Nga Jakin Marena
Serbia preku fundin me rrëmbimin e 3 policëve shqiptarë brenda territorit të Kosovës. Tensionoi rëndë situatën dhe për këtë s’ka asnjë dyshim. Jemi të prirur të besojmë të gjitha shpjegimet e policisë së Kosovës, ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla dhe kryeministrit Albin Kurti për këtë ngjarje të rëndë.
E pranojmë apriori faktin se 3 efektivë të forcave speciale serbe kanë hyrë në brendësi të territorit të Kosovës dhe kanë rrëmbyer 3 policët shqiptarë atje, duke ngritur një ‘oktavë’ më lart tensionin në veri të vendit. Ndonëse është e udhës që të presim dhe qëndrimin zyrtar të KFOR, njësitë e NATO-s të cilat janë të ngarkuara sipas marrëveshjejeve kuadër të gjithëpranuara për të garantuar sigurinë e kufijve të Kosovës, në lidhje me këtë rrëmbim.
Por shumë pikëpyetje na lindin, teksa e analizojmë në mënyrë të detajuar dhe lineare rrëmbimin e tre policiëve të Kosovës nga tre specialët serbë, brenda territorit të shtetit të Kosovës dhe faktin se kush përfiton nga ky incident, që vjen pas arrestimit të drejtuesit të protestës serbe që çoi në plagosjen e 30 pjestarëvë të KFOR në Veri.
Në krye të herës, në një situatë të tensionuar, me përplasje të forta në veri të Kosovës, me trupat e KFOR në kufi dhe ku përballë janë trupat e ushtrisë së Serbisë, që kanë ulur vetëm një shkallë më poshtë gatishmërinë, pyetja që të del vetëvetiu është se çfarë donin tre policët shqiptarë afër kufirit. Dhe pse mbi 1 kilometër larg kufirit, brenda territorit të Kosovës, sikurse e besojmë Kurtin, që këmbëngul se kanë qënë. Dhe e besojmë se kanë qënë. Po çfarë kërkonin atje. Çfarë kontrabande do luftojnë ata afër kufirit, teksa vetëm një rrugë kishte dhe atë mund ta bllokonin pak më thellë në territorin e Kosovës. Për më tepër që janë në ‘gjendje lufte’ sikurse deklarohet, dhe Kosova nuk e ka luksin të ‘luftojë korrupsionin’ në rrugët dytësore.
E dyta, për hyrjen në këtë zonë të tre policëve shqiptarë a është njoftuar komanda e KFOR siç është dhe e parashikuar, përgjegjëse për tërë brezin kufitar. Apo e kanë mbajtur sekret dhe këtë lëvizje drejtuesit e policisë së Kosovës, se ‘mos dekonspirojnë aksionin” trupat e KFOR? Të kuptohemi, Serbia dhe Vuçiç janë tërësish fajtorë dhe meritojnë masat më të rrepta nga partnerët tanë, por ne duhet të shohim a kemi në rregull ‘shtëpinë tonë’! Që të mos ndodhë sërish.
E treta, kush ka dhënë urdhër për këtë lëvizje të forcave policore pa lajmëruar KFOR, pasi teksa dëgjojmë Kurtin që flet në pikë të sabahut me hartë në dorë se ku kanë lëvizur 3 policët e Kosovës, ku janë rrëmbyer, pasi nuk po merret vesh nëse kanë qënë agjentë doganorë apo policë.
Dhe ai që ka dhënë urdhër, pa asnjë konsultim për të vepruar afër brezit kufitar a duhet të ishte shkarkuar deri më tani. Flasim për ministrin e Brendshëm dhe drejtorin e policisë së Kosovës. Do qetësoheshin dhe familjarët e policëve të rrëmbyer, të cilët kanë pasur kontakte vetëm me Ministrinë e Jashtme të Kosovës, a thua kanë qënë roje të godinës se institucionit që drejtohet nga Gërvalla dhe jo policë të Sveçlës. Tani vonë, shkoi dhe Kurti dhe i takoi.
