Nga Zef Mazi*
Ka diskutime, kritika, justifikime, mërzi dhe kundërshti rreth projektit të ligjit të ri për shërbimin e jashtëm. Reflektimi në media ka qenë i vakët. Të krijohet përshtypja sikur çdo gjë është në rregull. Po paraqes disa observacione, pa hollësi, për këtë projekt të ri dhe diplomacinë.
Ligji i parë i shërbimit me jashtë, pas ndryshimit të sistemit, u hartua para 25 vitesh. Ai u ribë në vitin 2015, duke prishur çka ishte mirë, në emër të ristrukturimit. Tani, për të tretën here, përsëri në emër të ristrukturimit, po ribëhet. Kësaj radhe po preken dhe cenohen rëndë themelet e shërbimit me jashtë.
Një pjesë e punonjësve të shërbimit, përfshirë ambasadorë, nuk vijnë nga fusha e diplomacisë. Ata nuk janë diplomatë të karrierës. Shumë aspekte të shërbimit me jashtë nuk mund të njihen, veç ndoshta disi përciptas, nga cilido që “parashutohet“ sot por që, deri dje, nuk ka pasur asnjë lidhje me shërbimin diplomatik.
* * *
Diplomacia është arti i menaxhimit të marrëdhënieve ndërkombëtare, kryesisht, parësisht, përmes bisedimeve, negociatave. Fjala është arma e saj! Diplomacia është instrument i politikës të jashtme. Kjo përcaktohet nga drejtimi politik. (Diplomatët, kryesisht ambasadorët, mund të japin këshilla në këtë drejtim.) Diplomacia zbaton politikën duke përdorur taktikat që i gjykon të përshtatshme, me profesionalizëm të lartë dhe brenda orientimeve të dhëna. Diplomacia është përgjithësisht e mbyllur, rezultatet zakonisht bëhen publike.
Synimi i diplomacisë është të çojë përpara interesat shumësferëshe të shtetit, duke siguruar liri sa më të madhe veprimi për vetë shtetin. Diplomacia është gjithmonë në kërkim të përfitimeve maksimale për vendin pa përdorur imponim, forcë, pa shkaktuar keqardhje dhe mërziti tek të tjerët. Hapësira e veprimit, fleksibiliteti dhe efektiviteti i saj janë të lidhura pjesërisht me forcën relative të shtetit që e përdor atë. Diplomacia përpiqet që të forcojë shtetin, duke fituar avantazhe, duke bërë aleatë, duke neutralizuar oponentët, jo duke bërë të kundërtën nga padituria, mungesa e përvojës, mungesa e profesionalizmit. Ajo përpiqet të krijojë vullnet të mirë në drejtim të shtetit që përfaqëson. Kjo nuk arrihet lehtë. Varet nga faza e zhvillimit dhe imazhi i shtetit, dhe nga profesionalizmi dhe përvoja e diplomatëve.
* * *
Kardinali Richelie krijoi të parën ministri të punëve të jashtme moderne në Francë në vitin 1626. Synimi i tij ishte të centralizonte politikën, të siguronte kontroll mbi “të dërguarit” në ndjekje të politikës të raison d’etat – interesit të shtetit. Richelie iu përmbajt mendimit se shteti i kapërcente kufijtë e kurorës (mbretit) dhe të territorit, të princit dhe të popullit. Richelie nuk pajtohej me dëshirat, tekat, ndjenjat e sundimtarit! Për Richelie shteti ka interesa dhe nevoja që bazohen në këto interesa dhe që i kalojnë caqet e ngushta, pavarësisht nga konsideratat etike, personale, emotive apo fetare! Ajo që bëri Richelie u bë aksiomë për ata që drejtojnë politikat e jashtme të shteteve sovrane.
