• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Monday, January 12, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Mesha në Vatikan, Papa thotë emrat e martirëve shqiptarë të lumturuar dje

by Java News
06/11/2016 14:52
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Emrat e Martirëve shqiptarë, që u lumturuan dje në Katedralen e Shën Shtjefnit u shqiptuan përsëri: sot, para turmës shumëkombëshe, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, për t’u lutur me Papën, i cili sapo kishte përfunduar Meshën e jubileut të të burgosurve, duke kërkuar për ta një akt zemërbutësie.

“Dje, në Shkodër, në Shqipëri, u shpallën të Lumë tridhjetë e tetë Martirë: dy ipeshkvij, shumë priftërinj e rregulltarë, një seminarist e disa laikë, viktima të persekutimit të egër të regjimit ateist, që sundoi gjatë në këtë vend në shekullin e kaluar. Ata parapëlqyen burgun, torturat e, së fundi edhe vdekjen, për t’i qëndruar besnikë Krishtit e Kishës. Shembulli i tyre na ndihmoftë ta gjejmë, në Zotin, forcën që të mbështet në çaste të vështira e që të frymëzon sjellje mirësie, faljeje, paqeje”.

Ndërsa me rastin e ngjarjes historike të lumnimit të 38 martirëve të Kishës katolike shqiptare, l’Osservatore Romano, e përditshme e Vatikanit, botoi sot këtë artikull, shkruar nga Giovangiuseppe Califano, Postulator i përgjithshëm i Fretërve të Vegjël.

Tridhjetë e tetë martirët shqiptarë nuk janë të mundurit e historisë. Përkundrazi. E pikërisht sot u shpallën fitimtarë, përballë popullit të vet, duke i hapur udhë të reja e horizonte të reja shprese. Në këtë dritë duhet parë lumnimi i Imzot Vinçenc Prennushit, françeskan e kryeipeshkëv i Durrësit, dhe i 37 shokëve të tij, martirë të Shqipërisë. Ngjarje që i vë vulën, në këndvështrimin e fesë, persekutimit të dhimbshëm 50 vjeçar në shekullin e 20-të nga ana e regjimit komunist.

E sot, në Katedralen e Shën Shtjefnit, në Shkodër, u kremtua riti i lumnimit, i kryesuar nga kardinali Angelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, i dërguar i Papës Françesku.

Më 4 nëntor 1990, me kremtimin e Meshës në varrezën e Shkodrës, Kisha katolike e Shqipërisë dilte nga katakombet e rifillonte shpalljen publike të fesë, pas viteve të gjata të heshtjes së hidhur. Kujtimet e gjalla, treguar nga protagonistët dhe e vërteta e pakundërshtueshme e dokumenteve të zbuluara, hodhën dritë mbi ngjarjet, viktimë e të cilave qe Kisha katolike.

Në këtë atmosferë fitoi pjekurinë kërkesa për ta nderuar kujtimin e atyre, që u mbytën in odium fidei, nga urrejtja për fenë dhe për të nisur çështjen e lumnimit, për njohjen e martirizmit të tyre. Konferenca Ipeshkvnore Shqiptare, më 25 prill 2002, kërkoi zyrtarisht fillimin e procesit për një grup prej 38 shërbëtorësh të Zotit. Në listë ishin dy ipeshkvij, 21 priftërinj dioqezanë, dhjetë rregulltarë (tre jezuitë e shtatë françeskanë), si dhe katër laikë e një seminarist.

Mundësia për ta titulluar Çështjen me emrin e një kryeipeshkvi metropolit, u shfrytëzua për të nënvizuar përmasën korale të martirizimit të Kishës shqiptare, 38 martirët e së cilës përbëjnë vetëm një pjesë domethënëse të një numri shumë më të madh viktimash.

