Një përqafim i kapur nga kamera gjatë një koncerti të Coldplay mund të shndërrohet në një betejë të bujshme ligjore me pasoja të papritura për grupin legjendar britanik.
Andy Byron, ish-drejtori ekzekutiv i kompanisë “Astronomer”, është në prag të ngritjes së një padie ndaj Coldplay dhe organizatorëve të koncertit, duke i akuzuar për cenim të privatësisë, dëmtim të imazhit dhe shkaktim të shqetësimit emocional, pas incidentit që u bë viral në rrjetet sociale.
Ai madje pretendon se është kthyer në objekt talljeje globale, për shkak të asaj që ai e cilëson si një inskenim publik të turpshëm.
Sipas burimeve për “Page Six”, Byron po mendon të ndërmarrë veprime ligjore pasi pamjet që e tregonin atë duke përqafuar Kristin Cabot, shefen e burimeve njerëzore në “Astronomer”, u transmetuan në ekranin gjigant të koncertit dhe më pas u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale.
Ai thuhet se fajëson liderin e grupit Coldplay, Chris Martin, për komentin që ky i fundit bëri gjatë koncertit, ku dyshja u paraqit si në një “aventurë romantike”. Një avokat i specializuar për çështje civile, Camron Doëlatshahi nga MSD Lawyers, deklaroi për “Page Six” se nëse Byron vendos të padisë, ai mund të mbështetet edhe në pretendimin për shpifje, duke u përqendruar në mënyrën si Martin e karakterizoi marrëdhënien mes tij dhe Cabot.
“Një pretendim i mundshëm mund të jetë për shpifje, sidomos nëse zoti Martin ka sugjeruar publikisht një lidhje jashtë pune mes dy kolegëve,” u shpreh Doëlatshahi.
Ndërkohë, një burim pranë “Byron” u shpreh: “Ai nuk dha pëlqimin për t’u filmuar apo për t’u ekspozuar publikisht në atë mënyrë. Mendon se Coldplay e shndërroi në një meme pa dëshirën e tij. Për të provuar shpifjen, Byron duhet të vërtetojë se nuk ka pasur asnjë lloj marrëdhënieje intime me Cabot”, theksoi avokati.
Ngjarja ka shkaktuar jo vetëm trazira personale për Byron, por edhe pasoja profesionale, pasi ai është larguar tashmë nga kompania që drejtonte. Ende nuk ka një reagim zyrtar nga Coldplay apo përfaqësuesit e tyre ligjorë.











