I ftuar në emisionin “45 minuta” në Report Tv , kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu ka mbështetur idenë e Partisë Demokratike për shtyrje të datës së zgjedhjeve.
Mediu u shpreh se pa identifikim, votim dhe numërim elektronik është e pamundur që të organizohen zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Kreu i republikanëve gjithashtu shprehu idenë e listave të hapura të cilat mundësojnë demokraci përfaqësuese ku deputetët zgjidhen nga qytetarët.
Për Mediun data e zgjedhjeve nuk është fare e rëndësishme për aq kohë sa nuk garantohet procesi ndërsa deklaroi se kjo parti ka bërë edhe një propozim për heqjen e mandateve për deputetët që lëvizin nga një krah në tjetrin.
Çfarë ndodhi sot në komisionin e reformës zgjedhore, cilat ishin diskutimet?
Komisioni është ndërtuar në muajin maj të vitit të kaluar dhe ka bërë vetëm diskutime të sipërfaqshme dhe duket se nuk ka interes nga mazhoranca për reformën. Ata kërkojnë ta shtyjnë në limite kohore dhe të vijojë manipulimi i zgjedhjeve. Sot është diskutuar pozicioni i partive dhe pati një përfundim ku do të studiohen propozimet e palëve. PD ka organizuar një tryezë me partitë aleate dhe ka propozuar një draft ku ka vendosur disa pika: Zgjedhje të lira e të ndershme që përfshijnë numërimin elektronik, propozim ky që është i PR. Në tetor Partia Republikane ka paraqitur një grup amendamentesh që synojnë të largojnë të inkriminuarit nga zgjedhjet. Ne kërkojmë që të kemi 61 zona zgjedhore dhe të ketë një vlerësim të zgjedhjes së mandatave. Nuk mund të ketë një deputet që zgjidhet me 3000 vota dhe një me 15 mijë vota. Osbe nuk prek shumë çështje. Në të gjitha rastet komisionet kanë funksionuar nga konsensusi i partive të mëdha. Kemi kërkuar të mos ketë renditje preferenciale, pra lista të hapura që u mbështetën edhe nga LSI.
Po Partia Demokratike e mbështet këtë ide?
Nesër do të kemi një takim por propozimi ishte i yni. Fushatat elektorale në Shqipëri duket më e kushtueshme se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në proporcion me votuesit. Nga vinë këto të ardhura? Kush janë ata që financojnë? Asnjëherë nuk janë deklaruar. Paraja e krimit që vjen në fushatë përkthehet më pas në qeverisje. Ekspertët pas takimit tonë janë ulur për të diskutuar propozimet e secilës palë.
LSI nuk thotë numërim elektronit po thotë të rrisim numrin e numëruesve, ju si e shikoni këtë zgjedhje?
Nuk e kam lexuar propozimin por jam apriori kundër. Ne duhet të kemi mundësinë që qytetari të jetë i lirë të votojë. Një identifikim elektronik, një votim dhe numërim elektronik është i domosdoshëm sado që të jetë kostoja.
Partia Socialiste thotë që e kishim mundësinë ta bënim reformën, por s’u bë…
Zgjedhjet e 2013 kanë mbaruar para 4 vitesh, koha ka qenë e mjaftueshme. Nuk ka pasur vullnet nga qeveria për ta implementuar. Procesi pilot në Fier dështoi sepse në listën e votuesve ishte një parti tepër, fleta e votimit ishte më e madhe seç duhej, Kjo mund të rregullohej, por ata nuk deshën.
Cila është arsyeja e PS për të mos e pranuar këtë?
Për herë të parë që nga 2001 është shkelur konsensusi dhe nuk ka diskutime për të ecur përpara.
Ka një garanci nga Rama që ka thënë se reforma zgjedhore nuk bëhet dot pa opozitën, jeni të sigurt se nuk do gjehet zgjedhja?
Nuk ka të bëjë me aleancat por është një reformë që e bën qytetarin të besojë që vota e tij ka vlerë. Ne nuk po i garantojmë bazën qytetarit. Partitë e përcaktojnë se kush shkon në kuvend dhe jo votuesit. Në media ka pasur informacione për rezultate të manipulimit. Nuk kam besimin minimal që do të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme sepse deri tani kjo qeveri nuk ka bërë asnjë proces të ndershëm. Ka pasur një proces shumë të rëndë në 2015-ën duke shkuar shumë më mbrapa.
Vota e emigrantëve dhe numërimi elektronik u vendosëm nga të dyja palët duke lënë përshtypjen se asnjëra nuk do realizohet…
Ne nuk po garantojmë votën e qytetarëve këtu. Ne po i manipulojmë këtu megjithëse mendoj se emigrantët duhet të votojnë. Por në një proces të manipulueshëm të deklaruar nga ndërkombëtarët është e pamundur. Nëse do jetë votimi elektronik padyshim që edhe emigrantët mund të votojnë. Ata se duan këtë numërim që të kenë mundësinë të manipulojnë. Duke shtyrë pafundësisht do të vijmë në një moment që do themi kanë mbetur 2,3 gjera që do t’i bëjmë duke bërë sikur po bëjmë reformë. Zgjedhjet nuk bëhen se ka një datë, por sepse qytetarët duhet të vendosin. Ne duam demokraci përfaqësuese ku deputetët i zgjedhin qytetarët prandaj them lista të hapura. E dyta kërkojmë proces transparent, identifikim, votim dhe numërim elektronik.
A është një skenar nga opozita për t’i shtyrë zgjedhjet deri sa të arrihen këto kushte?
