Nga Pandeli Bardhi
Nga “Covid-19”, përsëri, deri sot, askush nuk merr mundimin të nxjerri një vaksinë për të luftuar këtë “infeksion” të keq, që po merr përmasa të mëdha.
Si duket po merren me vaksinën “AstraZeneca” nëse shkakton trombozë apo jo sepse edhe këtu, ndërhyn politika deri atje sa një “Covid” i rënë nga “fiku bën thirrje: “I bëj thirrje “Xhahilit të Surrelit” të pezullojë menjëherë vaksinimin!
E thotë këtë, kush? Xhahili i Shqipërisë, që ka dhënë prova si i tillë! E dëgjojnë këtë mësuesit dhe stepen! E ndërsa vaksina është e fundit, askush nuk merret me burimin e infeksionit që janë Presidenca, ky “Xhahili”, që çirret,
Kryeministri e çdo politikan i kësaj politike. Këto infeksione “vdekjeprurëse” për këtë shoqëri me demokraci të brishtë, përveçse infeksioneve virale, janë infeksione “tërbimi”, “çmendurie”, “përçarrje”, “urrejtje” me efekte kryesore dhe anësore.
Askush nuk po merr mundimin për këtë vaksinë, që në mos 95%, të paktën të ketë efekt 5%! Edhe kaq do të ishte me interes. Ky “virus” vdekjeprurës, po përhapet kudo me shpejtësi dhe cudia më e madhe, atje ku përhapet, nuk e hedhin në “zjarr” për ta djegur, por i hedhin “ujë” për ta vaditur.
Kreu i Presidencës, erdhi në këtë zyrë si “mutacion” i unitetit kombëtar, siç edhe e përcakton edhe Ligji themelor, Kushtetuta. Shumëkush në fillimet e tij, kur ai propagandonte “qetësi e dashuri” besuan se kjo do të ishte një shpresë më shumë për gjakrat e ndezura të militantëve të të dy krahëve të politikës shqiptarëve që e “shkrepin” qysh në sup!
“Diçka do të bëhet në të ardhmen”, menduan ata për të forcuar më tej këtë unitet aq të përçarë pikërisht nga këto forca politike që kanë ardhur e kanë ikur nga pushteti e kërkojnë të rivijnë me çdo çmim e me çdo mjet. Por, nuk ishte e thënë.
Nga “vesa” e shiut më parë, ramë nën suferinën e “breshrit”! Inatin ndaj kundërshtarëve të tij politikë të të dy krahëve, të cilët me apo pa të drejtë e kishin akuzuar për molepsje në afera korruptive apo komplote për vrasje, ai do ta nxjerrë. Koha më vonë, tregoi që “mizën nën kësulë” duhej ta largonte.
Dhe ja çfarë deklaronte më 20 mars 2018 nga qyteti i Pogradecit, i cili na bëri të gjithëve të lotojmë: “Jam i gatshëm të sakrifikoj jetën time duke u vetëvrarë në mënyrë që vendi të dalë nga kriza politike, që sipas gjasave, mund të thellohet më tej.
Do ta bëj këtë veprim të njëjtë me atë që bëri presidenti i Kilit në vitet 1970-1973, Salvador Allende që u vetëvra si sakrificë ekstreme kundër instalimit në pushtet të një junte ushtarake”. Të gjithë nxorën shamitë nga xhepi dhe duke “fshirë” lotët, pëshpëritnin: “Aman, mos President, mos e vrit veten sepse nuk kemi ku të gjejmë tjetër të tillë që jep jetën për ne,që të jetojmë të lirë e në paqe, pa kriza”! Ishte atëherë ky, një mesazh i qartë edhe ndaj kryeministrit Rama edhe ndaj liderit opozitar Basha, si “patericë” e Saliut!
Qysh këtu, filloi të përhapi “infeksionin” e tij përçarës për zgjedhjet vendore, duke mbjellë urrejtje midis forcave politike. Nga fjalët, kaloi në nënshkrimin e dekreteve për zgjedhjet vendore, dekretoi dhe zhdekretoi në kundërshtim me ato të drejta që i jepte Kushtetuta ku neni i saj që “Presidenti është simbol i unitetit” mbeti një nen formal ashtu sikurse në vijim Kushtetuta “nën jastëkun” e tij, mbeti një “bllok shënimesh” i rëndomtë dhe jo ligji themelor!
