Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Romina Kuko, deklaroi sot se “nga verifikimet në sistemin TIMS portal të sallës së komandimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, e cila mbledh edhe gjithë informacionin bazë nga telefonatat e ardhura nga qytetarët në numrin 112, informacioni më i fundit nga ana e Policisë i është ardhur në ndihmë 2300 qytetarëve”.
Në një intervistë televizive, Kuko theksoi se “lidhur me rrethin e Tiranës janë evidentuar 512 banesa, 59 njoftime për pallate, 18 lokale dhe një magazinë. Për qytetin e Kavajës kemi 75 njoftime, të cilat kanë qenë banesa, 5 pallate, një magazinë dhe një shkollë në Rrogozhinë”.
“Në total kemi 672 objekte të deklaruara si të dëmtuara, lidhur me klasifikimin e dëmit të tyre kjo ngelet për t’u vlerësuar në një proces tjetër nga ekipet e vlerësimet”, – nënvizoi Kuko.
Zv/ministrja Kuko u shpreh se “në qendra shëndetësore dhe spitale kanë shkuar gjithsej 90 qytetarë, ku në spitalin e Traumës në Tiranë kanë shkuar 78 qytetarë, nga të cilët 70 janë mjekuar e 2 ndodhen duke u mjekuar dhe 6 të tjerë janë shtruar për të marrë mjekim”.
Sipas saj, fatmirësisht nuk kemi pasur dëmtime serioze dhe në të gjithë këtë fatkeqësi ishim fatmirë.
“Të gjithë anëtarët e këshillit bashkiak janë të shpërndarë nëpër zonat e tyre ku janë përgjegjës, duke takuar banorët, duke evidentuar problematikat në mënyrë kapilare. Ka bashkëpunim edhe me njësitë administrative, me Policinë e Shtetit dhe Emergjencat për të organizuar punën dhe vlerësimin e dëmeve”, – tha Kuko.
/a.r