Do ta vë në siklet Vuçiç sa herë që të më vijë rasti… është ky mesazhi që jep Kryeministri Edi Rama, i cili shprehet se sa herë të jetë përballë me kryeministrin serb do t’ja përsërisë përherë çështjen e Kosovës dhe njohjes së saj nga ana e Serbisë.
Deklarata e Kryeministrit të Shqipërisë u dha gjatë taklimit që ai pati me gazetarët vendas pas mbarimit të forumit në Serbi.
“Nuk e vë në siklet unë, e vë në siklet tema, Kosova. Por është një siklet, për të cilin, unë nuk kam një kurë tjetër, përveçse përsëritjes së bindjes time që sa më shpejt ta njohin Kosovën, aq më shpejt do iki dhe sikleti…
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka gjithë këto probleme, sepse është një dialog për një proces real paqeje. Po të mos i kishte këto probleme, do të thotë që nuk do të ishte një dialog për paqe.
E dialogu për paqe kudo është i vështirë, është i rrezikuar, çdo gjë sado e vogël mund ta kthejë në një pikë, ku duket sikur kthehet 100 vjet mbrapa. Kështu ndodh kudo, kështu ndodh gjithmonë.
Kështu që nuk është aspak çudi që gjëra shumë të vogla mund të na krijojnë ndjesinë që gjithçka që ndërtuam, iku kot. Por në fakt nuk është kështu“- tha Rama.
Intervista e plotë
Partia Demokratike e Serbisë ka kërkuar që të anulohej vizita juaj në Beograd. Ndërkohë që duket sikur dhe ju keni një strategji të qartë kur takoheni me zoti Vuçiç, ta vini atë në siklet. Ndodhi para dy vjetësh, ndodhi në Tiranë, ndodhi edhe dje. Nuk kishte kufje, por kishte syze dhe u vu re qartë që u vu në pozitë shumë të vështirë kur ju folët për Trepçën. Është strategji kjo, apo ky është qëndrimi juaj?
Kryeministri Rama: Nuk e vë në siklet unë, e vë në siklet tema, Kosova. Por është një sikle, për të cilin, unë nuk kam një kurë tjetër, përveçse përsëritjes së bindjes time që sa më shpejt ta njohin Kosovën, aq më shpejt do iki dhe sikleti.
Ndryshe nga vizita e dy viteve më parë, ju e theksuat dhe në takimet që patët me Kryeministrin Vuçiç, që ishte më e ngrohtë. Në fakt takimi i sotëm në Forumin Ekonomik në Nish u duk akoma dhe më i ngrohtë. Sa do të ndikojë kjo dhomë ekonomike mes dy vendeve, për të rritur dhe shkëmbimet tregtare, por dhe për të afruar më shumë dy vendet?
Kryeministri Rama: Unë them që do ndikojë shumë zbatimi i planit të veprimit për zerimin e shumë barrierave që janë një problem shumë i madh për shkëmbimet tregtare dhe kjo është sfida e qeverive, nuk është sfida e biznesit. Ndërkohë që patjetër Dhoma e Tregtisë do ketë ndikimin e vet. Dihet botërisht që Serbia ka një model shumë të përparuar të Dhomës së saj të Tregtisë. Është krijesë e një personazhi shumë të respektuar këtu, por që është i respektuar edhe botërisht, që është kryetari i Dhomës, i cili ka qenë edhe promotori i kësaj iniciative. Ndërkohë, ne kemi kaluar ligjin e ri për Dhomën dhe besoj se dhe ajo do jetë një ndihmesë. Por në fund të ditës, unë jam i bindur që Shqipëria do të bëhet gjithmonë e më shumë një destinacion për sipërmarrjen dhe për turistët serbë, pasi kini parasysh që distancat që ata duhet të përshkojnë gjatë verës janë shumë të largëta, në krahasim me distancat që mund të përshkojnë për të ardhur në Shqipëri, nëse do të plotësohet dhe objektivi për të pasur një aks rrugor që do të lidhi praktikisht, Beogradin me Prishtinën dhe përmes rrugës së Kombit pastaj, edhe Durrësin. Kjo do të ishte një risi që do të sillte shumë në zhvillimin ekonomik për të gjithë dhe padyshim dhe në marrëdhënien mes dy vendeve.
Kjo diplomaci e drejtpërdrejtë që ju bëni me zotin Vuçiç apo në Greqi, si ndikon kjo në politikën serbe apo greke për shqiptarët e Kosovës, të Preshevës?
