Për afro tri dekada emri i tij është lidhur me një prej ngjarjeve më të rënda, që cënoi sovranitetin e vendit, “Masakrën e Peshkëpisë”.
Është arrestuar, liruar, hetuar e gjykuar për atë ngjarje, dosja e të cilës përfundon gjithmonë duke u mbyllur me siglën “pa autor”.
Ky është Fredi Beleri, i cili pas marrëveshjes Berisha-Dule, është konfirmuar si kandidat i opozitës për Bashkinë e Himarës, i profilizuar nga emisioni “Gjerat Tona” ne abc.
Paradoksi qëndron në faktin se në vitin 1994, kohë kur Sali Berisha ishte president i Republikës, Beleri ishte një nga personat e akuzuar për “Masakrën e Peshkëpisë”.
Pavarësisht asaj që kishte ndodhur në Gjirokastër, ai mori guximin dhe kandidoi për kryetar të Bashkisë së Himarës në zgjedhjet lokale të 2015-ës, në siglën e PBDNJ.
Edhe pse e mori me vote përgjigjen e himariotëve, duke mos arritur të fitonte, ai e provoi sërish në vitin 2019.
Por, para 4 vitesh, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve refuzoi kandidimin e Alfred Belerit si kandidat i pavarur për zgjedhjet e 30 qershorit 2019 në Bashkinë e Himarës.
Shkak për këtë vendim ishin shkeljet që iu gjetën në formularin e dekriminalizimit. Në vitin 2006, Gjykata e Vlorës e ka dënuar me 3 vjet burg për thirrje urrejtjeje nacionaliste.
E prapë nuk dorëzohet. Beleri sërish kandidon dhe aspiron për të tretën herë që të drejtojë Bashkinë e Himarës.
Ai është hetuar tri herë për “Masakrën e Peshkëpisë”, një herë në Greqi dhe dy herë në vendin tonë.
Më e fundit ishte më 31 janar 2019, kur prokurori i Gjirokastrës firmosi rihapjen e dosjes për ngjarjen e 10 prillit të vitit 1994, në Peshkëpi. Por organi i akuzës atje shpalli moskompetencë dhe dosja u tranferua për hetime tek Krimet e Rënda.
Fredi Bekeri: “Kam qenë në Qipro, kam dëftesën e shkollës, kam 20 dëshmitarë, kam vulat e pasaportës. S’kam qenë as në Shqipëri, as në Greqi. Këto fakte pa prokuroria, SPAK-u, që tha se personat në hetim, një midis tyre isha edhe unë, nuk kanë lidhje me çështjen penale. Ndalimi im për kandidim mbaron në 17 korrik të vitit 2019. Ka dy organe të pavarura të shtetit shqiptar që kanë vendosur. Zoti Idrizi që sa iu bën thirrje himariotëve, aq himariotë do më votojnë. Lodhet kot, duhet t’i kërkojë votat atje ku ka. Në Himarë, PDIU ka marrë herën e fundit dy vota. Ato dy vota i njoh shumë mirë, janë qytetarë të Himarës dhe tani që po flasim bëjnë fushatë për mua”.
Kjo dosje ishte rihapur per herë të fundit nga Prokuroria e Gjirokastrës në muajin maj të vitit 2006, por nuk solli asnjë rezultat për sa i përket zbardhjes së autorëve, dhe dosja u arkivua.
Në maj të vitit 2019, Fredi Beleri, u pyet për tri orë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku iu komunikua akuza: “Kryerje e aktiviteteve dhe veprimtarive terroriste”.
Në dyert e Prokurorisë, Beleri, në një reagim për median, tha se ishte paraqitur për të pastruar baltosjen që po i bëhej.
Sipas akteve në dosjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, dy ushtarakët e vrarë dhe ushtarët e tjerë të plagosur, janë qëlluar nga komandoja që erdhi nga territori grek.
