-Interviste me gazetaren Fatjona Mejdini-
Nëse do t`i hidhnit një vështrim retrospektiv medias tonë në tranzicion, cilat do të renditnit si arritjet dhe dështimet e saj më të qenësishme?
Në këto 30 vite kaotike të tranzicionit shqiptar media ka qenë një pasqyrë e zhvillimeve politike, ekonomike dhe sociale të shoqërisë sonë. Në të janë reflektuar të njëjtat arritje të rëndësishme dhe pa asnjë dyshim të gjitha dështimet që tranzicioni solli.
Analizimi i medias jashtë kontekstit të zhvillimeve të tranzicionit shqiptar nuk do të ishte realist, në një kohë kur media ka vuajtur të njëjtat arritje dhe dështime, siç ka ndodhur me të gjitha fushat e zhvillimit të shoqërisë shqiptare.
Një nga arritjet kryesore të medias në Shqipëri është liria për të shkruar, jo vetëm opinionin tënd, por edhe për të pasqyruar, analizuar dhe investiguar ngjarjet në mënyrë të paanshme.
Një tjetër arritje, që derivon nga liria, është dhe pluraliteti i medias, që i mundëson hapësirë dhe liri shprehjeje të gjithë zërave në shoqëri.
Nëse do të ndaleshim te dështimet, fatkeqësisht lista do të ishte më e gjatë, por si një nga më kryesorët mund të konsiderohet dështimi i medias për të vendosur interesin e qytetarëve në qendër të ekzistences së saj. Agjendat e medias në përgjithësi janë vendosur nga partitë politike, shpesh edhe nga interesat e grupeve të fuqishme ekonomike në kurriz të interesit të qytetarëve. Media në Shqipëri u lidh ngushtë në këto dekada me termin pronarë, interesat e të cilëve mbizotëronin mbi ato të qytetarëve, të cilëve media duhet t’iu shërbejë.
Një nga zhgënjimet e mëdha lidhet me faktin që sot në vend ka pak media profesionale që kanë besimin e plotë të publikut dhe shërbejnë si busull orientimi për qytetarët. Në fakt sot në shumicë mbizotëron skepticizmi i shqiptarëve në lidhje me rolin e mediave.
Imazhi i medias dhe i gazetarit sot është në një nga pikat më të ulëta historike dhe përmirësimi i tij mund të konsiderohet një emergjencë. Cenimi i këtij imazhi ka ardhur, jo vetëm nga perceptimi se media nuk i shërben publikut, por dhe nga mungesa e profesionalizmit, ku mund të përmendet në mënyrë të posaçme mungesa e etikës.
Kjo situatë po shoqërohet me braktisjen e medias shqiptare nga qytetari, një krizë, e cila kërkon masa energjike për t`u tejkaluar. Mund të bëhet shumë në këtë drejtim, por fillimisht duhet të ekzistojë vullneti i mirë i komunitetit të gazetarëve dhe drejtuesve të medias, si dhe vetëdija se nga kjo braktisje humbasin të gjithë.
Si e gjykoni ecurinë e lirisë së shprehjes dhe të medias gjatë tranzicionit dhe në ç’nivele gjendet aktualisht? A mendoni se gazetarët, redaktorët dhe kryeredaktorët i marrin vendimet në punën e tyre të përditshme mbi bazën e ndërgjegjes profesionale?
Liria e shprehjes në këto 30 vite ka pasur uljet dhe ngritjet e saj në varësi të rrethanave politike dhe sociale në vend. Aktualisht mund të them se media nuk vuan nga liria e shprehjes, por në fakt ajo karakterizohet kryesisht nga papërgjegjshmëria e të shprehurit.
Kjo absolutisht nuk do të thotë që puna për sigurimin e lirisë së medias ka përfunduar.
Në fakt, kjo përpjekje duhet të mos ndalet asnjëherë, duhet luftuar çdo ditë.
Liria e mediave nuk duhet të merret e mirëqenë dhe këtë e ka treguar, jo vetëm historia, por edhe e tashmja, ku shumë demokraci të konsoliduara kanë bërë hapa pas për sa i përket lirisë së medias.
Por aktualisht në Shqipëri askush nuk është i ndaluar të shfaqë opinionin e tij, të raportojë apo të hetojë afera. Sot mungon profesionalizmi në kryerjen e këtyre detyrave. Shpesh opinionet kanë mungesë të theksuar etike, raportimet janë të varfra, me standard të ulët profesional dhe investigimet shumë shpesh janë një formë presioni për përfitime.
