Gjykata Speciale, e cila bëri publike dy aktakuzat e para, është krijuar mbi bazën e raportit të senatorit Zviceran Dick Marty, i votuar edhe në Këshillin e Evropës. Ky raport merr shkas nga njoftimet e botuara në librin e ish-kryeprokurores së Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës për ish-Jugosllavi, Carla del Ponte, me titull “Gjuetia – Unë dhe kriminelët e luftës”. Në këtë libër flitet për trafikim organesh njerëzore që u janë marrë robërve serbë, trafikim i cili, siç thuhet në libër, ishte i organizuar nga drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Këto pretendime ishin tronditëse dhe ngjallën reagime të ashpra.
Dick Marty, në raportin e tij, Thaçin e identifikon si “kumbara” i rrjetit kriminal të njohur si “Grupi i Drenicës”. Sipas Martyt, ky grup i drejtuar nga Thaçi e përforcoi në përmasa fenomenale mbështetjen e tij mbi veprimtaritë kriminale të organizuara gjatë kohë kur këto lulëzuan në Kosovë e në Shqipëri.
“Gjatë hulumtimeve tona kemi pasur të dhëna se shumë anëtarë të tjerë të njohur të ‘Grupit të Drenicës’ kanë qenë bashkëfajtorët kryesorë të llojeve të ndryshme të veprimtarive kriminale. Ndër ta figurojnë Xhavit Haliti, Kadri Veseli, Azem Syla e Fatmir Limaj. Gjatë këtyre dhjetë vjetëve të fundit, secili prej tyre ka qenë objekt akuzash të shumta pas dyshimesh për krime lufte apo për bashkëfajësi me keqbërës, përfshirë edhe për çështje të rëndësishme që u janë drejtuar prokurorëve të UNMIK-ut, të GJPNIJ- së dhe EULEX-it. Deri më sot, ata të gjithë i kanë shpëtuar çdo drejtësie efektive”, shkruan në raportin e Martyt. Shumë vrasje pretendohet të jenë mbikëqyrur edhe nga vetë Thaçi, Veseli dhe të tjerët.
“Burimet e drejtpërdrejta që disponojmë tregojnë në mënyrë të besueshme se Haliti, Veseli, Syla e Limaj, si dhe Thaçi e anëtarët e tjerë të rrethit të bashkëpunëtorëve të tyre të ngushtë, do kenë urdhëruar, e ndonjëherë do kenë mbikëqyrur edhe personalisht, realizimin e një numri vrasjesh, burgosjesh, agresionesh dhe marrjesh në pyetje, në rajone të ndryshme të Kosovës dhe konkretisht, çka na intereson në mënyrë më të veçantë, gjatë operacioneve të kryera nga UÇK-ja në territorin shqiptar, në vitet 1998-2000”, thuhet në raport.
Sipas Martyt, gjithçka të lë të besosh se këta individë do duhej të ishin dënuar për krime të rënda dhe do duhej të vuanin ndëshkime afatgjata burgimi nëse mosndëshkimi i tyre nuk do qe siguruar nga dy faktorë tronditës: “Në radhë të parë, me sa duket, ata kanë arritur të eliminojnë apo të detyrojnë me heshtje nëpërmjet frikësimit pjesën më të madhe të dëshmitarëve të mundshëm apo të vërtetuar (si armiqtë e tyre, ashtu dhe aleatët e vjetër), duke përdorur dhunime, kërcënime, shantazhe dhe allishverishe; së dyti, ka pasur një mungesë vullneti politik nga ana e bashkësisë ndërkombëtare për të goditur seriozisht ish-drejtuesit e UÇK-së”. “Kjo me sa duket e ka lejuar Thaçin – e rrjedhimisht edhe anëtarët e tjerë të “Grupit të Drenicës” – të përfitojnë nga pozita e tyre dhe të grumbullojnë pasuri personale pa lidhje me veprimtaritë e tyre të deklaruara”.