Dhe meqë po shohin një aplitudë në rritje të “trimërisë” se Kurtit, trim pas lufte me një fjalë se kur ishte koha për të shprazur ndonjë fishek, gjatë epopesë së lavdishme të UÇK, as që e provoi, madje ishte dhe kundër bombardimeve të NATO-s, si ka mundësi që kjo polici, më e përgatitura dhe e trajnuara ndër vite po sipas Kurtit, të paralizohet e të rrëmbehet brenda territorit të Kosovës nga e njëjta njësi në numër prej tre vetësh, e specialëve serbë. Armët me vete i kishin, të paktën në hava ta shpraznin ndonjë batare automatiku, sa për të thënë se janë gjallë.
Na bën për të dyshuar jo në trimërinë e tyre, por si ka mundësi që u morën para duke u tërhequr zvarrë, u filmuan mirë e mirë duke na marrë erzin para gjithë botës, duke degjeneruar policinë dhe shtetin e Kosovës, pa bërë asnjë kundërshti, duke i kaluar në pjesën serbe. Këtu del pyetja: kujt i shërben kjo mënyrë ‘paqësore’ rrëmbimi i tre policëve të Kosovës nga tre specialë serbë.
Vuçiçit i shërben, për situatën politike brenda Serbisë, pasi ai po demonstron forcë dhe ka prekur serbët pikërisht në ‘dellin’ e tyre të nacionalizmit, duke ngritur kuotat politike, teksa ka nëpër këmbë opozitën që po kërkon largimin nga Presidenca, ndërkohë që ka në fillesë ngritjen e një partie të re. Eshtë ngushtë politikisht Vuçiçi dhe kjo ngjarje i shërbeu goxha. Do t’i shërbëjnë dhe për shkëmbim, ndoshta të drejtusin serb të protestave që gjendet në burgjet e Kosovës. Ose për të rritur pazarin me ndërkombëtarët, pasi Escobar del të premten para mediave për të thënë fjalën e fundit të SHBA për situatën në Veri të Kosovës, dhe masat që do marrin.
Po Albin Kurtit, i kanë shërbyer policët e rrëmbyer? Mund të themi se i kanë shërbyer qëndrimit të tij për të zvarritur nënshkrimin zyrtar të marrëveshjes së Ohrit, që ka në një nga pikat e saj dhe krijimin e Asociacionit të komunave serbe në Veri të Kosovës, kërkesë kjo e panegociueshme e patrnerëve ndërkombëtarë. E kërkojnë me patjetër, madje shumë shpejt.
Kurtit i ka shërbyer kjo situatë e tensionuar, pikërisht në skadencë të ultimatumit të dhënë nga SHBA dhe BE për qetësimin e situatës në Veri, por dhe si reagim ndaj masave shtrënguese të BE që kanë përjashtuar takimet me drejtuesit e lartë të qeverisë së Kosovës, kanë hequr afër 400 milionë euro financime të BE për Kosovën dhe elementë të tjerë ndëshkues. E deklaroi dhe zëdhënësi Stano se masat kanë nisur. S’duan t’i quajnë sanksione dhe mirë bëjnë.
Albinit i volit dhe për të sulmuar ndërkombëtarët se pse nuk ruajnë kufirin përmes KFOR por lejojnë specialët serbë të depërtojnë brenda territorit të Kosovës, madje dhe të rrëmbejnë tre policë shqiptarë, që veç Kurtit askush nuk e di se pse u gjendën afër kufirit. Për t’u thënë partnerëve auro-atlantike që “ju nuk kryeni detyrat tuaja në Kosovë, ca kërkoni nga unë”. Madje i kërkon në mënyrë ultimative KFOR-it që të urdhërojë Serbinë që të kthejë 3 policët e rrëmbyer. Duke i kujtuar pikën 4 të marrëveshjes së Kumanovës.
E tha të mërkurën dhe në mëngjesin e së enjtes se ndërkombëtarët janë përgjegjës për kufirin, anipse Kurti nuk ka biseduar ka kohë me asnjë nga përfaqësuesit ndërkombëtarë që garantojnë sigurinë e Kosovës. Ka mbyllur veshët, sytë dhe ka hedhur ‘celularin’ në lumin Ibër me sa duket. Nuk bisedon me askënd, jo më të marrë ndonjë mendim dhe praktikisht është jashtë kontrollit.