Këtu është e rëndësishme të theksohet, jo vetëm çfarë media sot pasqyron, por edhe çfarë media nuk zgjedh të pasqyrojë. Shumica dërrmuese e mediave në Shqipëri sot nuk duket se është e interesuar të ndjekë tema me interes të lartë publik dhe kombëtar ose, edhe nëse kjo ndodh, raportimi është shpesh sipërfaqësor dhe spekulativ. Media sot është e interesuar të raportojë për individët dhe jo fenomenet, është e prirë të argëtojë, më shumë se sa të informojë dhe edukojë.
Ashtu siç e thashë dhe më sipër, fatkeqësisht media në Shqipëri është e dominuar nga kultura e pronarit dhe shumë shpesh gazetarët, redaktorët dhe kryeredaktorët nuk kanë forcën që të marrin vendime të rëndësishme në median ku ata janë të punësuar. Vendimet për politikat editoriale, në vend që të udhëhiqen nga profesionalizmi, shpesh udhëhiqen nga interesat politike dhe ekonomike të pronarit.
Sot po përjetojmë, nga njëra anë një krizë të medias, por njëherësh edhe një revolucion të saj. Në ç’raport mendoni se janë mediat tradicionale dhe mediat e reja në vendin tonë dhe cili është ndikimi i këtyre të fundit?
Mendoj se mediat e reja, të zhvilluara në hapësirën e internetit në Shqipëri, i kontribuan më tej lirisë së medias në vend, por, nga ana tjetër, ironikisht e thelluan edhe më shumë krizën e besimit të shqiptarëve ndaj mediave.
Ajo që shumë gazetarë keqkuptuan, ishte fakti se përmes përparësive falë teknologjisë së re tashmë kushdo mund të zotëronte një media. Brenda një kohe të shkurtër, si kërpudha pas shiut, në hapësirën shqiptare të internetit mbinë qindra të ashtuquajtura media të reja, të cilat premtuan se do t`i përçonin publikut lajme të pacensuruara dhe larg interesave shtypëse të pronarëve të mediave tradicionale.
Mendjelehtësisht u gjykua se një redaksi e strukturuar gazete apo televizioni mund të zëvendësohej me një portal online me 2-3 gazetarë. Kjo mendësi solli problematika të mprehta, duke shkatërruar së pari traditën e gazetarëve të specializuar, të cilët duhet të dilnin në terren për të grumbulluar informacion dhe më pas t’ia përçonin atë publikut. Kjo media krijoi gazetarë, të cilët, në vend që të prodhonin lajme, shpërndanin në rrjet dhjetëra copëza informacioni sipërfaqësor dhe sensacionalistik, në kërkim të sa më shumë klikimeve dhe pëlqimeve.
Shumë struktura të tjera të medias tradicionale, si redaktori dhe korrektori letrar, u eliminuan, duke e bërë pjesën dërrmuese të medias online të vuajë nga mungesa të theksuara profesionalizmi.
Media tradicionale, e ndjerë e kërcënuar nga ky zgjerim i mediave të reja, rriti praninë e saj online. Por fatkeqësisht, në vend që të kontribuonte pozitivisht dhe të rriste cilësinë e informacionit, u përfshi gjithashtu në një garë sensacionalizmi dhe përpjekjeje për të fituar pëlqime me çdo çmim.
Sot mund të themi që media online është duke e fituar betejën e audiencës me publikun, por kjo nuk është medoemos një lajm i mirë për gazetarinë në Shqipëri, për shkak se kjo botë po i ngjan çdo ditë e më shumë një xhungle pa rregulla, ku publikut gjithmonë e më pak po i ofrohet gazetari cilësore.
Shkeljet flagrante të etikës dhe cenimi i privatësisë janë gjithashtu probleme të mëdha që media online ka krijuar. Për shembull, sot jemi përpara realitetit, kur një nga mediat më të mëdha online, që ndiqet nga 2 milionë shqiptarë dhe që merr një pjesë të konsiderueshme të tregut të reklamave në vend, nuk ka asgjë të përbashkët me funksionin e medias, por është e bazuar mbi sensacionalizmin, thashethemet dhe cenimin e privatësisë së qytetarëve të thjeshtë.
Një tjetër problem i mprehtë është dhe shpërndarja e lajmeve të rreme nëpër këto platforma, si edhe e lajmeve me qëllime shantazhi. Përdorimi i këtyre mediave nga politika apo edhe nga qendra të tjera pushteti është i rrezikshëm.
