Top Channel ekskluzivisht ka mundur të mësojë se tre prej 6 personave të kërkuar nga policia shqiptare për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj janë arrestuar në Angli.
Gjykata e ekstradimeve në Londër përmes postës elektronike konfirmoi për gazetarin e Top Channel Muhamed Veliu, se ata do të dalin mesditën e sotme përpara kësaj gjykate për të vlerësuar masën e sigurisë.
Pasditen e djeshme një gjykatës i gatshëm në Londër i vlerësoi të ligjshme konform legjislacionit anglez urdhër-arrestet e lëshuara disa ditë më parë nga gjykatë e Lezhës.
Top Channel mëson se operacioni për kapjen e tyre është koordinuar nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Policinë Metropolitane angleze dhe agjencinë kundër krimit të organizuar, e njohur si FBI-ja angleze, NCA.
Në këtë seancë një prokuror anglez i cili do të përfaqësojë shtetin shqiptar do t’i lexojë gjykatës kërkesën e Shtetit Shqiptar se përse kërkohen këta persona.
/s.f