* * *
Roli i ministrisë të punëve të jashtme duhet parë në dritën e vlerësimit real dhe të konsideratës për të, të punës konkrete që ajo bën, të kuadrit politik të vendit, të cilësisë të drejtimit dhe stafit. Diplomacinë dhe negociatat ministritë e jashtme i kryejnë pas dyerve të mbyllura, pa bërë teatër politik! Por ai rol, jo rrallë, eklipsohet nga kryeministri dhe stafi i tij, të cilët a) u imponohen, dhe b) bëjnë publicitet me to!
Qeveritë manipulojnë publicitetin për të ndikuar opinionin publik në favor të politikave që ndjekin. Meqenëse ka shqetësim, ndërmerren hapa për t’i ofruar ryshfete, për t’i bërë presione shtypit që të publikojë ato histori që don qeveria, që janë plotësisht në linjë me narrativën e pushtetit. Përdoren evenimente publike për fjalime propagandistike me objektiv dëgjuesit brenda dhe jashtë. Këto përpjekje nuk janë pa efekt.
* * *
Projekti i ri i ligjit për shërbimin diplomatik ka ngritur shqetësim jo të vogël tek një numër ambasadorësh profesioniste të karrierës, në shërbim sot, ose në pension. Këta kanë ndjeshmëri të lartë ndaj shërbimit të jashtëm. Bëhen përpjekje për t’a mbrojtur atë shërbim, sepse kanë kontribuar direkt në atë shërbim prej disa dekadash. Kështu ndihmohet vendi dhe shërbimi i tij. Ditët e fundit, Këshilli i Ambasadorëve iu drejtua ministrit të jashtëm me shkrim, me një numër vërejtjesh, dhe i shprehu gatishmërinë për ndihmë dhe konsultime.
Shërbimi i jashtëm ka vite që rrëshqet nga keq në më keq. Ndryshimi në vitin 2015 i ligjit të parë të vitit 1998 u bë, jo rastësisht, një vit para zgjedhjeve të përgjithshme politike. Po përgatitet draft-i i ri, gjoja në emër të një „ristrukturimi” tjetër. Analiza e projektit të ligjit të ri nxjerr qartë se po i jepet goditje thellësisht e rëndë shërbimit të jashtëm, diplomacisë të karrierës. Fatkeqësisht, ata që janë në shërbim, edhe prej vitesh, nuk flasin sepse ndoshta kanë frikë.
Kuptohet, përmes këtij ligji kërkohet të bëhet si t’a dojë qejfi me shërbimin diplomatik. Ashtu si në vitin 2015, projekt-ligji i ri po përgatitet të jetë gati për “shpërblimet“ në „parashutimet“ e radhës nëpër ambasada dhe misione si shpërblim për votat në zgjedhjet e vitit 2025.
Për të arritur këtë synim, po shkallmohet sistemi i njohur, i pranuar dhe i zbatuar ndërkombëtarisht i shërbimit të jashtëm në krejt dimensionet profesionale të tij: nga roli i ministrit (që bëhet si një ayatollah – „supreme leader “ – për gjithçka në ministri, siç nuk ka qenë kurrë e nuk duhet të jetë); tek ai i Sekretarit të Përgjithshëm (që, nga niveli më i lartë i karrierës në ministri, kthehet në shpërndarës karburanti); tek ai i drejtorëve politikë; tek heqja totale e sistemit të gradave (që është domosdoshmëri të respektohet strikt); tek prishja e raporteve midis punonjësve të karrierës dhe atyre politike, etj., etj.
Këto bëhen për t’i hapur rrugë emërimeve politike, si të dojë, kur të dojë, sa herë të dojë, cilindo që të dojë, edhe pse pa asnjë ditë shërbimi në ministri! Edhe më therëse është kur flitet se po bëhet konsultim popullor! Rëndësi ka “organizimi” i votave të njerëzve “të konsultuar” për projekt-ligjin e ri të shërbimit që, pasi u shkelmua ligji i parë në 2015, shkelmohet edhe një herë tani, duke i çuar gjërat tepër poshtë.
