Nga Blendi Kajsiu
Në shkrimin e tij të fundit “Të Baraslarguarit që legjitimojnë regjimin e Ramës” intelektuali Fatos Lubonja justifikonte rrjeshtimin e tij në kampin Berisha-Meta si pasojë e degjenerimit të demokracisë shqiptare në një diktaturë të tipit Putin, nën qeverisjen e Edi Ramës. Sipas kësaj llogjike të gjithë ata që nuk rrjeshtohen me Berishën kundër Ramës legjitimojnë këtë të fundit dhe përjetësojnë regjimin Rama.
Pra rrëzimi i regjimit Rama, sipas Lubonjës, nënkupton dy hapa. Së pari, denoncimin e qeverisjes Rama si diktaturë e tipit putinist. Së dyti, rrjeshtimi përkrah opozitës reale të Sali Berishs dhe Ilir Metës kundër regjimit Rama. Kushdo që nuk mendon se jetojmë në diktaturë apo mendon se Berisha dhe Meta nuk përbëjnë alternativë qeverisëse janë shërbëtorë, me apo pa vetëdije, të regjimit Rama.
Kemi të bëjmë me një argument që nuk qëndron as në aspektin politik dhe as në atë intelektual. Politikisht argumenti qëndror i Lubonjës e riprodhon pafund regjimin Rama sepse eleminon rigjenerimin e një opozitë që do mund ta përmbyste atë. Nga pikpamja intelektuale argumenti nuk ka bazë sepse thotë se regjimi i Ramës, që mbahet me gjysmë të vërteta, përmbyset vetëm me gjysmë të vërtetat e opozitës Berisha-Meta. Le ti shtjellojmë me rradhë këto dy argumente.
Le të pranojmë se në Shqipëri ekziton një regjim politik si në Rusinë Putinit, në Izraelin e Netanjahut, Turqinë e Erdoganit apo në Hungarinë e Orban-it, sikurse argumenton Lubonja. Nëse pranojmë këtë premisë atëherë duhet të pranojmë se regjimi ka rrënjë të thella sikurse ndodh me putinizmin në Rusi, me orbanizmin në Hungari dhe erdoganizmin në Turqi. Sikurse argumenton vetë Lubonja, regjimi ka kapur mediat, gjygjësorin, biznesin, shoqërinë civile dhe faktorin ndërkombëtar. Pa përmendur faktin që ka edhe mbështetje të konsiderueshme në popull (si pasojë e kontrollit të mediave, klientelizmit, etj.).
Nga premisa e mësipërme rrjedhin dy konkluzione llogjike. Së pari, regjimi nuk rrëzohet brenda ditës, javës muajit apo vitit, me një apo dy protesta madhore, sic premton përditë opozita Berisha-Meta. Ai rrëzohet vetëm nëpërmjet një strategjie politike afatgjatë që gërryen legjitimitetin dhe themelet e tij në mënyrë graduale në kohë. Së dyti, rrëzimi i një regjimi me rrënjë kaq të thella kërkon një opozitë jo thjesht të rinovuar por me moralitet dhe popullaritet të lartë. Përndryshe opozita do shërbejë thjesht për të legjitimuar regjimin.
Asnjëra nga rrjedhojat e premisës së regjimit Rama nuk justifikon rrjeshtimin me opozitën Berisha-Meta. Së pari, kjo opozitë nuk ka, dhe nuk mund të ketë, një strategji afatgjatë për rrëzimin e regjimit Rama sepse nuk ka të ardhme politike. Ndaj nuk është rastësi që aksioni i saj politik është gjithmonë urgjent dhe i përqendruar tek e tashmja dhe jo e ardhmja.
Berisha dhe Meta kanë kohë që premtojnë se sot, nesër, pas një jave, apo një muaji, do i vijë fundi regjimit Rama. Ama as njëri dhe as tjetri nuk kanë një strategji afatgjatë se si do konkurojnë në zgjedhjet e vitit 2025. Kjo u pa edhe tek improvizimi për pjesmarrjen në zgjedhjet lokale. Strategjia e opozitës Berisha-Meta është mbijetesa dhe jo ardhja në pushtet nesër.
Dhe kjo nuk është rastësi. Berisha dhe Meta nuk kanë të ardhme politike sepse janë ndër dy politikanët më të refuzuar nga elektorati shqiptar. Pra kemi të bëjmë me një kamp opozitar që nuk ka legjitmitetin politik dhe moral për tu ofruar si alternativë ndaj regjimit aktual. Kritikat që Berisha dhe Meta i bëjnë Ramës për autoritarizëm, korrupsion apo anti-amerikanizëm shkaktojnë të qeshura ose cinizëm tek elektorati. E thënë ndryshe opozita aktuale është opozita më e gabuar për të rrëzuar regjimin aktual.