Kryeministri Rama: Unë them që ndikon pozitivisht. Në një intervistë më parë me një televizion serb u thashë se isha këtu dy vjet më parë dhe u zhvillua ajo konferenca e nxehtë e shtypit. Mbas konferencës së shtypit, pati një moment shumë të vështirë, pasi nuk po komunikonim fare dhe pastaj i thashë Kryeministrit serb, nëse ti e beson vërtetë atë që thua dhe unë mendoj se e beson, që është koha për të ndërtuar një miqësi mes Shqipërisë dhe Serbisë që kalon nga ndërtimi i një miqësie mes nesh, atëherë nuk duhet të reagosh sikur është fundi i botës, kur unë them diçka që ti s’je dakord, por duhet ta konsiderosh këtë, shenjën më të sigurt të vullnetit për të ndërtuar një miqësi mbi bazën e të folurit hapur, të drejtpërdrejtë dhe të parimit që të pëlqen apo s’të pëlqen e vërteta ime, duhet ta respektosh si të vërtetën time. Dje, pavarësisht se reagimi prapë ishte me siklet, sidoqoftë nuk ishte njësoj si dy vjet më parë. Që do të thotë se ka një përparim në këtë çështje, siç ka një përparim dhe në mënyrën e pranimit të kësaj të vërtete dhe nga mediat dhe nga gazetarët. Mua më kujtohet dy vjet më parë, kur duhet të flisja me gazetarët serbë, ishte njësoj sikur takoja anëtarë partie të Kryeministrit, që ishin shumë të revoltuar me mua. Ndërkohë që sot është ndryshe. Dhe është shumë e rëndësishme që të vazhdojë të avancojë dhe të normalizohet në veshët e këtyre njerëzve e vërteta jonë, sepse ndihmon një proces që është herët ose vonë, – se vetëm këtë s’mund ta dimë, – me një fund të qartë. Nuk mundet dot që të kalojnë dhe 100 vjet të tjera, përkundrazi!
Kështu që besoj se po, është një mënyrë që ndihmon dhe ndihmon kudo e përgjithësisht bën mirë për shqiptarët kudo ku janë. E njëjta gjë dhe për shqiptarët e Preshevës. Dy vjet më parë, biseda ishte shumë e vështirë. Sepse ai as nuk e pranonte dot që unë të flisja për shqiptarët e Preshevës; “Çfarë pune ke ti me shqiptarët e Preshevës? Janë qytetarë serbë. Janë banorë të Serbisë.” Ndërsa sot, ne u takuam edhe me të dhe realisht janë bërë disa gjëra pozitive dhe edhe atmosfera mes përfaqësuesve shqiptarë të Preshevës është shumë më pozitive, në kuptimin që ka një shpresë se gjërat do të përmirësohen
Është meritë e zotit Vuçiç, apo elitat këtu po ndryshojnë diçka në mentalitetin e të menduarit për shqiptarët?
Kryeministri Rama: Opinioni im dhe respekti im për të lidhet me faktin që ai po bën një përpjekje reale për ta spostuar gravitetin e pushtetit në Serbi nga e ardhmja. Është një vend që e ka pasur gjithë jetën e vet, gravitetin tek e shkuara. E kjo është diçka pozitive. Sigurisht që duke e parë me sytë tona, të interesave tona, të plagëve tona, të të shkuarës tonë, kjo është një gjë që ne do donim të zhvillohej me një amplitudë shumë më të fortë, por duke u vënë në pozitën e tij, është diçka pozitive që patjetër duhet respektuar.
Zoti Rama ju e thatë, por a mund ta specifikojmë pak, që kemi pasur sot një takim të dytë me përfaqësuesit e Preshevës dhe në prani të zotit Vuçiç. A është folur konkretisht edhe për projekte aty?
Kryeministri Rama: Po, patjetër. Dje kemi diskutuar për disa çështje. Së pari, është vënë në vijë çështja e njohjes së diplomave dhe ajo funksionon tani normalisht, me vështirësitë që ka burokracia, por jo më për arsye politike. Pra, diplomat njihen dhe njehsohen normalisht. Është problemi i teksteve. Kemi rënë dakord që të shfrytëzojmë tekstet tona, të Shqipërisë dhe Kryeministri ka dhënë dakordësinë. Kam folur me të dhe dje në takim, përpara se të takohesha me përfaqësuesit shqiptarë të Preshevës, pra, tekstet tona ne do të mund t’i çojmë, sepse Presheva ka problem me tekstet. Është folur për një problem tjetër shumë të rëndësishëm që ata kanë lidhur me disa ndërmarrje të vjetra që nuk janë privatizuar dhe që ata i shohin me shumë të drejtë si një potencial për punësim etj. dhe Kryeministri u ka shpjeguar se si do të veprohet, ndërkohë i ka garantuar që për çdo investitor që do investojë në Preshevë do ketë 50% subvencion në momentin e parë nga qeveria serbe. Është folur po ashtu, – unë me ta në fakt, – për disa binjakëzime mes komunave të Luginës e bashkive tona, për të lehtësuar projekte të përbashkëta financimi, në kuadrin e shtrirjes së Rilindjes Urbane, që ka krijuar impakt shumë pozitiv në perceptim në atë zonë.
Ka pasur një takim të ministrave të Energjisë në Sarajevë dhe kanë dalë me një vendim për t’i kërkuar Serbisë që të zhbllokojë linjën e interkonjeksionit. A është folur me zotin Vuçiç për këtë?