Dikur, rrëmbente vazot e luleve për t’i përplasur në tavolinën e Jozefinës si Kryetare e Parlamentit, e cila kjo, nuk e mori për “zhelesh” e ta nxirrte jashtë, sepse me thënë të drejtën, kishte të drejtë për atë marrëveshje tinzare, atë atentat që i bënë Kushtetutës kreu i mazhorancës Berisha dhe ai i opozitës Rama, atentat që akoma edhe sot, pasojat po i vuan kjo politikë e “çakërdisur” që po ndjekin të gjitha forcat politike.
Por, halli i tij, asnjëherë nuk ka qënë për të bërë drejtësi e ligj, asnjëherë nuk ka punuar për të forcuar unitetin, por ka qënë përçarja dhe vetëm përçarja, hakmarrja, inati, hipokrizia e shumë vese të tjera që kanë dëmtuar dhe dëmtojnë rëndë imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Nuk është e nevojshme që t’i marrim të gjitha kujtimet me radhë, por le të vijmë tek aktet e tij të fundit, mbasi asnjëherë ai nuk ka hequr dorë nga rruga e tij në dëm të interesave kombëtare. Ai, asnjë ditë nuk ka reshtur së përhapur panik deri sa të çojë në fund misionin e tij.
Me të drejtë mazhoranca qeverisëse, nëpërmjet komisioneve parlamentare, vendosi për shkarkimin e tij nga detyra e Presidentit! Po çfarë u bë? Një vërrë në ujë. Kjo është mungesë serioziteti e këtij shteti, i cili jo vetëm në rastin konkret, por edhe në shumë iniciativa të tjera që ka marrë, asnjë prej tyre nuk ka realizuar.
Po ç’të jetë kjo? As më shumë e as më pak është krijimi i kushteve sa më të mira Ilir Metës që ai të shkojë e të bëjë “grushte shteti” në zyrat e partive më parë e më pas në Kryeministri! Nuk merret vesh se çfarë shteti është ky kur edhe një gjobë që vendos për shkelje të ligjeve e anullon dhe me të drejtë tek qytetarët është krijuar mendimi “Hë mo varja se asnjëherë nuk e kanë seriozisht”.
Shteti, asnjëherë nuk e ka patur “seriozitetin” e Presidentit për të realizuar ato që thotë dhe nuk e ka gabim kur thotë “Unë, jam Ilir Meta nga Skrapari”! Jo vetëm iu krijuan kushte të rehatshme, por iu krijuan edhe mundësitë që Presidenti i shkurtër të shtrijë kudo “grushtet e gjatë”!
U shtrinë këto grushta, fillimisht në zyrat e FRD. Shkon atje presidenti për t’i bërë “grusht shteti” një polici në pension dhe më pas, akuzon se po i bëhet “grusht shteti”! Kjo do të thotë që të luash nga mëndtë e “kres”! Po të ishte “grusht shteti”, më i kënaqur nga të gjithë do të ishte presidenti që do t’i “hiqnin qafe” shtetin dhe kreun e Ekzekutivit, Ramën, kundërshtarin e tij më të madh pavarësisht që janë të të njëjtit “çanak”.
Nga rruga e tij e marrëzisë, Ilir Meta, nuk heq dorë. Nuk ndjen asnjë grimë faj edhe kur shkon për t’u falur tek “Çim Peka Live” sipas të cilit i tërhoqi vëmendjen një shkresë pa vulë e bashkisë. Po pse more president nuk merreni me afishimet nëpër shtylla të atyre që ndahen nga jeta për të bërë një ngushëllim e t’iu mbajnë në gojë për mirë? Po mirë more detyra juaj është të merreni me shkresat me e pa vulë?
Detyra juaj, nuk është të silleni si harbut, e ti vendosni një njollë Shqipërisë, përderisa i keni të tëra mundësitë që “me qetësi e dashuri e plot “tigani”” me autoritetin që u jep karrigia t’i zgjidhni shqetësimet që kërkojnë ndërhyrjen tuaj. Pse nuk shkuat tek Astiri të përdornit grushtet kundër fadromave qe u prishnin banesat banorëve? Pse nuk shkuat t’i vinit kurrizin Teatrit Kombëtar, kur u prish, të ishit bërë hero?
Nejse, “grushtet presidencialë” më pas, shkojnë në Elbasan. As nuk ishte parë e dëgjuar deri sot, që edhe në ditën e Perëndisë, në ditën e verës qytetarët, mbas një dimri të gjatë, të ftohtë e me pandemi, të stresuar në ekstrem të gëzojnë, të çlodhen. Por si është e mundur që edhe në këtë ditë të rrëmbejnë hunjtë?
