm kurajon ta shikojmë në sy të vërtetën e thjeshtë dhe të dhimbshme të politikës së bërë për vezën sot, pa menduar kurrë për pulën mot, të politikës së bërë për ta marrë dhe mbajtur pushtetin, duke u shkelur syrin të gjithë shkelësve të ligjit dhe gjeneruesve të tranzicionit të pafundmë, por, nga ana tjetër, zbatimi dhe realizimi në jetën e përditshme i të gjitha atyre fjalëve “fund”, “fund”, “fund” që kemi thënë në letrat e ligjeve është një sfidë që vazhdon.
Sot, ne akuzohemi, unë akuzohem pse akoma askush nuk është në burg, pse akoma drejtësia është e padrejtë dhe pse akoma prokurorë dhe gjykatës që e kanë kuptuar që tek vetting-u kanë dhe fundin e karrierës së tyre vazhdojnë të godasin të drejta dhe vazhdojnë të rrëmbejnë ëndrra dhe shpresa njerëzish.
Mirëpo, nga ana tjetër, jemi në një kohë të ndërmjetme dhe s’na mbetet asgjë, përveçse të ulim kokën dhe të punojmë me bindjen se e nesërmja, në mos e sotmja do të na japë të drejtë, për sa kohë kemi të drejtë dhe për sa kohë jemi të drejtë.
Nga ana tjetër është shumë e qartë se ajo që ka prekur të gjithë botën, si një sëmundje e alergjisë së përditshme ndaj fakteve, ka prekur edhe realitetin tonë.
Për pak ditë hyjmë në vitin e ri, ku 16 mijë vetë do të paguajnë 300 mijë lekë taksa më pak në vit, në vazhdën e lehtësimit të barrës së taksave, në një vend ku çdokush ankohet se paguan shumë taksa, se po mbytet me taksa dhe se taksat po i nxijnë jetën.
Fakti është që sot, puna në Shqipëri taksohet mesatarisht 5.5%.
Dje, puna në Shqipëri taksohej 10%.
Sot, të gjithë ata që marrin një rrogë në shtet, ose në privat, deri në 1.5 milionë lekë paguajnë më pak taksa nga fitimi, se saç paguanin dje.
11 mijë biznese do të paguajnë 3 herë më pak tatim fitimi nga 1 janari i vitit që po vjen dhe tavani i biznesit të vogël do të shkojë nga 80 në 140 mijë dollarë. Nga 80 në 140 mijë dollarë gjendet njëra nga fashat më aktive të ekonomisë sonë në drejtim të punësimit dhe të vetëpunësimit.
Më parë paguanin 10%.
Deri sot paguanin 15%.
Nga 1 janari do të paguajnë 5%.
Jemi e vetmja ekonomi në rajon, ku 91% e atyre që merren me biznes paguajnë vetëm 5% taksë. E vetmja. Në të gjithë rajonin është dyfishi, ose edhe më lart.
Në 1 janar nuk ka më taksë mbi Vlerën e Shtuar për të gjitha inputet bujqësore.
Të gjithë fermerët në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë do të kenë kostot më të ulëta që kanë pasur ndonjëherë të prodhimit.
Kursi i këmbimit sot, leku s’ka qenë asnjëherë më i fortë sesa sot, në këto 5 vite të fundit dhe jemi në situatën kur konsumi, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, vazhdon rritet dhe nuk mund të thotë më askush, që rritet nga kanabisi. E solla në vëmendje qëndrueshmërinë e monedhës dhe rritjen e konsumit, se, normalisht, në një kohë protestash gjithmonë janë dy pikat ku reflektohet menjëherë tërheqja e konsumatorit.
Sipas Bankës së Shqipërisë, jo sipas nesh, të ardhurat nga vizitorët e huaj në Shqipëri në 9 muajt e parë të këtij viti janë rritur me 158 milionë euro, krahasuar me vitin e shkuar.
Në 5 vite, të ardhurat nga vizitorët e huaj në ekonominë tonë janë rritur me 55%, sipas Banës së Shqipërisë.
Ashtu sikundër, sipas Bankës së Shqipërisë, shqiptarët udhëtojnë çdo vit e më shumë jashtë shtetit dhe patjetër që kjo pasqyron gjendjen e tyre financiare, s’ka sesi të mos lidhen të dyja bashkë.
Në 9-mujorin e parë të 2018-ës, shqiptarët shpenzuan 136 milionë euro më shumë për të udhëtuar jashtë vendit, krahasuar me një vit më parë. Këtu Banka e Shqipërisë nuk llogarit ata që vijnë dhe ikin, por ata që jetojnë në vendin tonë.
Në 3-mujorin e tretë të këtij viti, në Shqipëri janë të regjistruar si të punësuar 1 232 666 vetë. 262 mijë vetë më shumë të punësuar se në 3-mujorin e parë të vitit 2014.
Kjo është për ata që thonë, “ku i keni 300 mijë vendet e punës”. Por vendet e punës as kanë gojë të flasin dhe as bëjnë lajm për të dalë në televizor.
Edhe tregtia me pakicë, sipas Bankës së Shqipërisë, është rritur krahasuar me një vit më parë.
Nga ana tjetër jemi vënë nën akuzë të vazhdueshme për përqendrimin e ekonomisë në pak duar, për transformimin e pushtetit të dalë nga një shumicë me vokacion në krahun e zemrës majtas, në duart e një grushti oligarkësh.
Mirëpo, çfarë thonë shifrat dhe faktet?
