Nga Denis Dyrnjaja
Kryetari i dorëhequr mesa duket vetëm verbalisht i PD-së Lulzim Basha, ka filluar të rishfaqet në politikë, pas një “gjumi’ të gjatë letargjik. Disa takime me struktura apo pjesë të forumeve të fraksionuara në radhët e demokratëve, kanë risjellë në vëmendje njeriun që drejtoi PD për 9 vite me radhë, duke dështuar “thellësisht suksesshëm”, në çdo aspekt. Me besim e plotë dhe mbrojtjen pa limit që i dha Sali Berisha që nga viti 2013, kur ai vetë dha dorëheqjen pas humbjes dërmuese në zgjedhje, Lulzim Basha u katapultua të ulej në kolltukun despotik të kryetarit të PD-së, si ylli i ri politik që do të shkëlqente në krye të opozitës shqiptare. Ai u pa si alternativa që do të rrëzonte Edi Ramën nga pushteti, por ndërkohë rezultoi se ishte një dështim total në të gjithë kohën e lidershipit të tij. Humbi çdo proces zgjedhor dhe tjetërsoi të gjithë strukturën e PD, duke larguar çdo zë ndryshe përmes manipulimesh, intrigash e skemash, që herë i bekonte e herë bënte sikur si kuptonte edhe vetë Berisha. Por nga ana tjetër këtë besim të inflacionuar të doktorit, Basha e përdori për të krijuar enturazhin e tij politik dhe struktura, duke deformuar pa kthim PD-në e traumatizuar dhe konsumuar shumë nga imazhi, por edhe nga përbërja që pasoi rënia e saj nga pushteti.
PD hyri në kursin e gabuar dhe aty u krijua një ambient ku se kush nisi të bëjë llogaritë për ekzistencën e tij politike. Disheza kishte nisur. Një pjesë e tyre e kuptonin se kjo nuk ishte as mënyra e duhur për të forcuar partinë dhe as mënyra e duhur për të rrëzuar qeverinë, por nën “proletarizmin idhullues”, ndaj Berishës, vijonin të mbështesnin Bashën edhe pse dukshëm kishte treguar e provuar se ishte një “skuth poktik” dhe dështak serial. Humbjet i shpallte si fitore dhe dështimet si sukses, demokratët idhëtarë të Berishës e mbronin dhe e rimandatonin si kryetar. Kritikët anatemoheshin si mercenarë, paterica e shërbëtorë të Ramës. Berisha vijonte të mbronte beniaminin e tij që tashmë ishte mësuar me humbjen që i sillte fitime pasurore nga statusi që kishte si kryeopozitar. Denoncime të forta bëheshin sa në konferenca shtypi e në Parlament dhe “shkriheshin” rrugës, pasi vilej gjoba respektive. Tani edhe një parti politike mund të vinte e vilte gjoba. Në pikë arriti PD me paskruoujt e saj. Nga ana tjetër me një sistem zgjedhor ku listat e kandidatëve i bënin kryetarët e partive, Basha kishte mundësinë e artë të krijonte më shumë autoritet brenda partisë, por edhe përfitime të mëdha (zëra nga brenda PD kanë pohuar se shumë mandate deputetësh janë blerë me para cash) nga individë pa asnjë kontribut dhe për më tepër me nivel mediokër politik, duke e ulur shumë nivelin përfaqësues të opozitës. Ndërsa ky degradim ndodhte dhe Rama forconte pushtetin e tij e tallej me opozitën dhe përfaqësuesit e saj masivisht e publikisht, Berisha vijonte të heshte për sjelljet e vendimet e Bashës, sikur nuk dinte gjë, edhe pse gjithçka dinte, por nuk bënte zë derisa kupa u mbush e “fshesa e spastrimit” mbërriti edhe tek ai.