Marty ka ardhur në përfundim se Thaçi dhe “Grupi i tij i Drenicës” kanë përfituar nga dy evolucione madhore të gjendjes pas 12 qershorit 1999.
Së pari, tërheqja e forcave serbe të sigurisë nga Kosova, sipas tij, u lejoi grupëzimeve të ndryshme të UÇK-së, pra dhe “Grupit të Drenicës” të Thaçit, të marrin me të vërtetë në dorë kontrollin, pa asnjë pengesë, të një hapësire territoriale të gjerë në të cilën ata mund të kryenin trafikime dhe veprimtari të ndryshme kontrabande.
Së dyti, pushteti politik i përforcuar, arritur nga Thaçi (kur ai u vetëshpall kryeministër i qeverisë së përkohshme të Kosovës), duket që i dha “Grupit të Drenicës” vendosmërinë për të eliminuar, në mënyrë sa më agresive, ata që ai i konsideronte si rivalë, tradhtarë e persona të dyshuar për “bashkëpunim” me Serbët”, shkruan në raport.
Aty më tej shkruan se haraçi i rëndë i viktimave paguar nga popullsia shqiptare e Kosovës, në mënyrë të veçantë më 1998 dhe në fillim të 1999-s, para dhe gjatë ndërhyrjes së NATO-s, e kishte acaruar komandën dhe militantët e UÇK-së në Shqipëri. Sipas Martyt, kur policia serbe dhe forcat paraushtarake u tërhoqën në qershor 1999, njësitë e UÇK-së të vendosura në veri të Shqipërisë u përhapën në Kosovë me objektivin e shpallur për të “siguruar territorin”, por edhe të nxitur nga ana tjetër nga një ndjenjë e papërmbajtshme zemërimi e, le ta themi hapur, hakmarrjeje ndaj të gjithë atyre që dyshoheshin prej tyre se kishin marrë pjesë në shtypjen e popullsive të etnisë shqiptare.
“Trupat e UÇK-së morën urdhër të hartonin, në kuadër të një fushate frikësimi duke shkuar derë më derë, listën e emrave të atyre që kishin punuar për autoritetet e përjashtuara të ish-Jugosllavisë (pavarësisht se çfarë funksioni administrativ kishin kryer), ose kur prindërit apo partnerët e tyre kishin ushtruar funksione të tilla. Një numër i madh anëtarësh të etnisë shqiptare, si dhe minoritarë romë e të tjerë u klasifikuan në këtë mënyrë në kategorinë e këtyre “bashkëpunëtorëve” të hamendësuar”, thotë raporti.
“Nisur nga këto elemente, arritëm në konkluzionin se dhunimet e kryera nga anëtarët dhe simpatizantët e UÇK-së në Shqipëri shkojnë përtej marrëzive të thjeshta që do kenë qenë vepër individësh jashtë ligji apo rebelësh të ndonjë force luftarake për më tepër të disiplinuar. Ne mendojmë në të kundërt se këto dhunime ishin të përgjithësuara në mënyrë aq të mjaftueshme, sa korrespondojnë me një mënyrë veprimi sistematik”.
Marty flet edhe evolucionin që ka pësuar vetë “Grupi i Drenicës” me kalimin e viteve. Sipas tij, nëse më parë ka qenë pjesë e një force të armatosur – UÇK-së, e angazhuar haptas në luftën për çlirim, më pas do jetë shndërruar në një bandë e mbifuqishme ndërmarrësish kriminelë, duke synuar marrjen e kontrollit të shtetit të ardhshëm.
Marty kishte kritikuar edhe bashkësinë ndërkombëtare – që prej qeverive të Shteteve të Bashkuara dhe të fuqive të tjera perëndimore aleate e deri tek autoritetet gjyqësore që ushtrojnë veprimtaritë e tyre nën tutelën e Bashkimit Evropian – se përkundër zotërimit të të njëjtave informacioneve për “gamën e krimeve” të bëra nga “Grupi i Drenicës”, asnjë prej tyre nuk ka treguar gatishmëri për t’i ndjekur penalisht përgjegjësit.(Koha Ditore)