Në “Ka Një Mesazh Për Ty”, rubrikën nga “E diela shqiptare” në Tv Klan, Valbona ka thirrur nënën e saj. Një ish-viktimë e trafikimit në moshën 18-vjeçare kur e rrëmbyen dhe e dërguan në Itali, sot ajo dëshiron t’i japë një falenderim njeriut që e solli në jetë dhe nuk e braktisi kurrë.
Valbona na rrëfeu vuajtjet dhe mendimin e vetëm në kokë ndërsa ndodhej në shtëpinë e tutorit të saj ku i vetmi njeri që dëshironte të shihte ishte nëna. Deri më sot ajo nuk është ndarë më kurrë prej saj, por Suzana meriton ta dëgjojë një falenderim me zë të lartë.
Valbona: Mami, unë jam njeriu më fatlum në botë që kam një mama si ti dhe sot të kam sjellë këtu në këtë program për të thënë që nuk ka gjë më të shtrenjtë në jetën time sesa ti dhe prania jote afër meje sepse më ke qëndruar pranë në momentet më të vështira të jetës sime dhe nuk më ke gjykuar kurrë, por ke qenë gjithmonë krahu i djathtë për mua, për çdo vendim të marrë në jetën time.
Më ke qëndruar pranë në momentin kur më rrëmbyen dhe vuajtja jote ishte një vuajtje shumë e madhe për mua, por me të vërtetë Zoti është i madh dhe mund ta them me gojën hapur, me zë të fortë, të plotë. Jezu Krishti ka bërë me të vërtetë mrekulli në jetën time dhe tënden bashkë.
Sot unë jam krenare për atë që jam, jam një nënë e 4 fëmijëve të mrekullueshëm që ti i ke rritur me dashuri shumë të madhe. Unë kërkoj të jem vetëm një çerek i dashurisë tënde për fëmijët e mi. Ti je princesha, mbretëresha ime.
Suzana: Valbona, unë të falenderoj shumë për të gjithë komplimentat që më bëre, por unë kam bërë vetëm detyrën e një nëne se të jesh nënë duhet t‘i bësh këto detyra, kanë qenë detyrat e mia dhe çdo nënë sakrifikon jetën e vet për fëmijët e vet, gjakun, shpirtin e vet.
“Interpoli më kërkonte, unë isha në …”, Valbona: Isha si një e burgosur
Nga taksia që e rrëmbeu në Elbasan në vitin 1996, Valbona përfundoi në një shtëpi në Vlorë, me një njeri që nuk e njihte. Nga i fejuari i saj nuk kishte asnjë lajm e po ashtu, as nga shoku i besuar i tij, i cili e la pikërisht në këtë shtëpi. Tashmë Italia po dukej larg dhe nuk i dukej më aspak se gjërat ishin në vendin e tyre, por rrugëdalja nuk ishte ende e mundur. Në “Ka Një Mesazh Për Ty”, rubrikë nga “E diela shqiptare” në Tv Klan, Valbona kujton një trokitje dere që nuk do t’i ngjallte shpresën, por frikën.
Valbona: Dëgjova këtë trokitjen e fortë në derë dhe del jashtë, hap derën dhe unë shikoj tek tenda, e hap pak dhe shoh që ishte një grup djemsh, të gjithë të armatosur dhe fillojnë të bashkëbisedojnë, por jo normalisht, me zë të lartë dhe unë dëgjoja ndonjë fjalë që më prekte jashtë mase që thonin “tani duhet ta nxjerrësh jashtë urgjent sepse ne kemi ardhur për të”. Shumë e frikësuar në ato momente dhe kur ata ikën, më tha “nuk po ndodh asgjë, nuk ka problem”.