Autorët e masakrës kanë qëlluar nëntë herë me fishekë të tre armëve të gjahut të kalibrit 12 milimetër.
Prokurori i çështjes, kishte lënë porosi pyetjen e 41 personave. Mes këtyre personave ishin edhe ushtarët e plagosur në postën kufitare dhe nën oficeri që u mor peng nga komandoja terroriste “Mavi”, shtetasi Qemal Stroka.
Për hetimin e plotë dhe të gjithanshëm të këtij procedimi penal prokuroria e Krimeve të Rënda i nisi një letërporosie autoriteteve greke. Nëpërmjet kësaj letërporosie prokuroria kërkonte informacion nga autoritetet greke, lidhur me personat e arrestuar më datë 19 Mars 1995 në Greqi, të cilëve ju janë kapur armë e municione.
Njëherësh kërkoheshin emrat e plotë të këtyre personave, sasia e armëve dhe municionit, tipi, lloji si dhe numrat serialë të tyre, të sekuestruar në Greqi.
Kërkohej po ashtu edhe verifikimi i këtyre personave mbi aktivitetin e tyre në Greqi dhe se ku ndodhen aktualisht me qëllim pyetjen e tyre lidhur me ngjarjen e Pëshkëpisë.
E me gjithë këto porosi e veprime hetimore, më 24 dhjetor të vitit 2021, Prokuroria e Posaçme pushoi hetimin, me konkluzionin se nuk janë gjetur prova të mjaftueshme.
Tashmë dosja është e arkivuar, ashtu si edhe në rastet e mëparshme, me siglën “Pa autor”. Fredi Beleri dhe dy të dyshuarit e tjerë të kësaj ngjarjeje, prej asaj date u liruan nga akuzat e ngritura ndaj tyre.
Posta Kufitare e Peshkëpisë në Gjirokastër, 10 prillin e vitit 1994 u përball me një sulm agresorësh grekë, të cilët, pasi vranë rojën, ushtarin Arsen Gjinin dhe komandantin e repartit, kapiten i parë, Fatmir Shehu, plagosën efektivë të tjerë dhe grabitën gjithë armatimet në tërheqje e sipër.
SI NDODHI MASAKRA E PESHKËPISË
“Masakra e Peshkëpisë” në Gjirokastër ka ndodhur rreth orës 02:30 të mëngjesit të datës 10 prill 1994.
Organizata terroriste greke “Mavi” (Fronti për Çlirimin e Vorio-Epirit), kaloi kufirin e gjelbër nga Greqia dhe hyri në territorin shqiptar.
Ferdinand Dervishi: “Fredi Beleri njihet si një përfaqësues i një linje të ashpër nacionaliste, ekstreme greke të Vorio Epirit. Duhet theksuar që sot, qeveria greke sot e vite të shkuara, nuk e njeh këtë linjë. Ajo njeh Shqipërinë e Veriut, nuk njeh Vorio Epirin. Qeveria greke me kalimin e kohës duket sikur është shkëputur nga këto lloj linjash. Është larguar. Që do të thotë, nuk ka më financim për këto linja, për këta njerëz. Kështu që këta njerëz tani, mes tyre Fredi Beleri dhe disa të tjerë, kanë mbetur pa punë. Këta njerëz, jo se u dhimbset Vorio Epiri, jo se u dhimbset ajo kauza e vjetër greke, këta njerëz janë mësuar të jetojnë pa punuar. Të jetojnë përmes dhurimeve që mund të bëjnë biznesmenë të ndryshëm, apo qoftë edhe vetë shteti grek dikur, në emër të një kauze që tashmë nuk ekziston”.
