Mbi 70 persona janë konfirmuar të vdekur, ndërsa me qindra të tjerë rezultojnë të zhdukur si pasojë e shirave të dendura që kanë shkaktuar përmbytje të mëdha në shtetin brazilian të Rio Grande do Sul këtë javë.
Autoritetet vendase kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në zonat ku janë prekur më shumë se 67 mijë persona nga moti i keq. Deri tani 10 mijë banorë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre nga të cilët 4500 janë vendosur në strehimore të ndërtuar nga Mbrojtja Civile, më shumë se 500 mijë kanë mbetur pa energji elektrike, shkruan CNN.
Një frikë e madhe e ekspertëve vendas janë disa diga në zonë, të cilat nuk janë projektuar për të përballuar prurje kaq të larta dhe çarja e tyre do ta bënte situatën shumë më të rëndë.
Ndërkohë, në rrjetet sociale janë publikuar pamje apokaliptike ku sipërfaqe të tëra janë të mbuluar nga uji, ndërsa shumë shtëpi janë mbuluar nga balta si pasojë e rrëshqitjeve të mëdha të tokës.