Me “Nobel”, por pa diplomë
Tu Youyou është bërë e para femër kineze që fiton një çmim “Nobel” në Mjekësi, për punën e saj për të krijuar një ilaç kundër malaries. Por rruga e 84-vjeçares drejt kësaj arritjeje ka nisur nga mjekësia tradicionale kineze.
Fituesja e “Nobelit” në Mjekësi për vitin 2015 në fakt nuk ka doktoraturë, as diplomë në këtë degë. Ajo ka ndjekur një shkollë për farmaci në Pekin. Menjëherë pas përfundimit të saj, ajo u është përkushtuar kërkimeve në Akademinë e Mjekësisë Tradicionale Kineze.
Në Kinë, ajo quhet fituesja e tre JO-ve: pa diplomë në mjekësi, pa doktoraturë dhe pa punuar ndonjëherë jashtë vendit.
Youyou i filloi kërkimet për malarien pasi u bë pjesë e një njësie sekrete qeveritare të quajtur “Mission 523”. Në vitin 1967, lideri komunist Mao Ce Dun, vendosi nisjen e kërkimeve shkencore për gjetjen urgjente të një kure kundër malaries. Në atë kohë, malarja e shpërndarë nga mushkonjat po vriste ushtarët kinezë, të cilët luftonin kundër amerikanëve në xhunglat e veriut të Vietnamit. Njësia sekrete u krijua me qëllim gjetjen e një kure.