Fredi Beleri: “Ishte një aktivitet që organizojnë himariotët që jetojnë në ishullin Samos të Greqisë. Unë isha i ftuar. Flamuri po ta shikoni nuk thotë Vorio Epir por thotë emrin e fshatit Shën Vasil. Isha i ftuar. Kur vete në një shtëpi i ftuar, nuk mund të vësh rregullat e shtëpisë. Duhet ta kisha hequr, të kisha kërkuar, edhe pse do isha treguar i pasjellshëm të kërkoja nga të zotët e shtëpisë që ta hiqnin. Edhe mund ta kisha bërë. Ishte një detaj që nuk e vura re”.
E megjithatë në atë kohë, kjo organizatë nisi sulmin me këtë koncept që ata kishin, duke iu drejtuar Postës Kufitare të Peshkëpisë.
Ata vranë komandantin e postës, Fatmir Shehu, ushtarin Arsen Gjini dhe plagosën ushtarët e tjerë: Ardian Velmishi, Janaq Zaka, Frederik Kalemi.
Në raportin e plotë të Policisë së Gjirokastrës të përpiluar menjëherë pas ngjarjes, që i është dërguar Ministrisë së Brendshme bëhet një përshkrim i hollësishëm i ngjarjes.
“Në 10.04.1994 ora 2.30 6-7 persona të paidentifikuar, të veshur me uniformë ushtarake greke, të maskuar, kanë hyrë nga toka greke, nëpërmjet grykës së Bogazit në tokën shqiptare, në postën kufitare të Peshkëpisë.
Aty në mënyrë të befasishme kanë goditur me armë “shutgan” rojën e jashtme të postës, ushtar Arsen Gjini, 20 vjeç, nga fshati Seman i Fierit, duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme.
Më pas kanë kapur rojën e derës së hyrjes së postës, i cili së bashku me rojën e jashtme e kryenin shërbimin pa municion, e janë futur në ambientet e postës.
Dy prej tyre kanë hyrë në dhomën ku flinin oficerët e postës, Qemal Stroka e Siat Selfo, të cilët i kanë nxjerrë të lidhur. Një person tjetër prej tyre ka hyrë në dhomën e Komandantit të postës Fatmir Shehu, 34 vjeç, lindur në Qesarat të Tepelenës e banues në Gjirokastër duke e nxjerrë në corridor.
Aty e kanë goditur me automatik, duke i shkaktuar plagë në gjoks e krahun e majtë e për rrjedhojë ka gjetur vdekjen. Pas këtyre veprimeve kanë hyrë në fjetoren e ushtarëve duke goditur me automatik në muret e tavanit të saj.
Kanë sjellë aty trupin e ushtarit të vrarë me automatik dhe kanë goditur dhe plagosur edhe 3 ushtarë të tjerë, që janë jashtë rrezikut, duke u thënë: “Po të lëvizni do ta pësoni si ai. Këtë e bëjmë për ‘Vorio Epirin’, nuk e kemi harruar”.
Kanë kërkuar të dinë se ku është depoja e armatimit por ushtarët nuk e kanë treguar atë. Gjatë kësaj kohe kanë kontrolluar dhe kanë marrë 16 automatikë, 2 pistoleta në kasafortën e fjetinës duke i këputur drynat.
Pasi kanë lidhur me pranga oficerin Qemal Stroka, e kanë marrë me vete duke u thënë ushtarëve që ky është i vdekur, prandaj ju mos lëvizni. Pasi e kanë marrë me vete janë larguar në drejtim të kufirit nga gryka e Bugazit.
Afër kufirit rreth 200 m larg piramidës 24, e kanë lënë oficerin Qemal Stroka të lidhur me pranga duke i thënë që të kthehet në postë dhe për çdo minoritar do të paguani 10 nga ju dhe kanë ikur në tokën greke.
Veprimet e para hetimore u bënë me grup hetuesish të policisë hetimore. Gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes u gjetën gëzhoja e automatikut “shutgan” me të cilat kishin qëlluar.