Shifrat thonë se shoqëria shqiptare, sot është më e drejtë, seç ka qenë ndonjëherë më parë, pavarësisht se problemi ynë themelor mbetet krijimi i një shoqërie të drejtë dhe pavarësisht se në përmbajtjen e vet, padrejtësia është një komponente më e fortë sesa drejtësia në të gjithë sistemin tonë të funksionimit. Kjo nuk diskutohet.
Por, ama, gjithmonë referuar pikënisjes, sot, të dhënat thonë se depozitat e depozituesve të vegjël, atyre që kanë një vlerë depozite deri në 25 milionë lekë të vjetra, kanë peshën më të madhe në totalin e depozitave se asnjëherë më parë.
Shifrat thonë se inflacioni i mbajtur jo më shumë se 2% gjatë gjithë periudhës sonë ka pasur ndikimin më të ulët historik në shtresat e varfra, pasi në trend janë ndikuar më pak nga shtrenjtimi i jetesës.
Vijmë tek kompanitë.
Kompanitë që paguajnë tatim fitimi me qarkullim vjetor mbi 8 milionë lekë në vit janë rritur në 10% në pesë vite. Sot kemi 22 mijë kompani të tilla dhe pesha që zë fitimi i përbashkët i tyre është e konsiderueshme.
Nëse analizojmë kompanitë e mëdha rezulton se pesha e fitimit të 10 kompanive me fitimin më të madh, kundrejt fitimit të të gjithë kompanive sëbashku, është në rënie me 30% të fitimeve në vitin 2013, në 20% në vitin 2017.
E njëjta gjë më të mëdhenjtë. 100 kompanitë më të mëdha, kundrejt fitimit të të gjithë kompanive sëbashku, janë në rënie nga 55% në 45%.
Kjo do të thotë se brenda të gjithë organizmit të ekonomisë ka baraspesha, qartësisht, edhe pse jo mjaftueshmërisht të ndryshuara, në funksion të një shpërndarjeje më të drejtë. Pra, nuk kemi – shifrat nuk e thonë, faktet nuk e tregojnë, – absolutisht asnjë lloj përqendrimi të fitimeve në një pakicë gjithnjë e më të vogël.
Dhe ajo që është më e rëndësishmja, kompanitë e mëdha, 100 më të mëdhenjtë, paguajnë sot më shumë taksa sesa paguanin deri dje dhe pesha e tyre në të ardhurat e buxhetit është më e madhe sesa ishte deri dje.
T’ju jap një shembull lidhur me politikat fiskale të ndjekura dhe një shembull për ato që quhen ndryshe taksa të konsumit, që rëndojnë më shumë tek ata që kanë më pak dhe që kanë të ardhura më të ulëta, sepse janë taksa që i paguajnë të gjithë njësoj. Ilustrimi më tipik është heqja e taksës mbi ilaçet dhe shërbimet mjekësore.
Në vitin 2010, shqiptarët paguanin 56% të totalit, sot 46% të totalit. Një nga shembujt.
Edhe vetë brenda taksave direkte ndryshimi është qartësisht i dukshëm.
Thënë të gjitha këto, lidhur me faktet, sepse faktet nuk bëjnë lajm, nuk entuziazmojnë, nuk bindin, madje, në të shumtën e herës, faktet acarojnë për një arsye shumë të thjeshtë. Sepse njerëzit meritojnë të jetojnë shumë më mirë se kaq dhe sepse njerëzit presin nga ne shumë më tepër se kaq. Ky është fati dhe mallkimi ynë.
Për sa kohë ne do të qeverisim, do të ketë gjithmonë më mirë dhe njerëzit do të jenë gjithmonë të pakënaqur, por ama për sa kohë ne do ta bëjmë këtë me të gjithë vullnetin dhe ndershmërinë tonë, ata, pavarësisht se do të jenë të pakënaqur, njësoj si ata studentë në rrugë, do të na kërkojnë neve që të adresojmë problemet e tyre. Ndërsa kur qeverisin ata të tjerët, ka gjithmonë më keq dhe mjafton që të mos hash një plumb rikoshet, kur del për të parë një protestë dhe jeta është OK!
Ky është ndryshimi! Ky është fati dhe mallkimi ynë! Ne duhet të jetojmë në mënyrë të përditshme me ndjenjën shumë të fortë të të dyja këtyre bashkë dhe me bindjen se këto të dyja bashkë duhet t’i adresojmë në mënyrë të përditshme, pa menduar në asnjë moment se e kanë fajin ata që nuk na kuptojnë, ata që nuk lexojnë faktet, ata që nuk iu referohen shifrave. Ata nuk kanë detyrë të na kuptojnë, të lexojnë faktet, t’iu referohen shifrave. Ata kanë të gjithë të drejtën e tyre të na shohin në sy e të kërkojnë nga ne më shumë, çdo ditë.
Për të shkuar më tej, dua të prek atë që nuk shkon, atë që ne, duke u nisur nga kjo vetëdije, duhet të bëjmë nëse duam që ajo që sot është revoltë e lidhur me besimin tek ne, të mos kthehet në revoltë nga humbja përfundimtare e besimit tek ne.
Le të kthehemi tek universiteti, është një shembull tipik.
I kemi dhënë fund tranzicionit me ligjin e Arsimit, por s’kemi bërë absolutisht atë që duhet lidhur me ligjshmërinë. Pra, gjithë baza e shkruar më së miri në ligjin e Arsimit të Lartë, që hap një epokë të re për universitetin, është ende në pjesën më të madhe në letër. Ajo që është sa e dukshme, aq edhe tronditëse, është se nuk kemi bërë aktet nënligjore, përsëri letër.