I thashë “ti duhet të më tregosh të vërtetën sepse unë diçka dëgjova”, ai tha “ata ishin këtu për ty, donin të të merrnin sepse çdo vajzë që vjen në Vlorë, kalon përpara në duart e tyre, pastaj niset për Itali”. Unë i thashë “nuk e kuptoj këtë kalojnë në dorë të tyre sepse nuk jam e tillë, ti nuk më njeh ndoshta, por unë veten time e njoh shumë mirë, unë jam akoma e virgjër”. Ia thashë këtë fjalë sepse u tremba jashtë mase dhe se ishte e vërteta ime. Ai më tha “ti mos ki frikë sepse unë do bëj të pamundurën që të të mbroj ty”. Më çoi në një familje tjetër, të dy bashkëshortëve pleq që ishin vetëm dhe nuk arrija që të kisha një lidhje me familjen time sepse më mbante mbyllur. Isha si një e burgosur në të vërtetë dhe isha shumë keq.
Ardit Gjebrea: Sa kohë qëndrove?
Valbona: Gati një muaj. Mbyllur.
Ardit Gjebrea: Në Vlorë?
Valbona: Në Vlorë dhe në të njëjtën kohë, familja ime, veçanërisht mami, më kërkonte çdo natë shkonte në komisariatin e policisë dhe mua më kërkonte edhe Interpoli me një fotografi të zmadhuar timen, por në të vërtetë nuk isha në asnjë qytet të Italisë, në asnjë vend sepse unë isha në Vlorë, nuk isha nisur ende. U nisëm tre herë me gomone dhe vetëm të tretën herë arritëm në Itali.
“U shita nga i dashuri im dhe shoku i tij”, ish-viktima e trafikimit: Isha një pronë
Tentativa e tretë e dërgoi Valbonën në Itali, në një shtëpi në Torino ku nuk kishte askënd që njihte: as të fejuarin, as shokun e tij dhe as njeriun që e mbajti të burgosur në Vlorë. Vetëm 18 vjeçe, ajo kuptoi se kishte rënë viktimë e trafikimit. Pengu i saj më i madh, rrëfen për “Ka Një Mesazh Për Ty” në “E diela shqiptare”, program i Tv Klan, ishte nëna që kishte lënë pas në Elbasan, e cila e kërkonte ngado, po ajo vetë kishte humbur dëshirën për të jetuar. Tashmë ishte pronë e një tutori, në një shtëpi në Itali ku ushtrohej prostitucion.
Valbona: Kur shkuam në Torino më çuan në një shtëpi të disa djemve që punonin, por kishin edhe vajza që jetonin aty bashkë me ta. Unë aty pata një shok të jashtëzakonshëm sepse këto vajza jo vetëm që bënin atë punë, por flisnin dhe shumë keq. Në ato momente jeta ime nuk kishte më kuptim. Isha një njeri që jetoja kot, më dukej vetja e tepërt në botë, kisha një peng të madh që nuk flisja me mamin, nuk e kisha lajmëruar për asgjë.
Ardit Gjebrea: Kishe mundësi dhe nuk e bëre?
Valbona: Nuk kisha mundësi. Asnjë.
Ardit Gjebrea: Kur e kuptove që ishe viktimë e trafikimit, cili ishte momenti?
Valbona: E kuptova kur fola shumë qartë me këtë djalin.
Ardit Gjebrea: Që në Vlorë?
Valbona: Jo, në Torino.
Ardit Gjebrea: Kur shkove te ajo shtëpia që ishin djemtë, vajzat, kuptove se çfarë ndodhi?
Valbona: Aty e kuptova më së miri sepse ishte e pamundur mos ta kuptoja. E pyes, i them “tani duhet të di të vërtetën se është e kotë të ma mbash të fshehur” dhe më tregon që unë isha e blerë nga ai dhe këta dy djem, i dashuri im dhe shoku i tij më kishin shitur te ai djalë dhe unë i përkisja vetëm atij, isha pronë e tij nga momenti që ai kishte paguar lekët për mua.
Ardit Gjebrea: Pra ishte tutori yt?
Valbona: Ishte tutori im dhe ishte gjithçka për mua.
Ardit Gjebrea: Ti ishe skllavja e tij? Çdo gjë që thoshte ai ti duhej ta bëje?
Valbona: Po, ishte urdhër për mua./m.j