Nga Edison Ypi
Pas përvojave sporadike fëmijnore para ushtrie, pak gjatë ushtrie, por sidomos pas ushtrie, kisha realizuar një mardhënie të qëndrueshme me radion, dëgjimin e radios.
Televisionet ende s’kishin shpërthyer. Ishin në shpërgënj. Në shtëpitë e ca të rrallëve që kishin televizor, gjatë mbrëmjeve të Sanremos mblidheshin cip mbi cip edhe 100 apo 200, a më tepër të etur për të parë e dëgjuar.
Kur ndërkohë këngëtarë, kompozitorë, konduktorë, prej vitesh i kishin degdisur nëpër baltra dhe burgje për mungesë partishmërie muzikore, e pabesueshme por e vërtetë, për ta parë e dëgjuar Sanremon nuk të pengonin.
Me radion ishte pak më ndryshe.
Dy radiot italiane, Zëri i Amerikës më të rrallë për shkak të besueshmërisë së ulët, BBC shqip që u mbyll qysh herët, por edhe Radio Praga dhe Radio Montecarlo, ngopnin deridiku dëshirën e atëhershme të atyre që dëgjonin fshehtas për tu ndjerë sado pak banor normal i rruzullit në këtë vend të skëterrshëm.
Thoshin: S’ka më shurdh se ai që s’do të dëgjojë.
Ose për ndonjërin që çeku dëgjonte ndonjë kanconetë italiane lotndjellëse zemërçjerrëse:
Filani është me 1 vesh midis shurdhave.
Nëse nga pakujdesia apo budallallëku i bëje të ditur dikujt se dëgjoje radio të huaja, i kishe thënë byrum belasë.
Rreziku më i madh vinte nga komshiu. Që mund të dukej burrë i urtë e i butë. Por s’kishe asnjë siguri në çfarë bishe do shndrrohej nëse dëshira apo rrethanat do e çonin te Sigurimi për t’i thënë: Shoku Sigurim, e dëgjova nga oxhaku i sobës, tjetri matanë murit tim po e çon radion stacion më stacion. Duhet ruajtur mos marri rrugë të keqe dhe bie në prehër të borgjezisë. Të marrim masat e duhura për të mos infektuar të tjerët me atë ves. Si thoni ju shoku Janaq, në cilat baltra duhet hedhur ai derr borgjez ? Me anën e një iniciative rinore të një shkolle të mesme ta urdhërojmë fabrikën e radiove në Durrës që radiot “Fatosi” dhe “Iliria” t’i shesi pa atë spangon që ndërron stacionet. Dhe atë mekanizmin që mundëson kalimin aq të kollajtë nga njëri te tjetri qytet borgjez ta bllokojë, ta betonojë, ta saldojë, te Radio Tirana.
Një shok nja dy vjet më i ri se un, ushtar në një repart ndërlidhje, më solli një palë kufje ushtarake kineze me hark metalik dhe gomina që i mbulonin mirë veshët. Me sa duket parimi shpëtimtar “kam te puna” funksiononte edhe në variantin “kam te reparti”.
I çpova radios shpejteshpejt nga anash me tyrjelë një vrimë për të fiksuar femrën e fishës së kufjes. Dy telat e fishës i lidha me altoparlantin. Të njëjtin marifet ja bëra më vonë të gjitha radiove dhe televizorave që përdora.
Dhe rash’ rehat.
Me kufje, hordhia e spiunave që më rrethonte nuk dëgjonte çfarë unë dëgjoja, dhe unë nuk dëgjoja çfarë ata lehnin.
Ato kufje u bënë shkelmi i parë që u dhashë komshinjve, ulurimave, piskamave, radiove të mëhallës që tundnin dheun që në 5 të mëngjezit me sukseset e kooperativave, fabrikave, festat, parakalimet, paradat, tribunat.
Kufjet prisheshin nga përdorimi. U griseshin gominat. U këputeshin telat. Çahej membrana vibruese e zërit. Fal Zotit nuk mungoi kurrë dikush të më ngushëllonte: S’ka problem, “mos u mërzit”, të sjell një palë të reja “kam te reparti”.
Lajme, biseda, intervista, muzikë.
Kush i kishte shpikur vallë kufjet shpëtimtare ? Balzaku apo Pushkini?
Me kufje nuk më spiunonin dot. Mund të dëgjoja çfarë të doja. Duke zeruar distancën mes zërit dhe trurit, hyra në një botë tjetër, pa mbledhje kolektivi, pa frikëra, pa halle meskine.
Falë kufjeve mu bënë të paharrueshëm, Ruggero Orlando, Sandro Paternostro, Roberto Gervaso, Indro Montanelli, Enzo Biagi, Jas Gavronski, Demetrio Volcic, si dhe artistat Joan Baez, Joe Cocker, Janis Joplin, e të tjerë e të tjerë. Më çmendëte “Hey Amerika” e James Brown që jepej te “Disco su Disco”. Po ashtu i përnatëshmi “Supersonik” etj.
Pakngapak me kalimin e kohës rraqet me kufje të prishura dhe kabllo të shqyera dhe të tjera vegla radiofonike, si llampa, kondensatorë, rezistenca, llamarina, që u tepronin ustallarve që heraherë ndreqnin radion, bëheshin një thes që heraherës e zbrazja me trasta larg shtëpisë.
Një herë, dikush që më solli një palë kufje të reja ma ngriu gjakun.
-Pse të duhen këto kufje ? tha, me cilën ambasadë je lidhur ? Dhe ja plasi të qeshurit.
Në tjetër më tha: A qerrata-qerrata. Po i përdor kufjet si prezervativ për vesh që të mos mbarsesh me Marksizëm-Leninizëm.
Një natë po më zinte gjumi duke dëgjuar me kufje “The Sound of Silence”. “Hello darkness, my old friend, I’ve come to talk with you again…” ma largoi gjumin. Heu, pra gjumin ta nxirrkan më kollaj muzikat e buta se ato të forta.
Kufiet drogë e parrrezikshme, ishin të mrekullueshme.
Me kufje në kokë mora vesh largimin e amerikanëve nga Vietnami, vdekjen e Mao Ce Dunit, vitet e plumbta në Itali, vrasjen e Aldo Moros, Solidarnoshin, vekjen e ezhdërhasë, fatin e merituar të çiftit Çaushesku etj. Nuk besoj se këto dhe të tjera ngjarje do më kishin bërë të njëjtin efekt pa kufje.
Kufja e zgjidhi problemin: të mos më dëgjonin çfarë dëgjoja. Por solli problemin tjetër: të mos më zbulonin se dëgjoja me kufje. Se, sipas shokut Haleja, pa kufje dëgjoje kanconeta, me kufje mbaje lidhje me NATO-n, Flotën e shtatë që sillej nëpër Adriatik e etur për gjak, çka ishte goxha më e rëndë dhe e dënueshme se të dëgjoje, ta zemë, “L’amore è uno zingaro” apo “Just say I love her”.
U përpoqa por nuk munda të bind askend ta dëgjonte radion dhe televizorin me kufje.
Pas 90-ës kufjet duhej t’i flakja. Por ishte tepër vonë. Tashmë kufjet më ishin bërë zgjatime të trupit, gjymtyrë atavike. Isha shndrruar në një ndërkallje të mishit me metalin. Si shartimi i fasuleve të Korçës me bizele Roskoveci, që del Shegë Karavastaje.