Kemi humbur kohë për të bërë aktet nënligjore. Cili është justifikimi për këtë?
S’ka justifikim!
Cili është shpjegimi për këtë?
Shpjegimi për këtë dhe për shumë të tjera si kjo është që ne nuk kemi opozitë. Dhe mungesa e opozitës na ka mpirë një pjesë të shqisave dhe na ka ulur një pjesë të kapaciteteve tona reaguese dhe të kapaciteteve tona udhëheqëse. Shumë më kanë bërë pyetje, ma kanë bërë mua nëpër auditorë: Pse tani? Pse nuk i bëtë këto më përpara?
Në sistemin ku jetojmë, organizmi i sistemit është i tillë që funksionon në bazë të tensioneve të krijuara mes njërës palë dhe palës tjetër dhe mbas presioneve që vijnë nga poshtë. Kjo është edhe arsyeja, pse qysh ditën e parë të këtij mandati dhe në mënyrë të përditshme kam këmbëngulur që vakumi që kemi përballë, aty ku duhet të kishim opozitën, është kërcënimi më i madh për objektivat tanë. Boshllëku që kemi përballë është rreziku më i madh për realizimin e qëllimeve tona. Ajo lloj opozite që, edhe kur vjen në Parlament, paraqitet si një konglomerat muskujsh, si një trup i hallakatur ku nuk ke përballë njerëz, por ke përballë gjymtyrë që synojnë të godasin, që synojnë të krijojnë situata fizike, është burimi më i madh i rreziqeve tona, sepse na krijon komfortin e të qenit e vetmja zgjidhje, e vetmja rrugë, e vetmja alternativë, e vetmja mundësi.
Por jo, për sa kohë unë ta drejtojë këtë parti, kurrë nuk do ta pranojë që ne të jemi e keqja më e vogël!
Ne s’mund të jetojmë si e keqja më e vogël dhe ne nuk mund të jetojmë për zgjedhjet e radhës. Nuk jetuam për zgjedhjet e radhës në mandatin e parë, nuk shitëm qëllimet dhe nuk tregtuam objektivat në mandatin e parë. Madje patëm gjithë gatishmërinë ta rrëzojmë qeverinë e koalicionit për shkak të Reformës në Drejtësi, sepse Reforma në Drejtësi ishte më e rëndësishme sesa pushteti ynë dhe fituam zgjedhjet vetëm më pas, sepse njerëzit janë shumë më të mençur se sa duken nga lartësia e arenës politike.
Ne nuk mund të pajtohemi për asnjë moment me një mënyrë qeverisuri që kënaqet me pak. Me një mënyrë të qeverisuri që nuk ka brenda shpirtin e protestës ndaj sistemit që kemi trashëguar, që nuk ka brenda reagimin instiktiv, të përditshëm, ndaj mekanizmave të korruptuar dhe të degraduar të sistemit që kemi trashëguar dhe që duhet të vazhdojmë të reformojmë.
Mandati i dytë është mandat për një Rilindje 2.0, jo një mandat për të vazhduar inercinë e asaj që kemi bërë dhe për të lënë në mes rrugën mes thënies: “Mjaft tranzicionit në letër!” dhe thënies: “Stop tranzicionit në realitet!”
Kam folur disa herë në këtë Asamble. Fjalët e mia kanë rënë në vesh të shurdhër. Qeveria nuk janë ministrat. Qeveria e Partisë Socialiste janë të gjithë ata që na përfaqësojnë në territor.
Më vjen shumë mirë dhe kjo është një nga gjërat më të mirëseardhura të protestës së studentëve, që na u dha mundësia që me një vendim qeverie të hapim të gjitha vendet e punës në dispozicion, qoftë në Shërbimin Civil, qoftë në administratën shtetërore, për ata me 9-ta dhe 10-ta. Ata me 9-ta dhe 10-ta, që kanë mbaruar më parë dhe që janë rrugëve, që mund të jenë jashtë, apo mund të jenë në Shqipëri dhe ata me 9-ta me 10-ta, që janë në pritje për të mbaruar shkollën. Kështu që harrojeni përfundimisht që do ketë më miq, shokë, krushq, vëllezër, motra, xhaxhallarë, kunata, teze, që do të futen në administratën shtetërore. Harrojeni!
Partia Socialiste nuk mund të kthehet në opozitë për shkak të krushqve, tezeve, motrave, xhaxhallarëve, grave, kunatave e të gjitha me radhë. Harrojeni!
Ose bëni një gjest të thjeshtë, ikni nga Partia Socialiste dhe pastaj do të merremi t’ju rregullojmë në punë të gjithë farefis. Ikni! Lërini forumet, karriget, mandatet, lërini të gjitha dhe pastaj keni të gjithë të drejtën e Zotit të thoni “më rregullo familjen”. Por, nëse keni marrë mandat përfaqësimi, mandatin e përfaqësimit e keni për të gjitha familjet, e keni për të gjithë ata, për të cilët, kur shkojmë i takojmë, u themi “vota jote është detyrimi im”.
Është shumë e mirëseardhur ajo që kanë kërkuar studentët dhe është shumë tronditëse ajo që është baza e të gjithë mosbesimit të tyre. Ata nuk besojnë dhe kanë të gjithë të drejtën të mos besojnë se mësimet, rezultatet e mira do t’iu japin nesër mundësinë të hynë në administratë, do t’iu japin nesër mundësi të kenë vendin që iu takon, për t’i shërbyer vendit të tyre.
