Një ish-asistente e Sean Diddy Combs dëshmoi në gjykatë se ai e sulmonte seksualisht gjatë periudhës 8-vjeçare që ajo punonte për të.
Dëshmitarja deklaroi në cilësinë e anonimatit duke përdorur pseudonimin “Mia”. Mes lotësh ajo tha se jetonte me frikën e shpërthimeve të dhunshme të Combs, raporton BBC.
Reperipo e ndiqte nga banka e tij ndërsa ajo tregonte çfarë ndodhte. “Nuk mund t’i thosha jo as për një sanduiç. Nuk mund t’i thosha jo për asgjë.”
Mia është dëshmitarja e dytë e gjyqit të Diddy sqë pretendon për abuzimin seksual, pas ish të dashurës së tij, Cassie Ventura.
Mia tha se nisi të punonte si asistentja e tij personale në vitin 2009 kur ishte rreth të 20-ave dhe iu bashkua një mjedisi pune “kaotik” dhe “toksik”.
“Ngritjet ishin vërtet ngritje dhe ulje ishin shumë, shumë të ulëta.” Pozicioni i kërkonte që të ishte “gjithnjë para syve” të Combs dhe ajo “parashikonte nevojat, luhatjet dhe humorin e tij.”
Shpesh i kërkohej të qëndronte në shtëpitë e tij, ku s’mund ta mbyllte derën apo të largohej pa i dhënë leje ai. Gjatë kohës që punonte për të, reperi ishte vazhdimisht i dhunshëm ndaj saj.
Në një rast, ai vërviti një tas makaronash drejt saj që i kaloi shumë pranë kokës. Në një moment tjetër, Combs hodhi kompjuterin e tij drejt Mias kur ajo i tha se po riparohej lidhja e internetit.
Dhuna ndaj Cassie Ventura

Ajo dëshmoi edhe për dhunën që ai ushtronte ndaj Cassie, me të cilën Mia kishte krijuar miqësi dhe janë ende shoqe. Gjatë pushimeve në një ishull privat në Karaibe, një natë të vonë, Cassie hyri në dhomën e saj duke ulëritur se Combs “do ta vriste”. Ato ia mbathën dhe u fshehën në plazh. Gjatë atyre pushimeve, Ventura kishte përdorur edhe një varkë për t’u arratisur prej tij, i cili e priste duke bërë ecejake në breg të detit. Para se ta kuptonin, qielli u errësua duke paralajmëruar një stuhi.
“Po përpiqesha të peshoja nëse ishte më e frikshme përballja me nënën natyrë apo të ktheheshim te Puff. U kthyem te Puff.”
Mia tha se ishte e pranishme edhe gjatë një nate në vitin 2013 kur Combs thuajse po shembte derën e Ventura. Ai e sulmoi duke i çarë vetullën pasi e hodhi drejt kokës së shtratit. Mia u hodh mbi shpinën e tij, por ai e përplasi në mur. Ajo kujtoi fjalët që i shkuan ndërmend: “Ai do ta vrasë vërtet”.
Mia tha se pavarësisht se kishte parë abuzimin e Combs ndaj Cassie, nuk e denoncoi pasi “besonte se autoriteti i Puff tejkalonte policinë.”
“Një ndjesi e errët”

Më pas, dëshmoi për disa raste kur kishte përjetuar sulmet e tij seksuale, madje njëherë u zgjua pasi ai po përpiqej ta përdhunonte. Sulmet filluan herët gjatë karrierës së saj, një prej tyre gjatë ditëlindjes së 40-të të Combs në hotelin Plaza në Nju-Jork.
Ai i dha dy gota me vodka, e puthi dhe i futi duart nën fustan. Gjatë viteve 200-2010, ndërsa Mia flinte në një shtrat marinari në shtëpinë e tij, u zgjua pasi ndjeu peshën e Combs mbi trupin e saj. Ajo s’po e kuptonte dhe Combs e përdhunoi.
“Thjesht ngriva. Ishte shumë e shpejtë, por u duk si përjetësi.” Mia deklaroi se kjo ndodhte “herë pas here”, por nuk i mbante mend gjithnjë detajet, përveç “një ndjesie të errët në stomak.”
Më tej, pranon frikën dhe pushtetin e kontrollit të tij mbi të. Gjithashtu kishte dijeni për një asistente që ishte pushuar nga puna pasi kishte denoncuar dhunën e reperit kundrejt Cassie.
Diddy e kërcënonte Mian se do t’i thoshte Cassie për raportet e tyre seksuale. Pas këtyre ngjarjeve, ajo tha në gjykatë se u përpoq të shtirej se “gjëja më e turpshme” e jetës së saj s’kishte ndodhur kurrë.
“Mendova se do të vdisja me këtë”, tha ajo e përlotur. “Nuk doja që dikush ta merrte vesh.”
Prokurorët e pyetën pse po e rrëfente këtë histori dhe ajo u përgjigj: “Duhet të thosha të vërtetën, gjithë të vërtetën dhe asgjë tjetër përveç së vërtetës.”
Dëshmia e saj vijon të premten dhe do të pyetet nga avokatët mbrojtës të Combs.