Është më shumë se naivitet që të mendohet se Rama mund të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Se kur bëhet kjo ka pak rëndësi. Në vitin 2005, 2009 dhe 2013 zgjedhjet kanë qenë të drejta dhe të ndershme ndërsa tani ne po shkojmë pas.
Nuk ka ndodhur që një kryeministër të heqë dorë nga qeveria para zgjedhjeve, ju kërkoni qeveri teknike?
Rama e ka mandatin kushtetues 4-vjeçar. Mandati i tij mbaron në qershor, për mua e rëndësishme është shumë votimi në një proces sipas standardeve të Kopenhagës. Unë mendoj që ne si opozitë do të ishim naivë që të besojmë në proces të drejtë. Ne duhet të garantojmë një qeverisje para apo gjatë qershorit që të zhvillohen zgjedhje të lira.
Si duhet të ishte kjo qeveri?
Teknike, politike sido të jetë, mjafton të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Cila do të ishte data më e mirë për zgjedhjet?
18 qershori shumë mirë është, duhet të garantohen kriteret. Procesi zgjedhor është një sistem që ka të bëjë që me listat, që me të drejtën e qytetarëve për të mos u ndjerë të intimiduar e të manipuluar. Kemi bërë edhe një propozim për heqjen e mandateve për deputetët që lëvizin nga një krah në tjetrin.
A ka një plan opozita se si mund të shkohet në zgjedhje, me cilën qeveri, ka një strategji?
Mendoj se opozita duhet të krijojë bindjen se do ketë zgjedhje të lira e të ndershme. Ne duhet të ndryshojmë bindjen e qytetarëve. Shqiptarët nuk duhet të pranojnë që mund të manipulohen.
Këtë qëndrim ka mbajtur edhe e majta para se të vinte në pushtet…
Zgjedhjet e 2009 nuk janë kontestuar nga ndërkombëtarët ndërsa zgjedhjet e 2005 në shumë pika janë hedhur poshtë. Në 2001-shin pati një kontestim sepse u bënë 5 raunde zgjedhore, janë ndryshuar 17 mandate nga Gjykata Kushtetuese.
Si ka mundësi që për deputetin e PD që u shkarkua nga KQZ anëtarët e opozitës votuan kundër?
Prokurori konstatoi në rastin e 3 deputetëve mosplotësimin e formularëve sipas ligjit. Nuk mundet që ne të gjykojmë për mandatet e deputetëve. Prokuroria ka konstatuar që në 2006-ën Dashamir Tahiri është ndaluar nga policia dhe kishte dokument fals, kjo vepër nuk parashikohet në Dekriminalizim. Ky deputet ka shkuar disa herë në Itali dhe nuk është ndaluar sepse vendimi nuk ishte ekzekutiv. Për një nen të tillë parashkrimi është 5 vjet. Mazhoranca vendosi që për balancë të mos kishte vetëm nga pozita por edhe nga opozita. Nuk mundet të arrijmë me absurdin që të dënojmë me lajme individë të caktuar.
Si duhet të vijë presidenti i ri apo kartonat e shumicës e bëjnë të panevojshme ndërhyrjen e opozitës?
PS tenton të ketë një president të vetin ose një president në një pazar politik. Mendoj se ata që duan të zgjidhen duhet të diskutohen dhe të kenë qëndrime publike. Si procese në vitet e shkuara nuk kanë qenë solide, nuk kishte debat që qytetarët të njihnin idetë e tij. E rëndësishme është se fryma kërkon një president sa më konsensual brenda dy palëve.
Si e gjykoni këtë konsensus?
PR në dy rastet e zgjedhjes së presidentëve ka kërkuar të ketë konsensus dhe kemi organizuar tryeza për përzgjedhjen e kandidaturave. Konsensusi me Ramën u arrit për ish gjeneralin që kishim në NATO por Nano tha që do kandidojë dhe atëherë dolën kandidaturat politike të Topit dhe e Nanos. Pati një proces ku ngelën Ceka dhe Topi ku fitoi ky i fundit. U arrit një marrëveshje për Zajmin që zgjati për pak orë për dhe pastaj u prish.
Si ju erdhi ftesa për Inagurimin e Trump?
Ftesa ka ardhur nga Kongresi.
Si organizohet kjo ceremoni?
Ceremonia është protokollare që ka disa nivele. Fillimisht është betimi i presidentit dhe mandej ka disa aktivitete.
Cili është mendimi juaj për Trump, ai sot kishte vendosur këshilltar dhëndrin, keni një përshtypje se çfarë presidenti mund të jetë?
Në jetën e tij personale ka qenë biznesmen i suksesshmen që do të thotë se ka qenë i ditur. Ai ka një filozofi që të fuqizojë SHBA-në ushtarakisht dhe ekonomikisht. Këtë ide ka për të riformuar SHBA. Individin që ka forcë në qeverisje. Vlerësoj përzgjedhjen e kandidaturave për kabinetin e tij. Tendenca e Trump është të zgjedhë figura të suksesshme me pushtet.
Ka një qasje tjetër të Trump për NATO-n, e gjykoni të rrezikshme përderisa Europa nuk do t’i plotësojë kërkesat e tij?
Trump ka kërkuar aleancë për angazhime konkrete. Ky është një moment që të vendosë një marrëdhënie të drejtë sepse secili shtet duhet të investojë për mbrojtjen. Amerika paguan më shumë se 75 për qind të buxhetit të NATO-s. Nuk mund të gëzohesh të jesh anëtar i NATO-s pa kontribuar. Në një aleancë kaq të fuqishme ne duhet të shikojmë me vëmendje të shtojmë buxhetin për NATO-n sepse e kemi vetëm 0,9 %.