E kështu, imzot Vinçenc Prennushi (1885-1949), ndonëse sipas kronologjisë së ngjarjeve nuk qe i pari që dha jetën për Krishtin, u vu simbolikisht në krye të grupit të martirëve, për arsye të dinjitetit të tij kishtar si kryeipeshkëv e Primat i Shqipërisë. Dy herë provincial i fretërve të vegjël, u zgjodh ipeshkëv i Sapës në vitin 1936. I transferuar, më 1940, në selinë e Durrësit, që nga viti 1943 qe administrator apostolik i Shqipërisë së Jugut. Imzot Prennushi, pra, në këto çaste, ishte autoriteti më i lartë i Kishës katolike në Shqipëri. Kapja e dënimi i tij ishin themelore në strategjinë e sulmit kundër katolicizmit nga ana e regjimit komunist, aq më tepër se, së bashku me imzot Frano Gjinin, i qe kundërvënë çdo përpjekjeje për ta kombëtarizuar Kishën, duke e shkëputur nga Roma. I arrestuar dhe i burgosur në Durrës më 19 maj 1947, imzot Prennushi u dënua me 20 vjet heqje lirie. I mbylli sytë më 19 mars 1949, në burgun e Durrësit, i keqtrajtuar, i fyer, i torturuar.

Imzot Gjini, ipeshkvi tjetër në listën e 38 martirëve, i kishte dërguar kryeministrit Enver Hoxha dhe të gjitha ambasadave të akredituara në Tiranë, një letër, përmes të cilës protestonte kundër politikës antifetare të qeverisë. Qeveria iu përgjigj duke e dënuar me pushkatim dhe e pushkatoi në Shkodër, më 11 mars 1948, së bashku me rregulltarët Çiprian Nika e Mati Prendushi. Preteksti për kapjen dhe pushkatimin e françeskanëve qe akuza e rreme për fshehjen e armëve në kishën e tyre.

Aktet e 38 martirëve vijojnë nga viti 1945, deri më 1974, me episode mizorish të padëgjuara. Duke ndjekur kronologjinë, persekutimi sulmoi, në radhë të parë, personalitetet më të spikatura të botës katolike. Duke i zhdukur fizikisht, mendonte t’i jepte Kishës goditjen e vdekjes. Por të gjithë i bënë ballë në mënyrë shembullore martirizimit dhe dënimit të tyre të padrejtë: i mbartën torturat me shpirtin e durimit, me forcë e fe të vërtetë! Në çastin e vdekjes, i falën fajtorët dhe e lëshuan shpirtin në duart e Zotit.

Ndërmjet martirëve të rinj është edhe një vajzë: Marije Tuci, mësuese e re, që u arrestua si dëshirtare për jetë rregulltare ndër motrat françeskane stigmatine. E dënuar me tre vjet burgim, vdiq në burgun e Shkodrës më 24 tetor 1950, për shkak të keqtrajtimeve që pësoi edhe pse nuk i pranoi propozimet e vrasësit të saj. Martirizimi i Vashës ishte edhe pasojë e dëshirës për ta mbrojtur pastrinë nga dhuna e atij, që e përbuzte vendimin e rishtares për t’ia kushtuar virgjërinë Krishtit.

Të parët që u pushkatuan në mars 1945, ishin don Lazër Shantoja e don Ndre Zadeja. Pastaj i erdhi radha jezuitëve Gjon Fausti e Daniel Dajani, françeskanit Gjon Shllaku, seminaristit Mark Çuni e laikëve Gjelosh Lulashi e Qerim Sadiku, burrë i martuar e babë familjeje.

Për ta plotësuar numrin e atyre, që u dënuan me pushaktim në çaste të ndryshme, kujtojmë emrat e dom Alfons Trackit, Frano Mirakajt, laik e baba familjeje, don Jozef Marksen, don Luigj Prendushi, don Dedë Maçaj, don Anton Zogaj. don Dedë Malaj, don Marin Shkurti, don Shtjefën Kurti e don Mikel Beltoja.