Ky është momenti i parë i kthesës së madhe që ne do të bëjmë. Të gjithë sëbashku, ose me të gjithë ata që janë dakord me këtë. Kush nuk është dakord me këtë, le të shkojë të bëjë një parti tjetër. Për këtë ia vlen të lihet edhe pushteti, nëse, – që unë nuk e besoj kurrë, – pushteti na qenka derivat i atyre metodave skandalozë të tepsisë që kanë infektuar edhe PS-në.
Ajo sëmundje nuk ka lidhje me ne, nuk ka lidhje me atë që themi e me atë që jemi.
Ajo sëmundje është armiku që ne do të luftojmë bashkërisht.
Do të shpallen të gjitha vendet e punës në Shërbimin Civil dhe pa asnjë konkurs e procedurë. Kush ka 9-ta dhe 10-ta, sipas radhës, do të zgjedhë vendin në ministri, agjenci, hipotekë, ALUIZI-n, ku të dojë, voton për ne, apo s’voton për ne, është djali i kryetarit të PS-së, apo është djali i kryetarit të PD-së, del në fushatë, apo s’del në fushatë për kë ti dojë kokrra e qejfit. Ne na duhet dija e tij apo e saj, nuk na duhet fare se për kë voton.
Dhe mos ta diskutojmë më këtë gjë!
Ashtu sikundër ndjenja e uzurpimit është që shkon paralelisht me ndjenjën e padrejtësisë. Partia Socialiste nuk mund të shihet nëpër territore si një forcë uzurpatore e atij pushteti në territor. Nuk mund të shihet si forcë uzurpatore e hipotekave, e ALUIZNI-t, e ISSH-ve, e rr, rr, rr-ve dhe da, da, da-ve.
Kjo do të mbarojë!
Siç i kemi dhënë fund tranzicionit, jo vetëm me letra, por edhe me fakte, në rekrutimin e mësuesve dhe i kemi dhënë fund tranzicionit në rekrutimin e mësuesve përpara zgjedhjeve dhe mësuesit na votuan më shumë se asnjëherë tjetër në vitin 2017, jo sepse u bënë anëtarë të PS-së, por sepse më në fund shpëtuan nga persekutimi politik, nga emërimet dhe çemërimet politike, nga mafiet e vogla provinciale të partive politike.
Siç i kemi dhënë fund për infermierët.
Sot nuk hyn dot në punë, as si mësues, as si infermier, në rast se nuk ke pikët që duhet kur të vjen vetëm radha. Këtë gjë do ta bëjmë në të gjitha nivelet dhe për gjithkënd.
Kjo është të jemi partia e gjithë shqiptarëve.
Kjo është të jemi qeveria që punon për të gjithë shqiptarët.
Kjo është të adresojmë atë boshllëkun e frikshëm që ka lënë mungesa e opozitës.
Unë dua që secili ta marrë këtë përsipër.
Ashtu sikundër liria e sipërmarrjes nuk mund të jetë e lidhur me asgjë tjetër, përveçse me këdo që bën sipërmarrjen. Në të gjitha aspektet kemi bërë hapa të rëndësishme për ta çliruar sipërmarrjen, por ka ende akoma shumë për të bërë, për ta çliruar dhe ka shumë arsye për të qenë të acaruar.
Kanë shumë arsye të gjitha shtresat e kësaj shoqërie të jenë të acaruara dhe të pakënaqura me ne. Por lavdi Zotit e kërkojnë nga ne, atë që duan!
Ky është momenti më fantastik i kujtdo që merret me politikë, të jetë i sfiduar në vazhdimësi nga acarimi dhe nga besimi i atyre që, njësoj si fëmija që shkon dhe i bie me grushte dhe shqelma prindit, kur atë e ka zënë gjumi dhe i thotë “çohu” – na e bëjnë njerëzit në territor.
Partia në territor është koha të ndryshojë rrënjësisht. Kemi kaq vite që bëjmë një teatër që duhet të mbarojë. Kemi kaq vite që mblidhet Asambleja, bëjmë ato formularët, përcaktojmë formën e organizatës së partisë. Themi që duhet të ketë kaq me shkollë të lartë, kaq gra. Themi që çdo organizatë duhet të reflektojë atë komunitet. Themi që organizatat nuk duhet të jenë të kushërinjve të një fisi dhe për inat të atij fisi, të gjithë fiset e tjera shkojnë e votojnë parti të tjera, sepse është një fis që ka kap organizatën.
I themi të gjitha këto dhe jeta vazhdon sikur nuk ka ndodhur asgjë.
Kjo do të marrë fund dhe do të marrë fund duke ju thënë që kjo Asamble nuk mund të jetë më një forum statik, që zgjidhet një herë në 4 vjet dhe vihet në Asamble për të ndjekur fjalimet dhe mbushet Asambleja plot kur ka ndryshime qeverie.
Ne do të bëjmë Kongresin në mars dhe çdo anëtar i kësaj Asambleje do të duhet të tregojë në bazë të detyrave, atë që ka bërë, përndryshe nuk do të jetë më në Asamble.
Çdo anëtar i kryesisë të partisë do të duhet të tregojë detyrat që ka bërë përndryshe nuk do të jetë më në kryesinë e partisë.
