Komisioni i posacëm parlamentar për reformën në drejtësi pritet të mblidhet të premten paradite për të vazhduar diskutimet mbi cështjet e mbetura ende pa konsensus që lidhen me opinionin përfundimtar të Komisionit të Venecias për paketën e rishikuar të ndryshimeve kushtetuese. Opozita do të jetë e pranishme në mbledhjen e sotme pas zhbllokimit të ngërcit të krijuar prej saj që lidhej me plotësimin e kërkesave për dërgimin në Gjykatë Kushtetuese të mandateve t]ë deputetëve Valentina Leskaj dhe Rakip Suli dhe miratimin e hetimit parlamentar për kompaninë CEZ. Miratimi i tyre të enjten nga parlamenti i hapi rrugën pjesëmarrjes së saj në komision dhe vijimit të debatit për reformën në drejtësi.
Dy ditë më parë, kryetari i komisionit Fatmir Xhafaj, njoftoi thirrjen e komisionit, pasi sic tha ai, reforma është në hapat e saj të fundit dhe kërkon një përgjigje në përputhje me interesat e vendit dhe të qytetarëve shqiptarë. Xhafaj i bëri thirrje opozitës që para interesave politike të ditës, duhet të prevaloje interesi i qytetarëve dhe e ardhmja evropiane e vendit.
Prej dy javëash komisioni nuk eshte mbledhur pas tensionimit të situates ne parlament dhe votës kundër të maxhorancës ndaj kërkesës së PD-së për t’ju drejtuar Gjykatës Kushtetuese për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve Leskaj dhe Suli. Kjo e rifuti sërish në ngërç procesin e reformës në drejtësi, e cila pritej të sheshonte dhe mosmarrëveshjet e fundit mes palëve që lidheshin me opinionin përfundimtar të Komisionit të Venecias.
Pas dakortësisë së arritur javën e fundit të marsit për disa çështje të rëndësishme, si Byronë Kombëtare të Hetimit, Këshillin e Emërimeve apo Tribunalin Disiplinor, pritej dhe finalizimi i çështjeve të mbetura pa konsensus, për reformën më të rëndësishme, e konsideruar ‘kyçe’ për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE.