Deputeti i PS, Erjon Malaj thotë se Shqipëria ka bërë progres të shpejtë për integrimin në Bashkimin Europian.
Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Malaj u shpreh se objektivi për të mbyllur kapitujt e negociatave në 2027, është i arritshëm.
Malaj shtoi se vendi është në rrugën e duhur, dhe se forcat e errëta që nuk e duan Shqipërinë në BE, nuk do e pengojnë dot.
“Kemi qenë shumë të qartë, është punë e madhe që bëhet çdo ditë. Jemi në një fazë si asnjëherë më parë, ku Shqipëria është më afër se kurrë BE. Qytetarët janë të vetëdijshëm, se po bëjmë gjithçka për të mbyllur kapitujt në 2027 dhe në 2030 të bëhet anëtarësimi i plotë. Shqipëria ka vepruar më shpejt se çdo shtet tjetër në hapjen e kapitujve, punohet çdo ditë me këtë objektiv të vetëm. Janë objektiva të arritshëm. Ne i kemi dalë për zot dhe do e bëjmë këtë punë deri në fund. Ne do t’ia arrijmë këto objektiva. BE është e vetëdijshme.
Jemi në rrugën e duhur, nuk ka elementë të brendshëm dhe të jashtëm që e pengojnë zgjerimin e BE. Ne e dimë që janë të shumtë aktorët dhe faktorët që nuk e duan Shqipërinë në BE. Por Shqipëria nuk ka plan B, plani është anëtarësimi në BE. Janë këto forca të errëta, në momente të caktuara nuk duan që ne të ecim përpara. Shqipëria e ka vendin në BE”, theksoi ai.