Është një Kongres i radhës, por është një Kongres që do të lirojë nga detyra të gjithë anëtarët e Asamblesë, që deri në Kongres nuk do të adresojnë në atë pjesë që ju takon në vijën e frontit, ato që vendosen këtu. Ne nuk mund të perceptohemi si kastë dhe eksperienca jonë nuk mund të jetë alibi. Kur bëmë qeverinë e parë, shumëkush thoshte “janë pa eksperiencë”. Kur më pyesnin mua kush është cilësia më e mirë e ministrave të kabinetit tënd, u thoja se është mungesa e eksperiencës. Sepse mungesa e eksperiencës është një vlerë e jashtëzakonshme në momentin kur duhet të bësh gjëra, të cilat nuk janë bërë me vite dhe gjëra për të cilat ekspertët thonë jo nuk bëhet kjo, se e kemi provuar këtë dhe nuk bëhet.
Sot, eksperienca po na pengon, sepse ka filluar të bëhet alibi. “Ta shohim, ja ku jemi”, – nga deputetët e kam dëgjuar. Sa është rritur volumi i fjalës “ta shohim”. kur flisja me ministrat!
Por nuk është çështje thjesht ministrash, është çështje në territor, është çështje në administratën që përballet me publikun. Ne na duhet një parti e rrugës, një parti e lagjes, një parti e periferive, na duhet një parti e njerëzve. Na duhen përfaqësues që të dinë rrugën. Na duhen përfaqësues që të kenë brenda të gjithë nervin, pakënaqësinë, dëshirën, besimin, nevojën, shpresën e lagjes. Njerëz që janë të identifikuar me ta që janë në territor dhe që s’mund ta shikojnë këtë parti si një kastë televizorësh.
Dhe le të thonë çfarë të duan. Do të thonë të gjitha për arsyen e ndryshimeve që do të bëjmë. E vërteta është ajo që unë e kam shprehur në mënyrë të vazhdueshme me të gjithë kabinetin. E kam shprehur në mënyrë të vazhdueshme në të gjitha rastet. Qeveria materializon atë që është fuqia që e mban në këmbë partinë.
Njerëzit janë partia.
Partia duhet të jetë e njerëzve dhe jo thjesht e anëtarëve, por e njerëzve.
Ne kemi ministra që janë udhëheqës të qarqeve, që kanë bërë një punë të jashtëzakonshme dhe të suksesshme për zgjedhjet. Nëse do t’u bëjmë llogarinë sa ditë kanë kaluar si udhëheqës qarqesh, është deficit shumë i madh.
Kur filloi protesta e studentëve në rrugë, mora Elion. I thashë, Elio, çfarë bën, ku i ke ata të FRESSH-it? Aty tha, tek Ministria. Shumë mirë, edhe FRESH-i në protestë tek Ministria, fëmijët tanë. Domethënie, shumë e madhe, por nga ana tjetër ka ardhë koha që të nxjerrim një mësim nga eksperienca dhe nga çfarë dëgjuat nga studentët gjatë gjithë ditëve. Edhe ata që ishin të doktoreshës dhe të artistit thonin “nuk i duam forumet këtu”, se iu vjen turp të thonë jemi të forumeve. FRESH-i nuk mund te jetë më organizata ekskluzive e rinisë socialiste. FRESH-i mund të jetë një nga organizatat.
Ne do t’u japim mundësi të rinjve të organizohen si të duan. Ne do t’i japim mundësi edhe atyre studentëve që nuk duan të merren me parti, nuk duan të merren me politikë për qëllimet e tyre të organizohen dhe të regjistrohen si një grup interesi pranë nesh.
Forumin e gruas e dëgjoj vetëm kur ka zgjedhje dhe zihen gratë me njëra-tjetrën. Nuk e shoh as ku është dhe as çfarë bën. Nuk ka nevojë të ketë Forum gruaje, le të organizohen të gjithë si të duan. Pse duhet të kemi forumin e grave komuniste, për çfarë arsye? Vetëm zihen me njëra-tjetrën kur ka zgjedhje dhe bashkohen për 8 mars, sepse bëjnë sikur shkojnë shumë mirë me njëra- tjetrën dhe këtu mbaron. Për çfarë na duhet ne, forumi i grave komuniste, vetëm për sherr!
Ndërkohë që gratë i kemi integruar në Partinë Socialiste, i kemi integruar në qeveri. Ndërkohë që edhe qeveria e re sot do të ketë 50 % gra.
Pra, për çfarë na duhen?
Nuk na duhen më organizata ekskluzive, nuk na duhen më forume statike. Nuk na duhet më një parti që nuk riformatohet në territor në çdo organizatë, që nuk ngre rrjetin e koordinimit, që nuk rrjetëzohet me të gjitha grupet e interesit. Një parti që ka kapacitetin, jo të ndalojë një protestë, por ka kapacitetin t’u flasë njerëzve.
Kush shkoi t’u flasë njerëzve, gjatë gjithë kësaj kohe?
Askush!
Sepse askush nuk u fliste dot, as FRESSH-i, as gruaja, as partia, as deputeti, as ministri. E në këtë rast, edhe unë, po të isha si ata studentët, do të bëja të njëjtën gjë, me dallimin që do të thosha “dialog’, nuk do të thosha, “nuk dua të flas”. Vetëm këtë dallim.
Ama, ne nuk mund të presim më gjatë që të marrim të gjitha mesazhet, të gjitha mësimet nga kjo që kemi para syve. Është një mundësi e jashtëzakonshme, nuk është asgjë, përveçse një mundësi e jashtëzakonshme.
