Besimtarët e fesë katolike në Kosovë, mesnatën e mbrëmshme, të prirë nga Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, mbajtën Meshën e Vigjiljes së Krishtlindjes në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë. Në meshën kryesore morën pjesë besimtarët e personalitete të njohura.
Në fjalën e tij Imzot Dodë Gjergji, tha se gjatë katër javëve të fundit besimtarët katolikë janë përgatitur që të marrin pjesë në këtë kremtim të madh, në mënyrë që denjësisht ta japin lajmin vullnetmirë, se Zoti ka vizituar popullin e tij.
Gjergji vazhdoi më tej duke bërë thirrje për bashkim, dialog dhe rezistencë kundër së keqes. Ai tha se për gjendjen e krijuar në vend edhe Ipeshkvia e Kosovës ndihet bashkëfajtore, siç tha ai, në nivelin e përgjegjësisë qytetare.
“Për këtë gjendje të krijuar ndihemi edhe ne bashkëfajtor në nivelin e përgjegjësisë qytetare. Duam të konstatojmë se vazhdimi në këtë logjikë krijon anarki, lë në mjerim qytetarin, e ngrin respektin e miqve, dëshpëron të gjithë qytetarët, paaftëson shtetin”, tha ai.
Imzot Dodë Gjergji theksoi se ata që janë përgjegjës për zbatimin e ligjit, është mirë ta kryejnë obligimin e tyre dhe se përdorimi i muskujve të shtetit tejforcon pushtetin derisa ligështon mendjen e atyre që kundërshtojnë. Sipas tij, pa bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar nuk ka të ardhme në vendin tonë.
Për shpalljen e Nënës Terezë shenjtore nga ana e Vatikanit vitin e ardhshëm, ai tha:
“Me shpalljen shenjtë të Nënë Terëzës, viti ardhshëm që është vit i mëshirës, do jetë vit hiri për të gjithë botën, jo vetëm për ne, pasi tek Zoti mund të lutemi edhe shqip”, potencoi Imzot Gjergji.