Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, njoftoi sot, 8 shkurt, se Memoriali i Gjergj Fishtës në Lezhë do të kthehet në një qendër multifunksionale kreative me përmasa ndërkombëtare.
Ky projekt realizohet në bashkëpunim strategjik me Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” dhe një prej shkollave më prestigjioze të fotografisë në Francë (ESPN), duke përfituar nga mbështetja e partnerëve evropianë.
Qendra e re do të përfshijë:
– Rezidenca Artistike & Shkëmbime, ku artistë dhe studentë shqiptarë dhe francezë do të punojnë së bashku në programe trajnimi dhe kërkimi shkencor.
– Itinerari i Gjurmëve Fishtjane, një rrugëtim hulumtues që lidh historinë e Fishtës me arkivin e jashtëzakonshëm të Muzeut “Marubi”.
– Evente dhe aktivitete që promovojnë ekologjinë, shkrimin dhe fotografinë, duke kthyer Memorialin në një pikëtakim ndërkombëtar të artit.
“Në bashkëpunim me Bashkinë Lezhë, institucionet ndërkombëtare dhe promotorët lokalë, projekti synon të rrisë gjithashtu vizibilitetin e turizmit kulturor dhe agroturizmit në zonë, duke nxjerrë në pah bukuritë dhe shijet unike të itinerareve historike të Lezhës“, bën me dije ministri.
Gonxhja thekson se ky projekt do të shërbejë si një destinacion i ri kulturor për Shqipërinë, duke vendosur Memorialin e Fishtës në hartën ndërkombëtare të artit dhe inovacionit.