Për të kuptuar këtë mjafton të shikojmë regjimet e Putinit, Orbanit dhe të Erdoganit që nuk janë rrëzuar edhe kur opozita përballë tyre është reformuar tërësisht. Opozita me të cilën u përball Orban në zgjedhjet e fundit ishte tërësisht e renovuar e papërlyer politikisht, kishte përkrahjen e faktorit ndërkombëtar, dhe përsëri dështoi. Edhe opozita e Erdoganit në Turqi është reformuar pafundësisht dhe përsëri Erdogani ka fituar.
Së fundmi, Putini është në pushtet edhe pse opozita ndaj tij është shumë më e pastër dhe legjitime se opozita jonë.
Nëse regjimi i Edi Ramës është identik me regjimin e Orbanit, Erdoganit dhe Putinit përse duhet të bjerë përballë një opozite që është shumë më pak legjitime dhe shumë më e korruptuar se opozita e regjimeve simotra? Sidomos po të kemi parasysh se opozita jonë, ndryshe nga opozita në Rusi, në Hungari, në Poloni dhe në Turqi, nuk ka mbështetjen e faktorit ndërkombëtar.
Në këto kushte rrjeshtimi përkrah Berishës e Metës nuk rrëzon Ramën por zvogëlon intelektualët e rrjeshtuar përkrah tyre, sidmos kur janë të njëjtët që prej dekadash kanë denoncuar autoritarizmin e Berishës dhe korrupsionin e Metës. Idea se kritika ndaj qeverisjes Rama është legjitime vetëm nëse nuk kritikon Berishën apo Metën është absurde nga pikpamja intelektuale. Intelektuali e ka për detyrë të thotë të vërtetat e plota dhe jo gjysëm të vërtetat që mbajnë Berishën në opozitë dhe Ramën në pushtet. Si mund të rrëzosh një regjim si ky i Ramës me gjysëm të vërtetat politike që prodhon berishizmi?
Aq më tepër kur rrjeshtimi përkrah berishizmit kontaminon gjuhën dhe konceptet edhe të intelektualëve të kalibirit të Lubonjës. Berishizmi është një frymë thellësisht anti-demokratike që pasi e shpall armik kundërshtarin politik përdor cdo mjet për ta eleminiuar atë, që nga denoncimi i dhunshëm deri tek rracizmi dhe misogjenia.
Në rastin e ambasadores amerikane berishizmi e sulmoi atë në mënyrë të turpëshme duke e etikuar Kimete. Emri Kimete synonte ta bënte ambasadoren amerikane qesharake në dy aspekte, si grua (injorante) dhe si pseudo-amerikane (sepse është orientale). Është një llogjikë raciste sipas të cilës një grua aziatike me emrin oriental Kim nuk është një amerikane e vërtetë. Është e njëjta llogjikë që përdorin supremacistët e bardhë në SHBA, sipas të cilëve amerikanët e vërtetë (the real americans) nuk mund të jenë latin, zezakë apo aziatikë, por të bardhë dhe anglo-saksonë ose evropian.
Natyrisht që është shumë ti kërkosh berishistëve që të kuptojnë nuancat raciste dhe misogjene të ligjërimit berishist ndaj ambasadores amerikane. Ama është shumë pak tía kërkosh këtë një intelektuali të majtë të kalibrit të Fatos Lubonjës, i cili nën ndikimin e ligjërimit berishist bën një deklaratë që edhe ai vetë e kupton se është raciste: “Nuk do pyesim këta amerikanët që na tregojnë përralla, ca me emra latinë si Escobar e ca kinezë, se nuk dua dhe të tregohem racist” (shiko: https://shkodranews.org/revoltohet-fatos-lubonja-merrini-per-bythe-ata-gjyqtaret-dhe-cojini-aty-ku-e-kane-vendin-ti-perzeme-keta-amerikanet-me-emra-kineze/).
Idea se dikush që e ka emrin Kim apo Escobar nuk mund të jetë amerikan i vërtetë është e trishtë sidomos kur vjen nga një intelektual i majtë shqiptar që jeton në Itali. Edhe aty ka shumë që mendojnë se dikush që quhet Fatos, Andi apo Blendi nuk mund të jenë italianë të vërtetë.
Problemi është që nëse berishizmi kontaminon gjuhën e intelektualit publik më të rëndësishëm në Shqipëri, çfarë mund të presim nga shumica e intelektualëve të tjerë që nuk janë në lartësinë e Lubonjës, qoftë në intelekt qoftë në karakter? Rrjeshtimi i tyre përkrah opozitës Berisha – Meta do na prodhojë pak më shumë berishizëm dhe shumë më pak intelektualizëm.
Ama regjimi Rama rrëzohet me intelektualizëm dhe jo me berishizëm. Analiza kritike e intelektualit të lirë mund të krijojë hapësira dhe ligjërime të reja politike përtej rrjeshtimit Rama-Berisha. Është analiza intelektuale ajo që mund të na tregojë se si dhe përse Shqipëria është nga të paktat vende në Ballkan dhe Evropë ku klasa politike nuk rinovohet. Ndaj në kontekstin aktual rrjeshtimi me Berishën, Metën apo Ramën dhe jo me të vërtetën nuk ka sens as politik dhe as intelektual, nëse duam ndryshim dhe jo thjesht rotacion politik.