Ministria e Energjisë dhe Industrisë u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të minatorit Muhamet Dardha, i cili humbi jetën ditën e sotme në një aksident në zonën D të minierës së Bulqizës.
Ministria garanton familjarët e të ndjerit dhe opinionin publik se përmes Repartit të Inspektim Shpëtim Minierave do të hetojë shkaqet e këtij aksidenti e do të marrë masat përkatëse në përfundim të konkluzioneve të hetimit.
Ndërkaq, Ministria e Energjisë dhe Industrisë shpreh keqardhje për deklarimet e menjëhershme të Partisë Demokratike, e cila kërkon të përdorë politikisht çdo fatkeqësi dhe aksident në industrinë minerare.
Forca politike e cila sot derdh lot krokodili për humbjen e jetës së minatorëve, në tetë vitet e qeverisjes së saj nuk bëri asgjë për jetën e tyre, por përkundrazi parcelizoi galeritë e minierave në mënyrë kriminale.
Duke firmosur mbi 1200 leje, PD stimuloi shfrytëzimin barbar e jashtë kushteve teknike në zonat minerare.
Në këto dy vite qeverisje, janë kryer kontrolle të vazhdueshme dhe të befasishme në subjektet minerare në të gjithë vendin, kontrolle që nuk ishin bërë prej shumë vitesh. Janë anuluar mbi 200 leje minerare, të cilat nuk respektonin kriteret e sigurisë dhe nuk shlyenin detyrimet që kishin ndaj shtetit. Janë pezulluar pjesërisht në aktivitetin e tyre qindra subjekte të tjera deri në plotësimin e kushteve të sigurisë. Janë fshirë nga regjistra mbi 300 leje të tjera të cilat rezultonin fiktive, abuzive dhe pa asnjë aktivitet minerar. Ka përfunduar studimi dhe shumë shpejt do të miratohet në qeveri përcaktimi i zonës së rrezikshme në Bulqizë në të cilën do të ndalohet kategorikisht zhvillimi i aktivitetit minerar.
Ndryshe nga vitet e qeverisjes së Partisë Demokratike, kur pas aksidenteve u vihej faji viktimave, çdo aksident i ndodhur në miniera është hetuar me seriozitet dhe janë marrë masa të rrepta deri në revokimin e lejeve minerare. Duke përbuzur politikën e shifrave mbi numrin e viktimave të aksidenteve, Ministria e Energjisë është e detyruar të informojë se në dy vitet e fundit ka një rënie të konsiderueshme të numrit të këtyre aksidenteve. Pavarësisht kësaj, Partia Demokratike vazhdon spekulimin e qëllimshëm duke numëruar viktima edhe persona që kanë humbur jetën pa patur lidhje me aktivitete minerare.
Ndryshe nga Partia Demokratike, e cila preferon të derdhë lot krokodili e të përdorë politikisht vdekjet e minatorëve, qeveria ka bërë realitet uljen e moshës së daljes në pension me 5 vite dhe ka rritur ndjeshëm pensionet për 3840 minatorë.
Ministria e Energjisë i kërkon Partisë Demokratike të heqë dorë nga përdorimi i çdo fatkeqësie me synimin e vetëm krijimin e kapitalit politik.
Më herët, Partia Demokratike, duke shprehur keqardhjen për vdekjen e minatorit Mehmet Dardha në Bulqizë, denoncoi atë që e cilësoi si “neglizhencën dhe braktisjen totale nga qeveria të minatorëve, kësaj kategorie në risk të vazhdueshëm që punojnë në kushte shpesh ekstreme për të mbajtur familjet e tyre”.