Stina e nxehtë rrit rrezikshmërinë për jetën e qytetarëve jo vetëm në aspektin shëndetësor, por edhe ne shtimin e numrit të aksidenteve, mbytjeve apo rënies së zjarrit për arsye aksidentale apo natyrore. Me të gjitha këto, ai që ne e njohim me emrin Shërbimi Zjarrfikës duhet të përballet dita-ditës, ndërsa pajisjet e punës, efektiviteti për t’iu përgjigjur qytetarëve dhe shpejtësia në kohë janë elementë që kërkojnë përmirësim çdo ditë e më shumë.
Në një vizitë në stacionin zjarrfikës të Tiranës, mesojmë se rastet e zjarrit në kryeqytet numërohën minimalisht 6 raste në ditë. Këto janë thirrje që i vijnë vetëm stacionit qëndror, pasi Tirana ka stacione të tjerë në Kombinat, Kamëz, Qytet Studenti dhe pranë Tunelit të Elbasanit.
Punonjësit e Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit shprehen se prej vitti 2013 reparti ka pësuar një ndryshim total. Kjo jo vetëm sa i përket godinës dhe kushteve të përgatitjes fizike, por edhe sepse 70% e pajsijeve janë rinovuar ndërsa komunikacioni tashmë bëhet permës radiove. Kjo e fundit, një risi në këtë shërbim pasi deri dje zjarrfikësve u duhej të bërtisnin nga kati i parë në atë të pestë për të lëshuar ujin.
E megjithëse rastet në Tiranë numërohen me gishtat e dorës, problematike mbeten zonar rurale ku përveç zjarreve për shkaqe natyrore që sjell vapa, hasen edhe zjarrvënie nga vetë banorët për të hapur tokat që i kanë zënë shkurret dhe bimë të tjera të këqija. Gjithashtu, për shkak të temperaturave të nxehta, punonjësit e shërbimit në fjalë përballen thuajse përdite me raste të automjeteve që marrin flakë për shkak të amortizimi apo gjatë një aksidenti automobilistik.
Shqetësuese për efektivët e PMNZSH mbeten edhe rrugët e bllokuara nga trafiku, hyrjet e ngushta për shkak të ndërtimeve si dhe bashkëpunimi me qytetarët. Drejtuesit e PMNZSH Tiranë bëjnë thirrje për përdorimin e numrit 128 nga qytetarët për të paralajmëruar raste që nga një bombël familjare e cila shfaq shenjat e para të rrezikshmërisë, e deri te denoncimi i karburanteve apo pikave të tregtimit të gazit ku vërehen shkelje apo ka dyshime. Por numërohen edhe dhjetëra raste kur qytetarët tallen përmes telefonit duke dhënë alarme të rreme.
Të lodhur në një farë mënyre nga përpjekjet për t’iu gjendur më pranë banorëve të kryeqytetit dhe zonave përreth, zjarrfikësit shprehen se problematikë e veçantë mbetet edhe furnizimi me ujë. Drejtori i PMNZSH të Qarkut Tiranë, Shkëlqim Goxhaj, shprehet për revistën ‘Java’ se idelae do të ishte vendosja e hidrantëve të ujit në zonat më të populluara, apo aty ku automjeti nuk mund të hyjë për shkak të hyrjeve të ngushta që janë krijuar prej ndërtimeve pa kriter.
Këto hidrantë do të bënin të mundur që punonjësi i zjarrfikëses të montonte vetëm tubin dhe pompën për të marrë ujin dhe jo të varej nga automjeti. Po ashtu, hidranti që nuk është aspak një luks pasi shumë vende të botës i kanë të montuara në trotuare, do të bënte të mundur që automjeti i PMNZSH të mos kthehej disa herë për t’u furnizuar me ujë. E megjithëse projekti mbetet një zgjidhje ideale, djemt dhe vajzat zjarrfikës mbeten heronj të heshtur gjer atëherë pasi pakkush e njeh punën e tyre 12 orëshe dhe në kushte të vështira e që kërkon përgatitje fizike të lartë. Kjo sepse ato nuk fikin thjeshtë zjarre duke mbajtur një tub në dorë, por japin ndihmën e parë, zbresin njerëz të bllokuar në godina në katet e larta, kontrollojnë pikat e karburanteve, biznese dhe çdo subjekt tjetër që kanë detyrim të kenë bombël fikëse si dhe ndërhyjnë në rastet e përmbytjeve duke vënë në dispozicion pompat për lëvizjen e ujit etj.