Po kush është fajtor për këtë? Fajtorët kanë emër, pavarësisht që asnjëri nuk e merr përsipër fajin. Është i pari presidenti që jep shembullin e tij, është pas tij Rama që gjithçka kupton, por akoma nuk kupton që është kryeministër i të gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm i një force politike.
Më shumë i mban sytë nga “kasollja” e kundërshtarit se ç’ka brenda se sa nga “kasollja e tij”! Kjo ndarje, është burimi i të tërë të këqijave. Këta krerë të politikës, po ndajnë Shqipërinë në “Protektorate”, sepse për politikanët, nuk janë njësoj edhe Shkodra edhe Vlora, edhe Dibra edhe Saranda e kështu me radhë.
Shikoni ku shkon hipokrizia e presidentit, në letrën që i dërgon Parlamentit: “Ky sulm, që u organizua dhe ekzekutua vetëm pak ditë më parë, në datën 12 mars 2021, pas nënshkrimit të një marrëveshjeje të FRD-së me Partinë Demokratike dhe aleatët e saj për zgjedhjet e 25 prillit 2021, bie ndesh me të gjitha parimet demokratike të shtetit të së drejtës, bashkëjetesës që do të duhet të shoqërojë situatën, para, gjatë, dhe pas zgjedhore..
Ky sulm është një tjetër tregues i sjelljes tërësisht të papërgjegjshme dhe provokuese të mazhorancës, me qëllim dëmtimin e aktivitetit kushtetues dhe ligjor të kësaj force politike pjesëmarrëse në zgjedhje, por njëkohësisht edhe një dëshmi e përpjekjeve të saj sistematike për të minuar pluralizmin politik në vend”!
Nuk ankohen “qetë”, por ankohet “qerrja”! E kanë në gjak njerëz të tillë që e bëjnë “dobiçin” dhe ta lënë në derë. Mos u ankoni juve Besa Shahini për Vjosa Osmanin që deklaron “Kosova është vendi i krimit dhe korrupsionit”. E kanë thënë edhe të tjerrë “burra shteti” në pamje, por burra “kaçubesh” që, sapo morën vesh që do të hapen negociatat për integrim, menjëherë i nxinë gazetat me gërma kapitale: “Në Shqipëri, sundojnë bandat e krimit dhe korrupsionit?
Nuk e kanë për gjë që edhe një qytet të tërë ta bëjnë “qyteti i krimit”edhe Shqipërinë, “vendi i krimit”. Këto “burime” ku burojnë këto infeksione më vdekjeprurëse nga Covid-19, shpërndahen në çdo cep të Shqipërisë, tek çdo qytetar. Shpërndahen me gazeta, me televizione që i kanë kthyer në “pozicione zjarri” për të sulmuar kundërshtarët, e presin ditën e 25 prillit të nxjerrin “armët e artilerisë së rëndë”.
E ndjejnë humbjen dhe përveshin “mëngët” për betejë. Armiqtë e Shqipërisë, thotë Konica, janë shqiptarët, jo të tjerrë! Presidenti, nesër do të iki nga “kuvlia” e tij e do të mbetet Ilir Meta. Ai, vetë nuk ikën edhe sikur të qëndrojë deri në vitin 2083, sepse nuk ka ku të shkojë tjetër.
Kudo ku ai të shkojë do të bëjë vetëm sherr! Edhe kur ai të iki, “infeksioni” do të mbetet atje në atë Presidencë për shumë kohë. Ja ç’thotë një këshilltar i tij: “Mos e detyro Presidentin e Republikës, t’u bëjë thirrje qytetarëve të të përzënë që sot nga Bashkia e Tiranës si një qen rrugësh të pasterilizuar, o provokator ordiner i skizofrenit me kartelë o vemje… o horr gjirizesh”!
Edhe një i sëmurë mendor do të kishte zili këtë “mall” për gjuhën që përdor ndaj kryetarit të bashkisë. Këto “xhevahiret” dalin nga Presidenca, institucioni më i lartë i shtetit! Ku është drejtësia? Ajo fle gjumë dhe do të zgjohet kur të kërcasin armët e artilerisë”!
Infeksionet e përçarrjes kanë “mahisur” të tërë jetën e vendit, me anën e disa “lehësve” të përnatshëm në orët e vona, me anën e mediave të shkruara dhe vizive që i përdorin vetëm për të “qëlluar” kundërshtarët politikë, kanë “mahisur” institucionet” drejtësinë, mjekësinë e deri mjekët që janë ndarë sipas bindjeve partiake. A do të mendohet për ndonjë “vaksinë” në të ardhmen?/a.p