Raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë 2015 u prezantua të hënën në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian (KKIE), që zhvilloi mbledhjen e tretë të tij.
Kryetarja e KKIE-së, Majlinda Bregu në çelje të takimit tha se hapja e negociatave me Shqipërinë nuk mund të jetë një garë pa kohë.
“Ne, pala shqiptare jemi të gjithë dakord se perspektiva e anëtarësimit bëhet e paqartë dhe e largët nëse mbetet pezull. Koha pa kufi dhe asnjë datë e sigurt i shtyn politikanët qeverisës të përqëndrohen vetëm tek klientelizmi dhe tek autoritarizmi. Shqiptarët e dinë realitetin ku jetojnë dhe asnjë progres raport nuk u thotë dot më shumë”, tha Bregu, deputete e Partisë Demokratike të opozitës..
Nga ana e tij, Christian Danielsson, Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Fqinjësisë dhe Negociatave të Anëtarësimit, në KE duke u ndalur tek çështjet kryesore të progres raportit për Shqipërinë e vuri theksin tek forcimi i shtetit ligjor dhe themelet që kanë të bëjnë me të, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reforma në administratë publike, mbrojtja e të drejtave të njeriut, zhvillimi i ekonomisë, etj.
“Kur vjen puna tek shteti ligjor, jetik është sistemi ligjor i shoqërisë shqiptare, që është më problematiku. Shqipëria ka nisur një reformë gjyqësore të vështirë dhe të rëndësishme, për të cilën ne e përgëzojmë. Kjo është me shumë rëndësi për procesin e anëtarësimit dhe i jep zgjidhje dhe çështjeve të tjera si lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, investimeve, të lidhura të gjitha me reformën në gjyqësor”, u shpreh Danielsson.