Pa lënduar askënd, ligji i shërbimit të jashtëm është shumë profesional. Ai rrok përvojat e gjata në shërbim, profesionalizmin e thellë, njohjen e ligjeve të ndryshme të vendit që lidhen me të, ato të shërbimeve të ngjashme të vendeve të dimensionit tonë, aspekte te mprehta e specifike administrative, aspekte të së drejtës ndërkombëtare, etj., të gjitha këto të futura në një paketë.
Hedhja e një projekt-ligji të tillë për konsultim popullor bëhet vetëm sa për të hedhur hi syve! Cilido që nuk është profesionist me përvojë të gjatë në këtë fushë nuk ka sesi të njohë gjithçka profesionale të saj. Jo çdokush mund të japë mendim të informuar për diçka që është thellësisht delikate, specifike, mjaft profesionale, kur nuk ka, dhe as ka pasur, lidhje me atë shërbim. Ndoshta ky „konsultim popullor“ do mbarojë si të tjerët, do numërohen votat nga ndonjë Agjensi!
Përvoja disa shekullore e diplomacisë ka treguar se ajo ka sukses kur mbështetet fort në njohuri të thella dhe të gjëra profesionale, në eksperienca të gjata të punonjësve të shërbimit diplomatik, në njohuri e kulturë të gjerë. Nuk ndihmon narrativa vello, justifikuese, e nevojës për “gjak të ri”, duke mos dëgjuar dhe duke mos u mbështetur tek eksperiencat e gjata, direkte, të më të vjetërve të karrierës në këtë shërbim. Përvoja botërore tregon se pa emërime profesionale, të karrierës, me përvoja të gjata, me meritokraci dhe dedikim, jo me teka dhe lajthitje, nuk mund të ketë shërbim diplomatik profesionist, të respektuar, me integritet. Diplomacia është profesion mjaft i vështire, jo për të bërë qoka.
* * *
Diplomacia, shërbimi i jashtëm, është element jetik për mbajtjen e lidhjeve, për rritjen e marrëdhënieve dhe forcimin e bashkëpunimit ndërshtetëror. Nuk mundet të rrezikohet duke bërë improvizime (të qëllimshme) të “emergjencës” dhe “ristrukturimit” për shërbimin me jashtë. Që nga themelimi i shtetit, kemi qenë të detyruar të krijojmë një shërbim të jashtëm të qëndrueshëm dhe t’a rrisim atë.
Nuk duhet të dështojmë që të kuptojmë implikimet e rënda që bart lidhja e zhbalancuar ndërmjet krijimit, forcimit dhe qëndrueshmërisë të këtij shërbimi. Duhet të ruhemi të mos kërkojmë të fitojmë ndikim të panevojshëm, tej shpatullave tona, të kërkuar si me pahir dhe me arrogancë, nga politikat partiake të kohës. Megalomania e të voglit është e rrezikshme, ka pasë thënë Stefan Cvajg.
* * *
Zbatimi i politikës të jashtme, përmes shërbimit me jashtë, i shërben të mirës të vendit, jo thjesht dhe vetëm partizanllëkut, përkohshmërisë. Ai siguron çuarjen përpara të mirën e vendit.
Drejtimi i shërbimit të jashtëm dhe prestigji i atij shërbimi varet jo vetëm nga përmirësimi i nivelit material, nga forca administrative, ekonomike dhe ushtarake e vendit. Por varet nga si e përdorim forcën modeste që kemi në interes të përmirësimit të pandërprerë të jetesës të popullit dhe vendit tonë. Të përpiqesh për më pak bihet nën dinjitetin e interesit të vendit! Çdo kritikë apo dështim, që lidhet me vetëkënaqësi, arrogancë, mungesën e të kuptuarit, ose mosnjohjes të realitetit, mospërballjes me sfidat e vështirësitë, do na godasin rëndë, brenda dhe jashtë.