Ndonëse media online afërsisht po mbush një dekadë nga krijimi i saj në Shqipëri, komuniteti i gazetarëve ka dështuar ta vendosë këtë media në shinat e vetërregullimit. Është e një rëndësie të jashtëzakonshme që kjo të ndodhë sa më shpejt dhe, nga ana tjetër, të investohet më shumë për rritjen e kapaciteteve për median online dhe zhvillimin profesional të gazetarëve në të.
Gazetaria duket se po kalon një periudhë krize kudo në botë. Media e pavarur has vështirësi të mbijetojë në një treg, ku mbizotëron sensacionalizmi, klientelizmi politik dhe lajmet e rreme. Si e shihni të ardhmen për gazetarinë e pavarur në vitet në vijim? Jeni optimiste apo pesimiste?
Mendoj se sot vendi ka nevojë dhe madje edhe treg për media të pavarura, profesionale, në një kohë kur edhe publiku i gjerë po e ndjen nevojën e gazetarisë cilësore dhe po përjeton një lodhje nga sensacionalizmi. Kjo është parë me interesin e lartë publik që është treguar ndaj disa ndërmarrjeve të vogla mediatike, të cilat, duke u mbështetur me fonde nga partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë, ia kanë dalë që të krijojnë gazetari cilësore dhe investigime me ndikim në shoqëri.
Mendoj se mbështetja e ndërkombëtarëve në kuadër të fuqizimit të mediave të pavarura në vend duhet të vijojë, në kushtet kur kjo fushë konsiderohet se është ende në tranzicion.
Përveç gjenerimit të të ardhurave nga reklamat, mendoj se media duhet të rrisë pavarësinë e saj financiare, duke konsoliduar në radhë të parë produktin që ajo ofron. Publikimi online i informacionit nuk do të thotë që ai mund të jetë falas. Media online duhet të dakordësohet për të vendosur abonimin si një kusht për të pasur akses të plotë në informacion, një praktikë kjo e pranishme në median komerciale në të gjithë botën dhe që e ndihmon median të gjenerojë të ardhura nga produkti i saj. Po kështu, donacionet nga publiku për një gazetari të pavarur duhet të nxiten sa më shumë.
Nga ana tjetër, media në kuadër të diversifikimit të mund të ofrojë shërbime të caktuara për kompani vendase dhe të huaja.
Sigurisht që në asnjë kohë dhe në asnjë vend të botës nuk është i lehtë krijimi i një modeli të qëndrueshëm të medias së pavarur, por unë parapëlqej të jem optimiste se gjërat në vitet në vijim do të ndryshojnë për mirë. Mendoj se sot publiku shqiptar është më i kultivuar dhe më kërkues; disa sektorë kyç të vendit janë në konsolidim e sipër dhe po kështu mundësitë dhe njohuritë për bërë gazetari të paanshme sot janë të pafundme. Të gjitha këto japin shpresën se në një të ardhme të afërt media në Shqipëri do të dalë nga tranzicioni kaotik dhe problematikat që sollën zhvillimet e vrullshme të teknologjisë për të hyrë në shtratin normal të misionit të saj në shoqëri.
Si do ta shihnit qasjen e medias ndaj problematikës së korrupsionit në vend dhe a gjykoni se gazetaria investigative mund të bëjë më shumë në këtë drejtim?
Këto tri dekada të tranzicionit shqiptar kanë qenë të shënjuara nga korrupsioni masiv, i cili është një nga shkaktarët kryesorë për gjendjen e vështirë në të cilën ndodhet vendi edhe sot. Sigurisht që media në kohë dhe kapacitete të ndryshme ka dhënë kontributin e saj në ekspozimin e korrupsionit, por në këtë drejtim ka ende shumë për të bërë. Lufta kundër korrupsionit duhet të konsiderohet një përparësi kombëtare dhe në këtë kuadër media ka një rol të çmuar dhe të pazëvendësueshëm.
Ekspozimi me kurajë dhe fakte i korrupsionit, kryesisht atij në nivel të lartë, është një nga detyrat kryesore të medias, jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botë. Mendoj se në këtë drejtim në vend ka ende shumë punë për të bërë dhe çdo kontribut do të ishte i mirëpritur.
Një gazetari aktive në luftën kundër korrupsionit do të bënte që ajo të fitonte respektin e publikut dhe të ndihmonte në rikthimin e besimit të tij te media në vend.