Nëse do të isha rritur në Republikën Federale Gjermane, mund të isha bërë mësuese, u tha sot kancelarja gjermane, Angela Merkel disa nxënësve gjatë një ceremonie për festimin e 25-vjetorit të ribashkimit të Gjermanisë.
“Mendoj se do të kisha studjuar për fizikë në Gjermaninë Perëndimore. Ndoshta do të isha bërë mësuese”, tha Merkel, e lindur në Hamburg, por duke u rritur në Lindje pasi babai i saj pranoi një post si pastor protestant.
”Si mësuese në Gjermaninë Lindore, do t’i kisha indoktrinuar nxënësit e mi me ideologjinë socialiste, çka nuk më pëlqente”, shtoi ajo.
“Kështu që, vendosa të studjoja fizikë, pasi në këtë lëndë gjërat nuk mund të ngatërroheshin me njëra-tjetrën, si në lëndë të tjera”, theksoi ajo.
Merkel bëri edhe doktoraturën dhe punoi në Akademinë e Shkencave të RDGJ-së, përpara se të futej në politikë.