* * *
Kriza ka pasur dhe do të ketë. Konfliktet sot në botë kërkojnë domosdoshmërisht të jemi tepër të vëmendshëm, të ekuilibruar. Ideologjitë dhe armiqësitë e sotme, të gjithëfarë etiketimesh, arsyetimesh dhe ngjyrash, bartin rreziqe që, fatkeqësisht, mund të jenë afatgjata. Suksesi në këtë përballim kërkon jo përqasje emocionale, individuale, partiake, të çastit, tranzitore. Ai kërkon fokusim, thellim, arsyetim, analiza profesionale, të thelluara, institucionale të krejt spektrit.
Është vënë në peshore vetë liria që shihet, përdoret për kamuflim, zbatohet dhe arsyetohet sipas midesë ndryshe, nga kënd-vështrime të ndryshme. Duhet të ruhemi nga ndjenja e gabuar se priten veprime spektakolare, do bëhet mrekulli, do zgjidhen problemet!
* * *
Çdo ide dhe propozim, përfshirë të projekt-ligjit të ri të shërbimit me jashtë, duhet të peshohet në dritën e konsideratave më të gjëra, të nevojës që të ruhet balanca ndërmjet programeve kombëtare: midis ekonomisë publike dhe private; midis asaj që është qartësisht e domosdoshme dhe asaj që është e dëshirueshme, sa për të qenë rehat; midis kërkesave esenciale si vend dhe detyrave që vendi i imponon individit; midis veprimit të çastit dhe mirëqenies të të ardhmes të vendit.
Çdo gjykim i mirë kërkon ekuilibër në ecjen përpara. Nëse kjo mungon, do ketë disekuilibër, mërziti, zhgënjim. Këto duhen kuptuar mire. Atyre u duhet përgjigjur po mirë përballë stresit dhe kërcënimeve, të reja dhe të vjetra, në llojshmëri dhe intensitet.
Elementi kohë ka rëndësi në mbajtjen e ekuilibrave. Ecja drejt të ardhmes më të mirë kërkon që të shmangen impulset për të jetuar vetëm sot për sot, sa të jem unë në pushtet, duke “zhvatur” burimet e çmuara të së nesërmes për interesa thjesht të rehatllëkut, se kështu më bëhet mire! Ish Presidenti Aiserhauer ka pasë thënë: “Nuk mund të jepet kredi për asetet materiale të nipërve tanë pa rrezikuar të humbasësh edhe trashëgiminë e tyre politike dhe shpirtërore”.
* * *
Shërbimi i jashtëm i botës tonë të vogël nuk duhet të bjerë në nivelin e një grupi të frikësuar, apo në nivelin e smirës, urrejtjes. Ai shërbim duhet të përbëhet nga një grup profesionist, karriere, i ditur, me përvojë, bazuar në besimin reciprok dhe respekt, një grup që performon dhe zbaton siç duhet dhe që dëgjohet. Çdo përpjekje e re që nuk shkon në këtë linjë duhet ndalur. Sa më parë.
Marrëdhëniet e mia me administratën e shtetit shqiptar, si punonjës i shërbimit civil të vendit dhe atij ndërkombëtar, kanë mbaruar zyrtarisht pas 45 vitesh, me një ndjenjë mirënjohje, se kemi qenë në gjendje të bëjmë modestisht gjëra të mira, së bashku. Nuk do rresht të bëj aq pak sa mundem që të ndihmoj që shërbimi i jashtëm i vendit të ecë në rrugën e drejtë dhe të duhur! Këtë synim ka edhe ky shkrim. Në këtë shërbim gati gjysmë shekullor besoj se ka pasur diçka që ia vlente, dhe një kontribut modest. Besoj se do të gjenden rrugët e mënyrat më të mira që të përmirësohet performanca, të forcohet shërbimi me jashtë, për sot dhe për të ardhmen.
*Diplomat dhe ish-kryenegociatori i Shqipërisë me Bashkimin Evropian