Greqia ndodhet tashmë në buzë të greminës. Duke marrë shkas nga situata, kancelarja gjermane Angela Merkel ka bërë një apel të fundit për arritjen e një marrëveshjeje.
“Nëse falimenton euro, atëherë falimenton Europa. Ndaj, Europa duhet të jetë në gjendje të gjejë një kompromis përballë çdo sfide”, ka thënë Merkel.
Gruaja e fuqishme e kontinentit të vjetër ka vënë në dukje se, duhet konstatuar se vullneti për një akord të tillë nuk ekzistonte, ndaj dhe në Greqi u miratua mbajtja e referendumit.
“Pa një kompromis, Europa falimenton dhe ne nuk e duam një gjë të tillë. Nëse pas referendumit qeveria greke kërkon sërish negociata, ne nuk duhet t’i refuzojmë ato”, ka shtuar kancelarja.
Këto deklarata, Merkel i ka bërë në një konferencë për shtyp, pas një samiti me partitë e Bundestagut. Më herët, qeveria e Berlinit, përmes zëdhënësit të saj deklaroi se, Gjermania do ta respektojë rezultatin e referendumit.
“Vendimi për një referendum i takon vetëm qeverisë dhe ne, natyrisht do të respektojmë rezultatin e tij”, ka thënë Steffen Seibert.