Këtë e pranoi dhe KFOR, të cilët nuk ishin në dijeni të luftës kundër kontrabandës që tre policët sipas Kurtit, kishin ndërmarrë në afërsi të kufirit me Serbinë. Pse policia e Kosovës nuk lajmëroi. Dhe ajo që na bën të dyshojmë është nxitimi për t’i kërkuar llogari KFOR dhe për t’i bërë të ditur se si përgjegjës për kufirin, duhet të jetë po ai që duhet të merret me fatin e kthimit të 3 policëve të rrëmbyer nga serbët. Madje e kërkon me këmbëngulje dhe shpejt një qëndrim të KFOR. Një ditë më parë Kurti bënte si “trim” në zyra, se e mbronte vetë Kosovën e qytetarët e saj.
Ajo që duhet të pranojmë është se Kurti ka shumë probleme me orientimin karshi partnerëve tanë ndërkombëtarë. Nuk mund ta akuzojmë as për tradhëti, pasi kështu mendon shpresojmë dhe këtë jep, nuk mund ta akuzojmë as se i do të keqen Kosovës me koshiencë, por me veprimet që kryen ka vënë në rrezik ekzistencën e shtetit të Kosovës, ku siguria garantohet nga aleatët tanë SHBA, Britania dhe BE përmes trupave të NATO-s. Ndërsa Kurti nuk i pyet, madje dhe i sulmon ashpër, duke dhënë herë pas here mesazhin se ata po favorizojnë Serbinë në kurriz të Kosovës. Madje duke i quajtur dhe ‘naivë’, siç bëri me sekretarin Blinken.
E themi këtë sepse Kurti jo se nuk di po nuk do që që të ndajë strategjinë e tij politike që ka përdorur në opozitë, i cilësonte të gjithë politikanët që mbështetën e nënshkruan marrëveshjen me Serbinë që më 2013 një pikë e së cilës ishte dhe Asociacioni i komunave serbe në veri, si tradhëtarë dhe shitës të interesave të kombit.
Aq luftarak ka qënë në mbrojtjen e kësaj ideje, sa ka provuar dhe dhunën policore të asaj kohe, teksa rezistonte për të mos parë derën e qelisë. Paraburgimin e ka provuar shumë herë. Dhe nuk e kishte për herë të parë. Kurti është i pandjeshëm ndaj dhunës, burgosjes dhe keqtrajtimit që nën okupimin serb, teksa është ndëshkuar për protestat e tij. Të drejta kanë qënë protestat, por e kanë lënë me një ‘cen’ Kurtin të gjitha këto burgosje e keqtrajtime: I kanë bërë lëkurën shollë, e kanë bërë të pandjeshëm dhe aspak reagues ndaj çdo elementi, qoftë dhe në të mirë të Kosovës.
Dhe tashmë që është në krye të qeverisë së Kosovës tash sa vite, Kurti nuk di ta ndajë strategjinë politike, të mbajë linjën që kishte në opozitë kundër Asociacionit dhe etiketimin tradhëtarë të të gjithë atyre që e pranojnë, apo të tërhiqet dhe të zbusë qëndrimin, të bëjë si shtetar që tashmë nuk ka nën hyqëm v etëm Vetëvendosjen por tërë jetët dhe shtetin e Kosovës. Ndaj bën ‘pirueta’ Kurti, pranon dakordësinë për Asociacionin në Ohër pa hedhur firmë, dhe më pas nuk bën as dy gisht letër për draftin e tij. Ka kaluar gjysma e vitit dhe nuk e ka bërë. Një lojë ‘dyshe’ me Vuçiç, kur është dakord njëri, kundërshton tjetri dhe anasjelltas. Asnjëri nuk e do marrëveshjen e Ohrit.
Jo se nuk di, pasi e di si dreqi se si duhet, jo se s’ka kohë, pasi e ka me shumicë, përderisa disa gjëra të ‘rënda’ si siguria, drejtësia, dhe mbi të gjitha paratë janë marrë përsipër nga aleatët tanë SHBA, Britania dhe BE. Këto të ‘voglat’ ka Kurti, i cili për të qënë në qendër të vëmendjes, për të mos bërë tërheqje nga premtimet që ka bërë në opozitë, por dhe për të rritur kredecialet e rëna politike, bën si ‘trim’ me ndërkombëtarët, me shtetin amë dhe drejtuesit e saj, dhe mbi të gjitha me popullin e Kosovës. I cili është nën shok me tërë këtë katrahurë që ka bërë Kurti. Për më tepër në kushtet kur nuk sheh një alternativë qeverisëse tek opozita. E cila praktikisht është e ‘vdekur’ e sillet si shoqatë, madje nga ato këshillimore. Eshtë në “ngujim” Kosova, falë Kurtit.