Sigurisht pasi kishte tjetërsuar, për të mos thënë përçudnuar totalisht PD me njerëz interesazhinj, servilë, dhe me një axhendë krejtësisht personale në favor të shpurës së tij, Basha i dha duart edhe Sali Berishës duke e përjashtuar nga Grupi Parlamentar, me pretekstin se këtë ia kishin kërkuar amerikanët, për shkak të statusit non grata që i kishin adresuar doktorit. Në fakt kjo kërkesë e amerikanëve ishte një alibi e mirë që Bashës i erdhi për shtat dhe në momentin e duhur, për të hequr qafe një herë e përgjithmonë Berishën nga prezenca e tij si tutor politik, prezencë e cila e mbante gjithnjë të kufizuar autoritetin e kryetarit sarhosh. Sakaq Berisha kishte kapërdirë lloj lloj vendimesh të Bashës, duke pranuar edhe spastrimin e bashkëpunëtorëve të tij më të afërt në parti. Por kur kokëprerja politike arriti te vete ai, vendosi të reagojë. Ishte shumë vonë në fakt. Dëmi ishte bërë e zhgënjimi ishte shumë i madh, pasi doktori e dinte çfarë bastardi poktik ishte Basha, por se kishte besuar se do t’i vinte radha dhe vetë atij të eliminohej pikërisht sikurse kishte eliminuar Berisha shumëkënd në të shkuarën. Ky moment shënoi edhe ndarjen e atit me të birin poktik dhe rikthimin e Berishës në aksionin politik, këtë herë për të larguar Bashën e marrë kontrollin e PD. Beteja ishte e vështirë pasi e tërë struktura e partisë ishte transformuar sipas interesave të Bashës tanimë, por Berisha kishte një “gur të fortë” loje, bazën e militantëve. Basha ishte koshient, që në parti kishte marrë fuqinë e drejtimit të forumeve, por jo kontrollin e bazës.
Dhe pikërisht këtu e mbështeti strategjinë e tij edhe Berisha, te militantët demokratë që i kishte përdorur për t’i dhënë pushtet dhe autoritet Bashës pas çdo dështimi të tij përballë Ramës por edhe brenda në parti. Kjo situatë e re e detyroi Bashën të futej në një ushtrim force përballë Berishës, duke tentuar ta sfidojë. Tanimë lufta mes të dyve doli mbi sipërfaqe. Akuzat shpërthyen deri sa palët arritën në përplasjen e 8 janarit 2022, ku Berisha dhe mbështetësit e tij sulmuan selinë e PD për të marrë kontrollin e partisë. Ata e mbështetën këtë revolucion të dhunshëm me hunj e drunj në vendimet e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të 11 Dhjetorit 2021 që ndryshoi statutin e PD, shkarkoi Bashën si kryetar e forumet ekzistuese dhe zgjodhi forumet e reja drejtuese, që Basha dhe struktura që pretendonte legjitimitetin institucional, nuk i njohu. Ai kishte blinduar me dyer hekuri selinë e SHQUP-it nga brenda. 8 janari hyri në hostorinë politike të Partisë Demokratike, si dita më e turpshme, ku demokratët u detyruan të rrahin njëri tjetrin për karrigen e Bashës që tani e kërkonte Berisha. Në përplasje të ashpër dhe të vazhdueshme, palët shkuan në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, ku ashtu sikurse pritej grupimi i Berishës doli i dyti në zgjedhje pas socialistëve, por me një diferencë të thellë me mbështetësit e Bashës që u renditën të tretët. Kjo disfatë e radhës si ndaj mazhorancës, por edhe ndaj Berishës e detyroi Bashën të shpallte dorëheqjen e kërkuar tanimë edhe nga mbështetësit e tij në fraksionin ku bënin pjesë. Gjykata e shkallës së parë ndërkohë njohu vendimet e Kuvendit Kombëtar të mbledhur nga Berisha, por vendimi u ankimua nga grupimi i Bashës që tani drejtohej nga Enkelejd Alibeaj, i emëruar si kryetar të detyrë, por i pacertifikuar nga Këshilli Kombëtar sikurse parashikon statuti pasi Kuvendi i Berishës kishte shpërbërë strukturat dhe forumet e mëparshme partiake. Të gjithë menduan se më në fund edhe vetë Basha e kuptoi që aventura e tij ishte një dështim politik edhe pse shumë të tjerë e interpretuan dorëheqjen e tij, si lëvizje taktike për të marrë me vete edhe Berishën e për të çliruar Partinë Demokratike. Në fakt as Basha nuk e dha plotësisht dorëheqjen, që do të duhej të reflektohej edhe në regjistrin kombëtar të partive politike në gjykatë, por as Berisha nuk u largua edhe pse iu kërkua në shumë mënyra për t’i hapur rrugën riorganizimit të PD dhe opozitës në tërësi. Lufta vazhdoi në forma të ndryshme mes dy grupimeve me Bashën e (pa)dorëhequr e Berishën e rikthyer si kryetar, por me statusin “non grata” në kurriz.
