Në prag të nisjes së Samitit të IV të Diasporës në Tiranë, vjen një videomesazh nga anëtari i Parlamentit Evropian, Adnan Dibrani.
“Gjatë krejt kohës si politikan, kurrë rrënjët e mia nuk i harroj! I lindur në Mitrovicë, i rritur në Suedi, mburrna që jam shqiptar dhe gjithkush e din që jam shqiptar”, shprehet Dibrani.
Ndërsa ndan videomesazhin e Dibranit në rrjetet sociale, ministri i Punëve të Jashtme Ferit Hoxha e vlerëson atë si “një shqiptar që ka ndërtuar suksesin e tij në politikën suedeze dhe përtej, duke mishëruar vlerat dhe krenarinë e të qenit shqiptar në zemër të Evropës”.
Ndërkohë sjellim ndërmend se një tjetër video që tërhoqi vëmendjen e rrjetit mbrëmjen e kaluar, ishte ajo nga sheshi më i famshëm në New York, Times Square, ku në një ekran gjigand shfaqej një klip i shkurtër ftues për Samitin e Diasporës që nis sot më 13 prill, në Tiranë.
Në klip janë gjeneruar me inteligjencë artificiale figura të tilla si Ismail Qemali, Nënë Tereza etj.
Tirana do të mirëpresë më 13-15 prill 2026 Samitin e IV të Diasporës Shqiptare, një ngjarje e rëndësishme që mbledh personalitete nga politika, ekonomia, shkenca dhe arti nga Shqipëria dhe diaspora.
Nën moton “Diaspora Shqiptare 2030, Përmes rrënjëve lartësohemi”, samiti synon forcimin e lidhjeve dhe bashkëpunimit mes shqiptarëve kudo në botë.
Agjenda e Samitit
Aktivitetet të hënën nisin me ceremoninë e mirëseardhjes në Teatrin e Operas dhe Baletit, ku do të bëhet hapja zyrtare e samitit dhe dekorimi i personaliteteve të diasporës nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.
Dita kryesore e samitit është e marta, 14 prill, që hapet me regjistrimin e pjesëmarrësve dhe më pas me ceremoninë zyrtare të hapjes. Në këtë sesion do të shfaqen histori suksesi të diasporës, ndërsa fjalën e hapjes do ta mbajë Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha. Fjala kryesore do të mbahet nga kryeministri Edi Rama.
Dita e dytë do të mbyllet me mbrëmjen gala në Pallatin e Kongreseve, me pjesëmarrjen e personaliteteve nga Shqipëria dhe diaspora.
Aktivitetet vijojnë të mërkurën, më 15 prill, me “Mëngjesin e vëllazërimit”, ku përfaqësues të komuniteteve fetare shqiptare do të japin mesazhe bashkimi dhe harmonie, mes tyre Imam Dr. Rifat Alili, Dom Pjetër Popaj, Rev. Nikodhim Preston dhe të tjerë.
Samiti mbyllet me aktivitetin artistik “Zërat e Diasporës”, që do të zhvillohet në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, me pjesëmarrjen e artistëve të njohur si Anbeta Toromani dhe Marigona Qerkezi.
Gjatë dy ditëve do të zhvillohen gjithashtu aktivitete të shumta paralele, përfshirë takime biznesi, ekspozita, prezantime startup-esh, programe kulturore dhe edukative, si dhe hapësira të dedikuara për produktet shqiptare dhe promovimin e projekteve të diasporës.