Ndërsa opozita në Kosovë, në vend që të kërkonte marrjen e përgjegjësisë politike, duke kërkuar që nga raportimi në Kuvend për gjithçka ndodh në Veri, marrëdhëniet me partnerët e deri në një mocion mosbesimi apo daljen me kërkesën për zgjedhje të parakohëshme parlamentare, pret që Kurti të thellohet në gabimet e tij dhe të rrënohet. Të rrënohet Kosova me një fjalë, të rrezikohet ekzistenca e saj si shtet. Pa vënë në provë popullin. Të vendosë populli, nëse duan të mbështesin Kurtin në orientimin e tij anti-SHBA, anti-BE dhe anti-Britani që çon automatikisht në kthimin e Kosovës në pikën e nisjes dhe izolimin e thellë të saj, apo duan që të jenë aleatë me Perëndimin.
Nëse vendosin për të qëndruar me Albinin, të vetëm dhe ‘trim në luftë’, qytetarët e Kosovës do të jenë koshientë dhe për pasojat që vijnë nga lënia e Kosovës në mëshirë të fatit nga aleatët tanë. Madje do ta pranojnë me qejf, përmes votës së tyre, armiqësinë me partnerët ndërkombëtarë.
Nëse do vendosin largimin e Kurtit dhe dërgimin aty ku ndjehet në ‘habitatin’ e vet, në opozitë, ku të deklarojë çfarë të dojë dhe askush nuk e merr seriozisht, dhe tani si kryeministër nuk po e marrin seriozisht dhe kjo u pa me refuzimin nga BE të planit të tij me 5 pika, atëherë Kosova shpresojmë të ringrihet nga gremina ku ka rënë për shkak të sjellve të kryeministrit të saj. Kjo është më e pakta që mund të bëhet për Kosovën, këtë detyrë ka opozita, vënien e qytetarëve përballë kutisë së votimit për të zgjidhur krizën përmes zgjedhjes: Me partnerët e drejt anëtarësimit në strukturat euroatlantike, apo kundër SHBA, Britanisë e BE për të shkuar drejt një izolimi të thellë dhe rrezikut për rikthimin tek pika e nisjes. Apo akoma më keq.
Pra, Kosova është në rrezik, dhe shpëtimi i saj vjen vetëm përmes zgjidhjes politike, përmes zgjedhjeve të parakohëshme. Të cilat duhet të bëhen sa më parë. Me Albin Kurtin në këtë pozicion që ka marrë, Kosova është në rrezik. Për pasojë dhe faktori shqiptar në Ballkan. Fuqizohet Serbia, e cila po luan ‘arushë’ me Albin Kurtin, po e tërheq në kurthe dhe për hunde nga të dojë, duke ia marrë Kosovës rolin e ‘primatit’ në marrëdhëniet me partnerët.
Jemi koshientë që Kurti e ka pikë në zemër faktin se kur ishte koha për të luftuar për çlirimin e Kosovës e humbi rastin të tregonte trimërinë, madje u orientua kundër UÇK. Gjë që solli dhe këtë situatë, kur ata që bënë luftën dhe që mund të bënin dhe paqen pasi e kanë fuqinë, që nga Thaçi e deri te Selimi, janë në burgun e Hagës, dhe me ndihmën e Kurtit. Pasi e ka problem përballjen me ta në kushte normale Kurti, sidomos të bëjë trimin me ta.
Tashmë që ka fushën e ‘lirë’, kur përballë ka liderë të ‘vdekur’ politikisht të opozitës, Albini ka luksin të veprojë si të dojë. Për të keqen e Kosovës, pasi nuk na intereson fati i Kurtit.
Shpetojeni ju me edvinin Kosoven,qe tregoni prradha,hike ore ndytsira ju e edvini juaj,turp te tju vije,apo turpi eshte per njerzit jo per ju qe rreni shpifni pa fundsisht.