Fatmir Mediu thotë se vendi ka nevojë për një sistem drejtësie funksiona. Aleati opozitar i Lulzim Bashës, tha në RTV Ora se “duhet bërë një vetting më preferencial sa i përket njerëzve që duhet të jenë në Gjykatë Kushtetuese apo Gjykatën e Lartë”
Ai u shpreh se produktet që duhet të vijnë për diskutim nga parlamenti të mos jenë marrëveshje kulisash, por transparente.
Mediu propozoi që pjesë e marrëveshjeve me PS të jenë edhe media e opinioni publik dhe theksoi se për ecjen me ritme më të shpejta të reformës në drejtësi ndoshta ka ardhur koha të kemi më shumë grupe hetimi në procesin e vettingut.
“Për t’i dhënë zgjidhje (krizës politike), meqë ne na kërkohet nga faktori ndërkombëtar kjo lloj tryeze, po ashtu edhe PS-së, mos të injorojë kërkënd PS, komisioni që ajo ka në Parlament le të ulet 4 herë në ditë, t’i dëgjoj me vëmendje të gjithë propozimet që vijnë nga nënkryetari i Parlamentit, nga Hadjari, nga Kujtim Gjuzi nga këdo. E rëndësishme është që produktet që vijnë për diskutim mos jenë një marrëveshje kulisash, por të jetë një marrëveshje transparente ku përfshihen edhe media, edhe opinioni publik.
Ne kemi ndërtuar një raport të qartë me njëri-tjetrin, që edhe nëse nuk do të jemi dakord, do biem dakord për të mos qenë dakord, sepse kemi mendime dhe interesa të ndryshme dhe përfaqësimi duhet të jetë opozitar në diskutimin që do të bëhet me pjesën tjetër. Padyshim edhe në nivel teknik dhe në nivel politik ka nevojë për facilitim, po nuk është reforma zgjedhore thelbi i të gjithë krizës politike, është një element i saj. Madje nga pikëpamja juridike ka elementë që përjashtojnë dekriminalizimin, përjashtojnë mundësinë e vjedhjes, ndëshkojnë vjedhësit por nuk zbatohet, nuk implementohet në mënyrë të qëllimshme dhe kjo është provuar këto kohë.
Për mua është e rëndësishme që ne ti marrim seriozisht të gjitha pikat që kanë të bëjnë me shqetësimin ndërkombëtar sa i përket zhvillimeve në Shqipëri. Ndoshta ka ardhur koha të kemi më shumë grupe hetimi që të ecim më shpejtë procesi i vettingut. Ndoshta duhet bërë një vetting më preferencial sa i përket njerëzve që duhet të jenë në gjykatë kushtetuese apo në gjykatën e lartë për të ecur këto dy institucione të rëndësishme që i ka kërkuar dhe Bundestagu që të jenë pjesë e funksionimit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Një reformë ka nevojë për mbështetje politike sa më të gjerë. Nuk është një armë e fortë në dorën e një tjetri për t’i rënë”, shprehet Mediu. /l.m