Kreu i PD-së, Sali Berisha, tha gjatë mbledhjes së grupit parlamentar se 22 dhjetori, ku do të mbajnë një protestë kombëtare, do të jetë fillimi i protestave të tyre “gjer në rrëzimin e Ramës”.
Në fjalën e tij publike për mediat, kryedemokrati kërkoi nga deputetët që t’u bëjnë thirrje qytetarëve në takime e të marrin pjesë në protestën që do të nisë në orën 18:00. Sipas Berishës, vetëm me protesta, mund ta largojnë qeverinë e kryeministrit Edi Rama.
“Rama qëndron në pushtet se nuk jemi në rrugë e protesta për t’i treguar vendin diktaturave. Kemi tani çdo të drejtë të qëndrojmë në misionin tonë. Të nderuar deputetë është e domosdoshme që në takimet tuaja me qytetarët t’u bëhet thirrje guximtarëve e qëndrestarëve, dhe të mos pranojmë verdiktin që na ka diktuar Edi Rama. Me fjalë të tjera të mos pranojmë këtë fat që ai na ka diktuar.
Të ngrihemi në këtë kuadër, ditë e hënë, 22 dhjetor ora 18:00, është fillimi i protestës tonë. Të jemi të qartë se ne kemi vetëm një rrugë protesta, protesta gjer në largimin e Ramës. Pa protesta të qëndrueshme, narkodiktaturat nuk largohen. Ne do të jemi më tepër, por në radhë të parë nuk kam më të rëndësishme sesa vendimi i secilit prej nesh çfarë do të bëjë më shumë.”, tha Berisha.

