Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, gjatë një takimi me strukturat dhe degët e kësaj partie në Kryeqytet, kërkoi bërjen e menjëhershme të reformës elektorale. Sipas tij, qeveria Rama po tenton që të blejë votat e shqiptarëve, nëpërmjet kanabizimit masiv të Shqipërisë, trafiqeve dhe grupeve kriminale. Mediu nënvizoi se ka nevojë emergjente për një Reformë Zgjedhore, e cila, sipas tij, është reforma më e rëndësishme që i nevojitet vendit, pa marrë parasysh asnjë kosto kohore, apo financiare, me qëllimin e vetëm garantimin e një procesi të lirë dhe të ndershëm zgjedhor.
“Kjo është qeverisja më e keqe që Shqipëria ka pasur ndonjëherë, me një sens tërësish autoritar dhe lidhje të ngushta kriminale. Qëllimi i vetëm i Edi Ramës janë paratë dhe krimi elektoral. Kjo gjë u pa edhe në zgjedhjet e kaluara lokale, si edhe në zgjedhjet e Dibrës. A mund të bëhen zgjedhje të lira dhe të ndershme me këtë qeveri? Ne kemi kërkuar që të ketë ndryshime në sistemin zgjedhor. Duket që Partia Socialiste nuk do që të bëjë Reformë Zgjedhore dhe kjo tregion edhe një herë qartësisht se është e prirur drejt manipulimit zgjedhor. Asnjë reformë në Shqipëri nuk është më e rëndësisshme se Reforma Zgjedhore. Asnjë moment duhet të na pengojë ne, që të vendosim afate, kemi mundësi apo jo. Shqipëria nuk mund të kryejë zgjedhje me kosto në dëm të votës së qytetarëve, në dëm të lirisë së qytetarëve” deklaroi Mediu.
ma.me