Nuk është një protestë për t’u mbyllur. Nuk është një protestë për t’u fashitur me llafe dhe për të larë gojën. Nuk është një protestë që duhet të ngelet tek ato kërkesat dhe ne duhet të mjaftohemi me faktin që në 7 janar do të dalin vetëm ata të doktoreshës, të artistit dhe të Qorrit. Nuk është fare kështu. Kjo protestë na ka dhënë diçka që ne duhet ta ruajmë dhe ushqejmë brenda vetes, frymën e reagimit me pakënaqësi të plotë ndaj vetes, në çdo aspekt.
Unë ju ftoj të gjithëve që edhe ndryshimin e qeverisë ta shikoni si pjesë të një reflektimi dhe të një kapërcimi të domosdoshëm, për ta kthyer këtë mandat në mandatin e rezultateve që do të na çojnë në fitoren e mandatit të tretë.
Studentët na kanë dhënë të gjithë mundësinë që ne të lexojmë se cila është rruga për të marrë mandatin e tretë, jo për vete, por për Shqipërinë dhe për të gjithë ata që do të jenë të acaruar gjithmonë me ne, por që duhet gjithmonë të besojnë tek ne. Nuk diskutohet që ministrat që largohen sot kanë një rol tejet pozitiv në gjithçka që ne kemi bërë dhe në transformimet që ne kemi sjellë.
Do të ishte absolutisht e pavërtetë, nëse do të thuhej që sot, ndryshimi vjen si rezultat i dështimeve. Jo! Ndryshimi vjen si rezultat i nevojës për të adresuar ato që thashë dhe të tjera akoma dhe i domosdoshmërisë për të zgjeruar kapacitetin tonë në qendër dhe në terren, kapacitetetin tonë qeverisës dhe kapacitetin tonë komunikues në çdo komunitet.
Ata janë një pjesë e mirë e udhëheqjes të Partisë Socialiste. Janë një investim strategjik i familjes sonë politike, janë një gjeneratë drejtuesish që ka shumë për t’i dhënë edhe kësaj familje, edhe Shqipërisë, në Parlament, në qeveri, prapë në të ardhmen.
Të gjithë ata që kanë 5 vjet në kabinet do t’ia lënë vendin të tjerëve. E për të gjithë, unë do të bëj një falënderim të posaçëm, duke ju thënë se për punën dhe rezultatet e gjithsecilit mund të mbaja një fjalë më vete, sepse janë punë dhe rezultate të çdo sektori.
Dua ta filloj me Linditën, sepse në asnjë mënyrë e vërteta nuk është ajo që duket në këtë moment, kur Lindita është vënë në qendër të ciklonit. E për më tepër s’dua që ta harrojë njeri se askush nuk kërkoi as ndryshimin e qeverisë, as ndryshimin e ministres
Reforma në Arsim është një nga reformat më të thella dhe më kuptimplota në adresimin e fundit të tranzicionit.
Fola për mësuesit; është padyshim meritë e lidershipit të Linditës. Librat; deri dje, fëmijët e këtij vendi futeshin në një xhungël librash që ishin dezinformues, mashtrues. 600 tekste u hoqën nga mësuesit me ato altertekstet e famshme, kur në fillim të rrugës, Shqipëria ishte çliruar në 28 nëntor, në fund të rrugës te shkolla tjetër ishte çliruar në 29 nëntor. Varej çfarë libri historie zgjidhte njeri e çfarë tjetri. Sot jemi në mbyllje të një cikli transformimi rrënjësor, ku fëmijët e Shqipërisë studiojnë me librat e Oxfordit, të Cambridge të Pearson.
Hyrja në universitet; më thoni, kush nga ju dhe cili shqiptar besonte se do të vinte dita që në universitetet e këtij vendi, njerëzit të mos hynin sipas statusit social , të mos hynin sipas xhepit, të mos hynin sipas partisë, por të hynin sipas meritës, sipas notës. Është sistemi që krijoi Lindita Nikolla.
Sistemi i hyrjes në universitet me platformën dixhitale, sistemi ku prej 2 vitesh nuk kemi asnjë ankesë. As edhe një. Nuk është metaforë, është fakt, sepse gjithsekush e shikon në ekran pozicionin e vet dhe askush nuk e parakalon dot tjetrin, le të jetë djali i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.
Edhe ligji për Arsimin e Lartë, që sot është bërë shënjestër, është një ligj që garanton fundin e tranzicionit në Arsimin e Lartë. Na duhet vetëm ta zbatojmë. Është meritë e Lindita Nikollës që ka udhëhequr projektin më të konsultuar me të gjithë. Ata që thonë që nuk e dinim e që nuk e kishim dëgjuar, janë tipikët që bëhen të interesuar, kur duan të kapin ndonjë copë për vetë. Ligji ka ardhur në Parlament, i mbështetur nga të gjithë rektoratet e nga të gjithë dekanatet. Imagjinoni, konsensus mes gjithë shqiptarëve të përfshirë në botën akademike. Patjetër ka pasur nga ata që e kanë kundërshtuar, normal, por sigurisht që paralelisht me gjithë këtë punë dhe paralelisht me gjithë këtë kontribut, ka shumë gjëra të tjera që presin për lidershipin dhe për kontributin e Linditës, që nga udhëheqja e një qarku ku ne duhet të fitojmë të gjitha bashkitë, në Lezhë, tek Kuvendi.
Besa Shahini do të zëvendësojë Lindita Nikollën. Besa Shahini është zëvendësministrja aktuale e Arsimit, është me një karrierë akademike, besoj që flet vetë për të dhe ka të gjithë kapacitetet për të marrë stafetën dhe për të çuar përpara reformat e për të rritur efikasitetin e punës së Ministrisë së Arsimit.