Kryeministri Rama: Patjetër, ka qënë tema kryesore e bisedës time edhe dje, edhe sot, edhe me Drejtoren Rajonale të Bankës Botërore përsëri. Për mua ishte vazhdim, sepse këtë gjë e kemi diskutuar dhe në Paris. Sigurisht, kjo që ka ndodhur me Trepçën nuk ndihmon, por ai ka rikonfirmuar vullnetin për të gjetur një zgjidhje, sepse nuk është kaq e thjeshtë në kuptimin e tyre, jo tonin, pasi është e lidhur dhe me marrëveshjen më të gjerë brenda kornizës së dialogut për energjinë. E lidhet dhe me anëtarësimin e Kosovës në një institucion ndërkombëtar të energjisë. Që do të thotë që dialogu duhet, sepse, nëse ne bëjmë të fortin në distancë, kujtojmë se fitojmë një duel me Beogradin, por në fakt lidhim edhe këmbët tona. E Kosovës i duhet energjia, i duhet interkonjeksioni që të funksionojë. E pra, si zgjidhet kjo? Duke i kthyer kurrizin njëri-tjetrit dhe duke mbajtur fjalime që për fat të keq po bëhen gjithmonë e më rëndom fjalime që ia mbajmë njëri-tjetrit, për të treguar se kush është patrioti më i madh, me tendencën që të manipulojmë sa më shumë njerëz për vota? Apo për të bërë gjërat konkrete për njerëzit?
Kosova e bojkotoi këtë Forumin e djeshëm. Keni ndonjë mesazh?
Kryeministri Rama: Unë nuk kam asnjë mësim për të dhënë dhe asnjë këshillë të pa kërkuar për askënd, aq më pak pastaj për lidershipin në Kosovë, që nuk është as i paralelizueshëm e aq më pak i anashkalueshëm, një proces që është në radhë të parë, procesi i lidershipit të shqiptarëve të Kosovës në këtë dialog. Unë thjesht them se duke qënë fitimtarët e luftës dhe duke pasur avantazhin e madh moral të fitimtarit, ne jemi ata, të cilët jo vetëm nuk duhet t’i shmangemi asnjë mundësie për të komunikuar, por duhet të krijojmë sa më shumë mundësi për të komunikuar, sepse nuk kemi asgjë për të ulur kokën, ndërkohë që kur nuk komunikojmë, jo vetëm që nuk sillemi si fitimtarë, por krijojmë hapësira për të kundërtën e asaj që mendojmë, pengojmë një proces që në radhë të parë është një proces që na intereson ne, pengojmë një proces që në radhë të parë duhet ta shohim si një proces që është për njerëzit tanë, është për familjet, është për ata që duan një ekonomi më të mirë, për ata që duan një punë e kështu me radhë. Nuk është proces që politika mund ta marri, ta mbylli në sallën e Parlamentit e ta kthejë në arenë për t’u kacafytur mes vedi se kush e do më shumë Kosovën, kush e do më shumë Shqipërinë, kush e do më shumë flamurin.
Kryeministri Vuçiç ka qenë në Tiranë, ju riktheheni në Beograd. A mund të flasim për një avancim të marrëdhënieve shqiptaro-serbe? Apo një dorë mund të na rrezikojë gjithmonë?
Kryeministri Rama: Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka gjithë këto probleme, sepse është një dialog për një proces real paqeje. Po të mos i kishte këto probleme, do të thotë që nuk do të ishte një dialog për paqe. E dialogu për paqe kudo është i vështirë, është i rrezikuar, çdo gjë sado e vogël mund ta kthejë në një pikë, ku duket sikur kthehet 100 vjet mbrapa. Kështu ndodh kudo, kështu ndodh gjithmonë. Kështu që nuk është aspak çudi që gjëra shumë të vogla mund të na krijojnë ndjesinë që gjithçka që ndërtuam, iku kot. Por në fakt nuk është kështu.
Petrit Selimi nga Partia Demokratike ka shkruar një artikull të fundit kundër jush, ndoshta e ka shkruar me lejen e mikut tuaj, Presidentit Thaçi. Ai thotë, a mos vallë keni rënë ju në grackën e serbëve? Rruga Nish-Tiranë a është pretekst?
Kryeministri Rama: E para, nuk e njoh këtë Petrit Selimin dhe nuk çuditem fare, përkundrazi, përgëzoj çdo petrit selim që shkruan mendimin e vet, sepse jetojmë në një vend, në një hapësirë të lirë ku nuk ka censurë as nga partia, as nga Serbia. Kështu që i uroj sukses Petrit Selimit dhe gjithë petrit selimave të tjerë dhe të shkruajnë çfarë t’u vijë për mbarë. Përsa më takon, unë do vazhdoj të bëj atë që mendoj se është gjëja më e mbarë për shqiptarët e Shqipërisë dhe patjetër, kur flas për Kosovën, dhe për shqiptarët e Kosovës. Pastaj, historia do gjykojë edhe mua dhe Petrit Selimin, në qoftë se do e mbajë mend. /java/a.k