Të enjten pritet të mbahet protesta gjithëpopullore e paralajmëruar nga platforma “Liria ka Emër”, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ismail Tasholli nga kjo platformë, ka bërë të ditur se protesta do të mbahet në sheshin “Skënderbeu” dhe, ndryshe nga organizimet e mëparshme, nuk do të ketë formën e marshit.
Tasholli tha se ftesa u është bërë të gjithë qytetarëve të Kosovës, duke përfshirë edhe liderët politikë, të cilët, sipas tij, janë qytetarë të këtij vendi.
“Po. Ne u kemi dërguar ftesë krejt qytetarëve të Kosovës, edhe krerët e partive janë qytetarë të Kosovës, gjithsesi që duhet të jenë të pranishëm për me e përçuar një mesazh të rëndësishëm siç është ‘Jo në emrin tim’”, tha organizatori i protestës, Ismajl Tasholli.
Sipas Tashollit protesta e 1 tetorit do të jetë paqësore.
Ai tregoi se në protestë pritet të ketë pesë deri në gjashtë folës nga prejardhje dhe kategori të ndryshme, përfshirë fëmijë të dëshmorëve, persona që kanë qenë pjesë e protestave të 1 tetorit të vitit 1997, studentë dhe përfaqësues të organizatave të veteranëve.
Gjykata Speciale i ka dënuar me 81 vjet burgim në total 4 ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.