Arben Ahmetaj pa diskutim që ka një rol absolut në gjithçka që lidhet me shifrat domethënëse e me faktet domethënëse që për fat të keq e humbasin rëndom domethënien në vorbullën e kazanit dhe në atmosferën e acarimit legjitim që kanë njerëzit. Nuk dua të numëroj shumëçka është bërë, por dua të them vetëm që, nëse sot shifrat janë të atilla që Shqipëria pati një sukses në tregjet e kapitaleve në botë, me Eurobondin, merita kryesore i takon Ministrit të Financave.
Ministrja e re e Financave do të jetë Anila Adenaj. Anila është drejtuese aktuale e Fondit të Shërbimit Kombëtar Shëndetësor. Edhe ajo ka një eksperiencë të gjatë si financiere, eksperiencë ndërkombëtare dhe kombëtare.
Dhe për ministrat e rinj do të ketë kohë për të bërë prezantime më shteruese.
Ditmir Bushati ka pa diskutim edhe ai merita të pamohueshme në gjithë rrugën e deritanishme, në dinamikën e re të politikës sonë të jashtme, reputacionin e vendit në rajon dhe në kancelaritë europiane, shërbimet e reja konsullore, por është koha që Ditmiri t’i përkushtohet Shkodrës, me kohë të plotë dhe të japi kontributin e vet në Këshillin Kombëtar të Integrimit, ku ka gjithë eksperiencën dhe kapacitetet për të qene një vlerë e shtuar.
Gent Caka do jetë ministri i ri për Europën dhe Punët e jashtme. Është zëvendësministri aktual që ndjek integrimin dhe ai ka një eksperiencë akademike të shkëlqyer dhe besoj se e ka të gjithë kapacitetin për të marrë stafetën e për ta çuar më tej, punën e nisur.
Dua të them dy fjalë për Damian Gjiknurin, pasi, për fat të keq, ajo që ka ndodhur së fundmi ka errësuar padrejtësisht dhe përkohësisht gjithë kontributet dhe figurën e tij. Damian Gjiknuri është ministri që ka lënë një shenjë të pashlyeshme me reformimin rrënjësor të sektorit të energjisë dhe pavarësisht se çfarë mund t’i atribuohet lidershipit tim dhe kokëfortësisë time në atë drejtim, mund t’ju them pa asnjë lloj modestie se pa Damianin, ajo reformë do të ishte e pamundur. Nuk dua të fyhet asnjë koleg tjetër, por askush tjetër nga ministrat me të cilët kam punuar, nuk i ka kapacitetet e tij drejtuese dhe menaxhuese, askush.
Është një investim i padiskutueshëm i Partisë Socialiste dhe jam i bindur që dhe historia e mahisur politikisht e lotit të Unazës, ku një kompani doli me dokumente të falsifikuara, do zbardhet deri në fund dhe do provojë pafajësinë totale të ministrit. Në një familje, në një organizatë, në një vend, në një komunitet çfarëdo, njerëzit nuk mbajnë përgjegjësi për gjithçka ndodh, por mbajnë përgjegjësi për mënyrën sesi reagojnë kur gjërat ndodhin dhe dua t’ju them të gjithëve se një kompani, apo shumë kompani me dokumente të falsifikuara, nuk përbën absolutisht asnjë risi, as në Shqipëri, as në Amerikë, as në botë.
Ndryshimi në Shqipëri është se një kompani me letra të falsifikuara privatizoi një nga asetet më të mëdha strategjike të këtij vend në kohën e atyre që sot mblidhen bashkë me protestuesit profesionistë të administratës së Bashkisë Kamëz dhe bërtasin për vjedhjen 40 milionë dhe jo që nuk u hyri asnjë gjemb në këmbë, por as garancia e vendosur në kontratë nuk u mor. E sigurisht, mashtruesit ikën në drejtim të paditur, të ndihmuar nga ata me të cilët ishin të lidhur në krye të vendit. Në rastin në fjalë, reagimi ynë ka qenë i menjëhershëm dhe patjetër është fat që hetimet janë të dyanshme, janë në Shqipëri, janë dhe në Amerikë dhe do ta zbardhim deri në fund të gjithë zinxhirin e fajit. Pa diskutim, nuk ka se si të ndodhë ndryshe. Ndërkohë, ne po punojmë për të marrë garancinë nga kompania e sigurimeve, është rreth 2 milionë euro, në mos gabohem dhe me të do krijojmë një fond strehimi për banorët në nevojë që preken nga projektet e punëve publike.
Me radhë të gjitha, edhe gjatë këtij viti, për infrastrukturën aeroportuale, për ujin, për hekurudhën, janë të gjitha punë të bëra me shumë përkushtim, me shumë mençuri, në një trase që është e shtruar për pasardhësin, ndërkohë që pa diskutim, Damiani do të vazhdojë të bëjë me po aq përkushtim dhe jam i bindur edhe me shumë sukses, punën e tij si udhëheqës në Qarkun e Vlorës, ku nuk diskutohet që ne do t’i fitojmë të gjitha bashkitë dhe ku kemi nevojë të bëjmë një reformë të thellë të administratës atje. Një reformë të thellë për t’i dhënë çdo zyre, fytyrën e ambicieve tona për gjeneratën tjetër e për t’i dhënë çdo zyre, pasqyrën ku studentët protestues të Universitetit “Ismail Qemali” do donin të shikonin të ardhmen e tyre.