Në rrugën e kthimit për në tokën greke u gjetën disa pajime ushtarake si, çanta shpine, dritë dore të prodhimit amerikan. Nga veprimet e para hetimore u provua se disa persona të paidentifikuar nga ata, flisnin vetëm greqishte të pastër, njëri fliste shqipe të çalë me theks minoritar dhe tjetri shqipe të pastër me dialekt të jugut.
Nga policia hetimore u ndaluan për shpërdorim detyre, për mos marrjen e masave për kryerjen e rregullt të shërbimit, e organizimin e punës për ndjekjen e mos kapjen e këtij grupi terrorist, nënoficerët e postës kufitare të Peshkëpisë si më poshtë:
Qemal Stroka, 30 vjeç banues në Peshkëpi, nënoficer në këtë postë, instruktor qeni me kombësi e shtetësi shqiptare.
Sihat Selfo, 42 vjeç, banues në Peshkëpi, nënoficer, magazinier.
Oficer Arjan Guma, 39 vjeç, banues në Gjirokastër, komandant i qendrës së stërvitjes, për arsye se ka urdhëruar të kryhet shërbimi pa municion në postë.
Në dëshmitë e dhëna në lidhje me faktin se armët nuk kishin municion, theksohet se:
“Ushtarët e rinj nuk kishin përfunduar karantinën dhe nuk duhet të përdornin armën. Duke qenë se nuk kishte ushtarë të vjetër në repart, ishin të detyruar të planifikonin roje ushtarët e rinj me armë pa municion”.
Fakti që rojet nuk kanë pasur municion në armë nuk është zbardhur nga ana e Prokurorisë, pasi mungonte fashikulli i “shpërdorimit të detyrës”.
“Elefterotipia”: Vrasja u mor përsipër nga MAVI.
Në traktin e organizatës “MAVI” i botuar nga shtypi grek, shkruhej: “Në janar 1994, organizata patriotike MAVI, pasi studioi me kujdes kushtet dhe operacionin që do të kryente, i dha urdhër njërës prej skuadrave të saj të armatosura që të godiste një repart ushtarak shqiptar pranë vijës kufitare.
Në orët e para të datës 10 prill, ditë e diel, në bazë të informatave të dhëna nga Seksioni i mbledhjes së informatave, skuadra Pirro, e përbërë nga një grusht luftëtarësh, gjendjej në pozicionin e vrojtimit të objektit, në një kodër aty pranë.
Sulmi filloi me kapjen e rojes dhe brenda dy minutash, godina dykatëshe e stërvitjes në Peshkëpi ishte në duart e luftëtarëve tanë. Skuadra e mbajti repartin për 20 minuta. Duke ikur, mori me vete 15 automatikë tip Kallashnikov të prodhimit kinez, dy arka me municion, si dhe oficerin e SHIK-ut, të cilin pak më vonë dhe të lidhur me pranga, e la të lirë. Sulmi ynë, si dhe të tjerët që do të pasojnë, ishte një veprim luftarak.”
Masakra e Peshkëpisë u pasua me një ngritje të marrëdhënieve diplomatike mes Greqisdë dhe vendit tonë.
Qeveria shqiptare protestoi në Këshillin e Kombeve të Bashkuara, ndërsa pala greke u mundua ta kalonte në qetësi.
Përveç luftës diplomatike, policia greke arrestoi dy nga të dyshuarit, mirëpo ata morën dënime të vogla nga gjykata.
SULMI I DYTË QË DËSHTOI
Më 8 mars të vitit 1995, autoritete greke ndalojnë 7 persona të dyshuar si autorë të “Masakrës së Peshkëpisë”. Ata sapo kishin dështuar në një tjetër sulm terrorist ndaj kufirit shqiptar.
Të armatosur me armë këmbësorie, me mjete komunikimi në distancë, dylbi për natën dhe uniforma ushtarake kamuflazhi ata iu afruan brezit të gjelbër në pritje të natës për të kryer sulmin e dytë ndaj rojeve kufitare shqiptare.
