Në Tiranë u mbajt dje një prej eventeve më të rëndësishme që ju jep zë të rinjve dhe çështjeve që ata duan të sjellin për diskutim – Festivali i Rinisë 2023.
Mbi 100 të rinj nga 7 bashki të vendit, profesionistë të punës me fëmijët dhe të rinjtë, drejtues të institucioneve dhe organizatave, si dhe gazetarë e qytetarë, u mblodhën në Piramidën e Tiranës me të njëjtin qëllim: Për të dëgjuar të rinjtë, për të shkëmbyer ide dhe për të gjetur zgjidhje për një botë me më shumë mundësi për brezin e ri.
Gjatë festivalit të drejtuar nga moderatori i njohur Eno Popi, pjesëmarrësit u njohën me një prej sfidave më të mëdha me të cilën përballën të rinjtë sot, punësimi dhe ndërlidhja me tregun e punës.
Të rinjtë, jo vetëm që ngritën problematikën që i shqetëson, por propozuan edhe 5 ide të qarta dhe të strukturuara, të cilat sipas tyre adresojnë sfidat që ata hasin. Idetë u prezantuan prej vetë të rinjve në formë digjitale, ndërsa pjesëmarrësit fizik dhe online votuan drejtpërdrejt për tre idetë më të mira.
Gjatë festivalit u zhvillua edhe një bashkëbisedim mes të rinjve dhe të ftuarve, Ministrit të Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, drejtorit ekzekutiv të World Vision Albania, Eljona Elmazi, drejtueses së Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor – RYCO në Shqipëri, Alba Brojka, kreut të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, Klevis Hysa, si dhe artistes së talentuar dhe ambasadores së World Vision Albania, Marsela Çibukaj.
Panelistët theksuan rëndësinë e përfshirjes së të rinjve si vendimmarrës në çështjet që prekin direkt jetët e tyre, duke shfrytëzuar fuqinë e teknologjisë si një mjet për të gjetur zgjidhje.
Drejtuesit e institucioneve u angazhuan para të rinjve që përgjatë vitit që vjen do të përfshijnë njërën prej këtyre ideve në nismat, angazhimet apo sipërmarrjet e tyre.
Edicioni i shtatë i Festivalit të Rinisë 2023 u organizua nga World Vision Albania në bashkëpunim me Regional Youth Cooperation Office – RYCO.