Ministrja e re e Infrastrukturës dhe Energjisë do jetë Belinda Balluku. Belinda është drejtorja aktuale e AlbControl dhe besoj që i ka të gjitha atributet për ta drejtuar me sukses Ministrinë e Infrastrukturës. Nuk po zgjatem me prezantime, sepse e njihni që të gjithë dhe e njohin që të gjithë.
Niko Peleshi ka qenë një bashkëpunëtor absolutisht që të gjithë do donin ta kishin. Unë pata fatin që e pata për katër vjet si zëvendëskryeministër e gjatë këtij viti e pak të mandatit të dytë si ministër të Bujqësisë.
Bledi Çuçi do zëvendësojë Niko Peleshin si ministër i Bujqësisë.
Ndërkohe që Nikos i bie barra të sjellë nga Qarku i Korçës një rezultat edhe më të mirë se ai i vitit 2017, sëbashku me të gjithë kontributet në Kuvend dhe në debatin publik.
Edhe Mirela Kumbaro besoj që meriton të gjithë respektin për një punë të madhe që është bërë. Është një përmbysje totale në të gjitha drejtimet. Trashëgimia kulturore sot është më nën kujdes se asnjë herë tjetër. Janë të panumërta monumentet e shpëtuara, edhe pse nuk diskutohet që asnjëherë nuk janë mjaft. Muzeumet e reja të ndërtuara. Teatrot që janë ndërtuar apo në ndërtim, që nga Art Turbina tek Teatri i Operës që është në rindërtim të plotë, Teatri Kombëtar. Të gjitha shifrat e frekuentimeve të të gjithë hapësirës kulturore janë në rritje.
Mirela do të zëvendësohet nga Elva Margariti, e cila është aktualisht këshilltare në Kryeministri dhe Koordinatore Kombëtare e projektit të 100 fshatrave, me një eksperiencë profesionale në fushën e arkitekturës, zhvillimit urban dhe trashëgimisë kulturore.
Më tutje dua të falenderoj Sonila Qaton për punën që ka bërë si ministre për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. Sonila do të lërë kabinetin për t’u angazhuar në një detyrë tjetër shumë të rëndësishme dhe në vend të Sonilës do vijë Eduard Shalsi, për t’i dhënë një shtysë të re atij pozicioni të Ministrit të Shtetit dhe besoj, edhe për të vënë në funksion të gjithë eksperiencën e tij me sipërmarrjen.
Do të rikthejmë ministrin për Marrëdhënie me Parlamentin. Besoj që është një domosdoshmëri. Unë dua ta them sot, shumë hapur, vlera më e madhe e luajalitetit ndaj Partisë Socialiste, në eksperiencën time si Kryeministër, është ky grup parlamentar që kemi sot. Jam shumë i keqardhur që ky grup parlamentar goditet shpeshherë në mënyrë barbare nga muskujt që kemi fatkeqësinë të kemi opozitë, por grupi parlamentar përbëhet nga njerëz me një sens përgjegjësie politike të lartë, me një sens luajaliteti të lartë, të cilët kanë merituar më shumë nga qeveria dhe nga çdo ministër. Jam i bindur, janë të kënaqur që shumë ministra do t’i kenë në gjirin e tyre për t’i rehabilituar nga pikëpamja e humanizmit dhe për të përfituar nga eksperienca e tyre. Por, në këto kushte, unë dëshiroj që Elisa Spiropali të bëhet ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin e të jetë një urë e vazhdueshme komunikimi mes të dyja palëve, si një deputete shumë aktive e grupit dhe si një kolege, të cilën e respektojnë dhe e vlerësojnë që të gjithë.
Tani, në fund fare, kam dhe një ndryshim që e konsideroj kyç.
Erion Brace do të jetë Zëvendëskryeministri i ri i qeverisë, sepse është koha që shumë nga ato që unë thashë, shumë të tjera që unë nuk i thashë dhe që ne i dimë, të adresohen, në radhë të parë, në kulturën dhe përkushtimin në shërbimin ndaj popullit, në shërbimet ndaj njerëzve. Erioni si Zëvendëskryeministër do ketë të gjithë autoritetin të ndjekë procesin e transformimit të shërbimeve, në shërbime për njerëzit, në shërbime dinjitoze dhe për të dhënë të gjithë kontributin e tij, besoj unikal, në pastrimin e administratës nga hajdutët, nga parazitët dhe nga gjithfarëlloj fundërrinash që vazhdojnë të cenojnë drejtpërdrejtë qytetarin, pa pikën e turpit, duke tundur lloj – lloj flamujsh, që nga flamuri i Partisë Socialiste, tek flamuri i krushqisë, tek flamuri i vëllazërisë, tek flamuri i radhës. Është koha që ndarja me këtë lloj qenieje të jetë drastike në çdo pjesë të territorit. Është koha që dimensioni i ri që ka krijuar Platforma e Bashkëqeverisjes të shtrihet e të kthehet në normë kudo, për këdo që guxon të cenojë një qytetar.
E po ashtu, Erioni do të udhëheqë zbatimin e programeve të veçanta, siç ka udhëhequr programin për adresimin e 8 kërkesave të studentëve dhe të gjithë atyre elementëve të tjerë që do të jenë në dokumentin e Paktit për Universitetin. Besoj që ai do të jetë edhe dokumenti i parë që si Zëvendëskryeministër, Erioni do të prezantojë publikisht, kur të jetë finalizuar në javët e para të janarit.
E falënderoj shumë Senidën për të gjithë kontributin e saj dhe besoj shumë që ka qenë një eksperiencë pozitive e dyanshme. Sikundër besoj që edhe Senida e kupton shumë.