Në një intervistë për revistën ‘JAVA’, drejtori i PMNZSH të Prefekturës Tiranë, Shkëlqim Goxhaj, flet për vështirësitë e periudhës korrik-gusht. Ai thekson se qytetarët duhet të jenë më bashkëpunues dhe të njëjtën gjë kërkon edhe nga Policia e Shtetit. Sipas tij, 70% e rasteve të zjarrit në pyje janë të qëllimshme dhe autorët duhet të vendosen para drejtësisë. Goxhaj thekson se plazhi i Spillesë është kthyer në shqetësim për shkak të përdorimit të skarave, ndërsa kërkon edhe avionë zjarrfikës që Shqipërisë i mungojnë, kur Mali i Zi dhe Maqedonia kanë nga tre të tillë.
Z. Goxhaj, sa efektivë numëron ka shërbimi zjarrfikës në të gjithë Qarkun e Tiranës?
Ne jemi 133 efektivë ku përfshihen oficerët, administrata dhe policët në terren. Por, ky numër nuk është i mjaftueshëm për të përballuar fluksin e punës në një qark me mbi 1 milion banorë. Kjo sidomos gjatë stinës së verës dhe më konkretisht në periudhën korrik-gusht ku nevojiten të paktën 30% shtim të efektivëve.
A mund të na thoni disa prej problematikave gjatë kësaj stine?
Problematikat më të mëdha janë zonat e plazheve dhe kullotave. Gjithashtu periferitë e qyteteve si Tirana, Kamza, Vora, Kavaj dhe Rrogozhina. Hasim thuajse përditë raste të zjarrvënieve të qëllimshme për të hapur kullota apo toka për ndërtime. Sa i përket plazhit, sidomos në zonën e Spillesë ku halat e thata të pishave janë më të dendura, kemi raste të marrjes zjarr të tyre. Unë dua t’i bëj thirrje qytetarëve të tregohen të kujdesshëm dhe të shmangin përdorimin e skarave për gatim në zonat e plazhit apo kodra e male. Duke qenë se në Spille fenomeni ka qenë më i dukshëm, ditën e shtunë ne do të nisim edhe një grup për inspektim.
Sa raste zjarri ka në muajt korrik-gusht?
Në fakt numërohen rreth 10 rastë zjarri. Shqetësuese është zona e Lekajt në Kavajë, ndërsa në kryeqytet kemi pasur rreth 3 ngjarje çdo ditë, por të parrezikshme dhe të shkaktuara nga pakujdesia e qytetarëve. Ajo që kërkojmë ne si shërbim zjarrfikës është që Policia e Shtetit t’i vejë para drejtësisë personat që janë shkaktarë për djegiet e qëllimshme. Mendoj se vetëm duke i ndjekur penalisht dhe dënuar, do të eliminohen rastet e tilla. E them këtë sepse mbi 70% e rasteve të zjarreve në pyje janë të qëllimshme.
Silat janë vështirësitë që hasni dhe a keni menduar për zgjidhjen e tyre?
Vështirësitë kryesore lidhen me infrastrukturën në zonat më kodrinore të qarkut. Me formimin e bashkisë së madhe ne do t’i kërkojmë asaj që të ngrejë infrastrukturën pasi mjetet tona nuk mund të mbërrijnë në vendngjarje. Shumicën e rasteve jemi të dëtyruar të shkojmë gjer aty ku na lejon rruga e më pas të nisemi në këmbë për të parë çfarë kontributi mund të japim.
Ndërkohë, në të ardhmen ne parashikojmë që të kemi të paktën 2 avionë zjarrfikës. Është e patolerueshme që Mali i Zi apo Maqedonia, që janë vende më të vegjël se ne, të kenë 3 të tillë ndërsa ne asnjë. Mendoj se kjo duhet parë në prespektivë. Sa i përket vendosjes së hidrantëve që i kemi kërkuar prej kohësh, ne kemi nisur t’ua kërkojmë edhe bizneseve të mëdha që të vendosin një të tillë për të furnizuar automjetin zjarrfikës pranë vatrës në rast zjarri.