E qetë dhe pa trazira është mbyllur dita e 6-të e protestës në Tiranë. Thirrjes për t’u mbledhur në orën 18:00 ditën e sotme i janë përgjigjur vetëm disa qytetarë, të cilët janë mbledhur në sheshin ‘Skëndërbej’ dhe më pas kanë marshuar dhe janë mbledhur para Kryeministrisë. Protestuesit janë shfaqur të qetë dhe se ajo që vihet re, pavarësisht numrit të vogël të tyre, nuk ka prezencë të miturish si në protestat e tjera. Në protestë nuk ka pasur tensione apo plasje të kapsollave, veprime që kanë shoqëruar protesta e 5 ditëve të kaluara. Sot kanë qenë prezentë edhe anëtare të lëvizjes ‘Vetëvendosja’ në Tiranë, të cilët kërkojnë largimin e Ardi Veliut. Protestuesit tashmë nuk po kërkojnë më drejtësi për vrasjen e Klodjan Rashës, por shprehen se kanë dalë sipas tyre për dhunën e ushtruar nga policia për të miturit dhe hedhjen e gazit lotsjellës dhe largimin e Ardi Veliut.
Policia ka qenë edhe sot në gatishmëri duke rrethuar institucionet kryesore dhe në shesh por nuk ka pasur asnjë lloj ndërhyrje apo thirrje të tyre që protestuesit të shpërndaheshin. “Poshtë diktatura” apo “nuk ka drejtësi pa drejtësi”, “Nuk kemi Gjykatë Kushtetuese” kanë qenë disa nga parullat që ata mbanin në dorë, ndërsa në fund protestës janë rimbledhur sërish në qendër ku kanë qëndruar për disa minuta dhe më pas janë shpërndarë./a.p