Ndërsa diskutohej e vijon fe diskutohet edhe sot çështja e vulës dhe logos së PD, dhe akuzave se këtë proces e mban peng për interesa të tij politike Edi Rama, plas skandali McGanigal. Drejtuesi i lartë i FBI del se është takuar disa herë me kryeministrin dhe PD pretendon se Rama ka kërkuar e financuar një skemë lobimi kundër PD. Pikërisht ky skandal ndezi fort sensorët politikë brenda opzoitës. Për herë të parë grupi i deputetëve të PD në Parlament u shfaq i unifikuar përballë Kryeministrit Rama për rastin McGanigal. Por ky moment mesa duket zgjoi nga gjumi edhe Lulëzim Bashën i cili ishte zhdukur tërësisht nga jeta aktive politike. Tani edhe ai pretendon se skandali i lobimit rus ku është implikuar vetë si kryetar i PD, ka qenë një skenar i përgatitur nga Edi Rama. Berisha gjithashtu mbështet të njëjtën linjë, por me ndryshimin se lobimi financiar i Ramës ka ndodhur, por jo për të dëmtuar Bashën, por PD. Berisha kërkon ta përdorë me kujdes çështjen McGanigal, sepse nuk do të çojë kredite të Basha, pasi i bie t’i kërkojë falje për dosjen e lobimit rus, ku vete ai u rreshtua në të njëjtën valë me Ramën e socialistët për të kryqëzuar Bashën si të implikuar në aferën e Beniada Trade me rusët nga pas. Në një vend ku skandalet mohohen sy për sy e turpi dhe morali politik nuk ekziston si opsion, Basha vendos të rishfaqet dhe mesa duket këtë po e bën në prag të vendimit që duhet të shpallë gjykata e apelit më 3 mars për vulën dhe logon e PD. Në gjykatë ai rezulton ende si kryetar i PD. Nëse gjykata rrëzon Berishën, atëherë Basha ka të drejtën të regjistrojë kandidatët dhe komisionerët e tij për zgjedhjet lokale të 14 majit si kryetar legjitim i PD. Dhe fakti që ai është parë së fundi në disa takime me grupime demokratësh, por edhe në disa intervista televizive, duket se ai këtë po synon. Sigurisht për çdokënd që ka ndjekur sado pak politikën e këtyre viteve e di mirë se rikthimi, apo më saktë rizgjimi i Bashës nga gjumi nuk është as lajm dhe as shpresë për PD dhe opozitën. Ai është një fenomeni tipik i një aksidenti fatal politik. Babai politik (Berisha në këtë rast) kishte timonin e autobusit plot me njerëz (militantët dhe anëtarët e PD) dhe në një moment vendos të bëjë një eksperiment. I thotë të birit politik (Lulzim Bashës në këtë rast) eja merre drejtimin e autobusit dhe pse e dinte që ai nuk kishte as eksperiencën e duhur dhe as premisat për të ditur e bërë atë që duhej për ta drejtuar këtë autobus politik. Për më tepër shoferin e ri e zinte shpesh gjumi gjatë rrugës dhe e kthente autobusin në mes të rrugës nga destinacioni për ku ishte nisur.
Në këto rrethana aksidentet ishin një rrisk i madh dhe ato ndodhën në seri. Autobusi me demokratët brenda, u përplas disa herë duke e dëmtuar rëndë atë dhe iu shkaktuar shumë plagë udhëtarëve demokratë në bord (humbja e zgjedhjeve në mënyrë të përsëritur, djegia mandateve të deputetëve në 2019 dhe bojkoti i zgjedhjeve lokale duke i dhuruar PS të 61 bashkitë e vendit). Natyrisht këto kosto nuk i bëjnë përshtypje një prototipi si Lulëzim Basha, i cili nuk është gjë tjetër vetëm se një gjumash dhe dështak i suksesshëm. Fundi fundi PD është kthyer tanimë në autoshkollë klasike politike. Përse mos ta riprovojë edhe një herë edhe Lulëzim Basha. Një dështim më shumë nuk është ndonjë qamet, kur sedra dhe turpi nuk janë pjesë dhe opsion funksional në karakterin e tij. Dhe meqë jemi në periudhë skandalesh edhe Shqipëria e ka McGanigalin e tij. Ai njihet me “pseudonimin” Lulzim Basha!