Grupi i armatosur i terroristëve grekë u pikasën në kohë nga trupat kufitare shqiptare, të cilat ishin informuar më parë për ardhjen e tyre nga shërbimet inteligjente.
Pas ngjarjes së Peshkëpisë ishte rritur në mënyrë të ndjeshme gatishmëria dhe vigjilenca për çdo lëvizje në kufirin me Greqinë. Autoritetet shqiptare kishin marrë masa të rrepta për të parandaluar një sulm të dytë që do të kishte pasoja të rënda.
Sapo rojet shqiptare të kufirit pikasën në lëvizjen e personave të dyshimtë me uniforma ushtarake hapën zjarr.
Si rezultat i zjarrit nga ushtarët shqiptarë, komando e frontit për Çlirimin e Vorio Epirit u tërhoq me shpejtësi në drejtim të territorit grek për të mos lënë pas viktima.
Komando u kthye në vendin ku kishin lënë mjetet e transportit, në afërsi të fshatit Kostani.
Pasi heqin nga trupi uniformat ushtarake greke, hipën në automjetet e tyre dhe u drejtuan në aksin rrugor Kakavijë – Kallpaqi. Por pa dalë nga zona e Delvinaqit, ata u ndeshën me një patrullë të përforcuar ushtarake – policore, e cila kishte bllokuar tërësisht këtë rrugë për një kontroll të rreptë.
Automjeti i parë ndaloi. Gjatë kontrollit nga policia u gjetën 9 uniforma ushtarake, por dokumentacioni i mjetit dhe personal i personave që udhëtonin në të ishte i rregullt.
Në këto kushte ata u lanë të lirë. Pak minuta më vonë në të njëjtin postbllok u afrua automjeti i dytë, në të cilin ndodhej armatimi.
Drejtuesi i mjetit thyen postbllokun dhe largohet me shpejtësi në drejtim të qytetit të Janinës. Menjëherë u dha alarmi për të bllokuar të gjitha akset rrugore të zonës, ndërsa mjete të policisë greke u vunë në ndjekje të makinës së dytë.
Duke parë se nuk kishin rrugë tjetër terroristët grekë u detyruan të dorëzohen. Pas ndalimit të tyre u kërkua dhe bllokimi i automjetit të parë që kishte kaluar postbllokun pas kontrollit të policisë.
Personat e ndaluar u shoqëruan në rajonin policor të Delvinaqit, pranë kufirit me Shqipërinë. Ata u munduan të kamufloheshin si një grup gjuetarësh, por policia i ndaloi për armëmbajtje pa leje.
Gjatë marrjes në pyetje u zbulua dhe identiteti i tyre. Komando e njohur me emrin “Pirro i Parë” përbëhej nga Jorgo Anastasulis, 34 vjeç, oficer i ushtrisë greke me gradën toger.
Apostolos Karvelas, 26 vjeç, punonjës i policisë greke zëvendës komandant i grupit.
Mario Kutulla, 25 vjeç, shtetas shqiptar nga Himara, banues në Athinë, punëtor.
Fredi Bejleri, 23 vjeç, shtetas shqiptar nga Himara, banues në Athinë, me profesion hidraulik.
Jorgo Kristo, 26 vjeç, shtetas shqiptar nga Himara, banues në Athinë.
Harallamb Papa, 21 vjeç, shtetas shqiptar, banues në Athinë, punëtor ngarkim – shkarkimi dhe vëllai i tij Jorgo Papa, 30 vjeç me profesion teknik frigoriferësh, të dy shtetas shqiptarë nga zona e minoritetit.