Vdiqën në tortura, si pasojë e keqtrajtimeve, françeskanët Bernardin Palaj e Serafin Koda; jezuiti Gjon Pantalija, don Mark Gjani, don Dedë Plani, don Ejëll Deda, don Anton Muzaj, don Pjetër Çuni, don Lekë (Aleksandër) Sirdani, Papas Josif Papamihali, don Jak Bushati, françeskani Gaspër Suma, don Jul Bonati e don Ndoc Suma.

E nuk mungojnë as ata, që i shtuan martirizimit in odium fidei, edhe një privilegj të posaçëm: françeskani Karl Serreqi u arrestua në kulmin e veprimtarisë së tij baritore, pse nuk pranoi të tregonte sekretin e rrëfimit të një burri, që po jepte shpirt, i plagosur nga policia komuniste gjatë një shkëmbimi zjarri. Për këtë ‘faj’, iu nënshtrua torturave e u dënua me burgim të përjetshëm e me punë të detyruar. Vdiq në burgun e Burrelit, si Martir i Rrëfimit, për shkak të regjimit të padurueshëmn të jetës së burgut, më 4 prill 1954.
shqiptarja/d.i.

Next Post
Siri, forcat kurde nisin ofensivën në Raqqa

Siri, forcat kurde nisin ofensivën në Raqqa

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Në 2025-n në Shqipëri u importuan afro 100 mijë makina, mbi 55% e tyre prodhim i 8-15 vite më parë

Në 2025-n në Shqipëri u importuan afro 100 mijë makina, mbi 55% e tyre prodhim i 8-15 vite më parë

January 11, 2026
Fëmijët tanë nuk lindin me thikë në dorë

Nëse ky popull është harbut, kush është kryeharbuti?

January 11, 2026
Paketat dhe “vape”, më shtrenjtë prej 1 janarit/ Indeksimi i akcizës rrit çmimet e cigareve në vend

Paketat dhe “vape”, më shtrenjtë prej 1 janarit/ Indeksimi i akcizës rrit çmimet e cigareve në vend

January 11, 2026

Rreziku i një beteje të dështuar ndaj një drejtësie të dështuar

January 11, 2026
“Çfarë droge?’, reagon aktori turk Can Yaman: Nëse do të ishte e vërtetë, nuk do të isha liruar kaq shpejt

“Çfarë droge?’, reagon aktori turk Can Yaman: Nëse do të ishte e vërtetë, nuk do të isha liruar kaq shpejt

January 11, 2026
Në kërkim nga Interpoli, arrestohet në Kolumbi zvicerani që shtirej si shqiptar dhe trafikonte drogë drejt Europës

Në kërkim nga Interpoli, arrestohet në Kolumbi zvicerani që shtirej si shqiptar dhe trafikonte drogë drejt Europës

January 11, 2026
Gjenden të braktisur prej ditësh 3 fëmijë të mitur, policia i shoqëron në spital. Fqinjët denoncuan rastin pasi dëgjuan të qarat

Gjenden të braktisur prej ditësh 3 fëmijë të mitur, policia i shoqëron në spital. Fqinjët denoncuan rastin pasi dëgjuan të qarat

January 11, 2026
Drejtësi përmes ligjit, apo politikë përmes drejtësisë

Drejtësi përmes ligjit, apo politikë përmes drejtësisë

January 11, 2026
“Nëna 90 vjeçe lidhur me litar e pa zjarr!” Dellora e vërteton me foto, i përgjërohet vëllait: Do të të paguaj, veç rri me të

“Nëna 90 vjeçe lidhur me litar e pa zjarr!” Dellora e vërteton me foto, i përgjërohet vëllait: Do të të paguaj, veç rri me të

January 11, 2026
Fati në udhëkryq i nënës 90-vjeçare e të sëmurë/ E bija: Kur erdha nga SHBA e kam gjetur të lidhur me litar, pa ngrënë

Fati në udhëkryq i nënës 90-vjeçare e të sëmurë/ E bija: Kur erdha nga SHBA e kam gjetur të lidhur me litar, pa ngrënë

January 11, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In