Një mijë pemët e djegura nga zjarret që ranë verën e kaluar në zonën e Hekalit, në Njësinë Administrative të Petrelës, u zëvendësuan sot me 2 mijë fidanë të rinj, duke rigjeneruar bimësinë e zonës përreth. Në 95-vjetorin e Shërbimit Pyjor Shqiptar, Bashkia e Tiranës dhe Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit organizuan aksionin për mbjelljen e fidanëve të rinj të dhuruara nga Rajan Bani, kompania “GreenFarm”.
Aksioni iu bashkua një mik i veçantë i qytetit, violinisti shqiptar me famë botërore, Olen Çezari, i cili së bashku me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, mbollën fidanët e rinj. “Sot është një ditë e veçantë sepse bashkë me mua është një nga miqtë më të mirë, Olen Çezari, i cili për shumë njerëz është violinisti më i famshëm që ne njohim, ndërkohë për mua është më shumë se kaq, është edhe një qytetar i mirë. Një artist i mirë është edhe një qytetar i mirë dhe nuk mund të jesh artist i mirë nëse nuk je qytetar i mirë”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.
Violinisti Olen Çezari vlerësoi ndryshimet që po pëson çdo ditë Tirana dhe përgëzoi kryebashkiakun Veliaj për nisma të tilla, që përmirësojnë jo vetëm anën estetike të qytetit, por njëkohësisht edhe krijojnë një mjedis të shëndetshëm për qytetarët. “Jam i lumtur që jam pjesë e këtij aksioni me lopatë në dorë. Vjen në Tiranë dhe shikon se ajo po ndryshon ditë për ditë. Ndaj, kur dëgjon se ka nisma të tilla, thua hajde ta bëjmë, ta mbarojmë. Kështu që, bravo”, tha Çezari.
Duke falenderuar shërbimin zjarrfikës dhe atë pyjor për punën e bërë për parandalimin e përhapjes së zjarreve në zonën pyjore gjatë verës, Veliaj deklaroi se është momenti për të rikthyer traditën e dikurshme për të rikuperuar pemët e prera dhe të dëmtuara. “Më vjen mirë që po rikuperojmë gjithçka që u dogj verën e kaluar nga i nxehti i jashtëzakonshëm që patëm. Fillimisht dua të falenderoj zjarrfikësit që shuan zjarrin dhe u siguruan që nuk doli përtej kësaj zone. Shqipëria e kishte vizionin 95 vite më parë, në vitin 1923, të krijonte një shërbim pyjor, por kurrë nuk ruajti sensin e masës për të rikuperuar çdo gjë që pritet, për të rikuperuar çdo gjë që digjet, çdo gjë që e merr erozioni, lumi apo përmbytjet. Sot po e kthejmë këtë traditë”, tha ai.
Kreu i Bashkisë së Tiranës ftoi qytetarët që të tregohen të kujdesshëm për ruajtjen e sipërfaqeve të gjelbra, ndërsa deklaroi se falë këtij ritmi, deri më tani në gjithë kryeqytetin janë mbjellë mbi 85 mijë pemë të reja, shumë pranë rekordit prej 100 mijë pemësh deri më 21 mars. “Duhet ta ruajmë, të jemi të kujdesshëm, të lajmërojmë menjëherë në momentin që ka zjarr dhe duhet të pranojmë se jetojmë në kushtet e një ndryshimi klimaterik, ku dimri do të ketë gjithmonë të papritura dhe vera do të jetë gjithmonë e më e nxehtë. Për sa kohë që jemi të përgatitur, si për të përballuar fatkeqësitë, por edhe për të rikuperuar dëmin, jemi në rrugën e duhur. Sot me 2 mijë fidanë rikuperojmë dy herë atë që është djegur. U dogjën 1 mijë pemë, mbjellim 2 mijë fidanë. Sot shkojmë në mbi 85 mijë pemë për të kapur rekordin tonë të 100 mijë pemë deri në datën 21 mars”, nënvizoi Veliaj.
Deputeti i PS, Xhemal Qefalia falenderoi kreun e Bashkisë së Tiranës për këtë nismë të ndërmarrë dhe apeloi që ky mesazh shumë i mirë duhet të ndiqet edhe nga politikanët që përtej sherreve, të punojnë për më shumë zhvillim.