Ferdinand Dervishi: “Fredi Beleri si person, pra kandidati i Bashkisë së Himarës për të djathtën dhe Partinë e të Drejtave të Njeriut, ka një problem shumë të madh moral me veten e vet, që fillon në vitin 1995, pra jemi rreth një vit pas ngjarjes së Peshkëpisë, kur një skuadër tjetër njerëzish të armatosur, niset nga territori grek për të goditur një postë tjetër shqiptare. Mes njerëzve që tentuan të sulmonin postën shqiptare ishte edhe Fredi Beleri. Pra që ishte një shqiptar, jo një grek. Në përbërje të kësaj skuadre kishte edhe shqiptarë të tjerë. Gjatë hetimit që bëri shteti grek, më saktë drejtësia greke, u vërtetua se këta njerëz kishin lidhje edhe me armët e marra, të grabitura, në sulmin e një viti më parë në Postën e Peshkëpisë. Pra Fredi Beleri ka këtë të shkuar të errët që e shoqëron, që e ndjek këmba këmbës dhe që është e njohur edhe për popullsinë e Himarës. Pra populli i Himarës e lidh Fredi Belerin me këtë të shkuar të errët të tij, të cilën ai nuk e kalon dot me një shprehje të thjeshtë që kjo ishte një aventurë e rinisë. Jo, nuk është një aventurë e rinisë. Është një tentativë, të paktën për aq sa dimë, pra nuk po e lidhim Fredi Belerin me sulmin e Peshkëpisë, po e lidhim me sulmin e dytë, tentativën e sulmit në një postë tjetër. Pra nuk e kalon dot këtë me një justifikim të tipit që është një aventurë e rinisë. Jo, është diçka shumë më e madhe se kaq, që të penalizon, që e mbart në kurriz për tërë jetën”.
Në kontrollin që iu bë dy makinave, të cilat drejtoheshin nga oficeri grek Jorgo Anastasulis dhe polici Apostolos Karvelas u gjetën armët e sulmit.
Sipas raport-shërbimit të rajonit policor të Delvinaqit, thuhet se: janë kapur 6 automatik “Kallashnikov”, 878 fishekë të kalibrit 7.62 mm, dy pistoleta, një palë dylbi për natën, aparat fotografik, radio marrëse-dhënëse, gërshërë për të prerë tela etj, etj. I gjithë inventari kishte 32 pajisje, të gjitha për qëllime ushtarake.
Arrestimi i autorëve të sulmit ndaj postës së Peshkëpisë u mbajt në fshehtësi nga autoritetet greke, por mediat e vendit fqinj edhe pse e mësuan lajmin me pak vonesë nxituan që ta publikonin atë si një ngjarje të bujshme.
Edhe pse armët e gjetura ishin ato të vjedhura në Peshkëpi, Gjykata në Athinë vendosi se këto nuk ishin prova të mjaftueshme dhe të gjithë u liruan.
BANORET E PESHKËPISË
Fshati Peshkëpi e Sipërme, në Gjirokastër, pranë postës ku ndodhi sulmi i vitit 1994, duket se është drejt boshatisjes.
Kryeplaku na thotë se aty kanë mbetur vetëm 41 banorë, ndërsa 15 të moshuar kanë humbur jetën vetëm gjatë kohëve të fundit.
Ai thotë se me këto ritme fshati është drejt shpopullimit total.
Këtë e pamë edhe vete. Në rrugicat e kalldrëmta të Peshkëpisë, nuk dëgjohej asnjë zë.
Diku dy burra që kosisnin barin e ca më tutje, dy të moshuara që lëviznin nëpër fshat. Shumë pak dyer shtëpisë ishin të hapura.
Të tjerat, ishit të dukshme që nuk hapeshin prej kohësh. Por edhe ata banorë që kanë mbetur në fshat nuk preferojnë të flasin për atë që ndodhi në postën kufitare.
Disa shmangen duke folur greqisht. Disa të tjerë thonë se janë të ardhur e të tjerë pretendojnë se në kohën kur ndodhi masakra nuk ndodheshin në fshat, pasi ishin larguar drejt Greqisë më përpara.
Të njejtën gjë na thotë edhe kryeplaku. Pretendon se nuk mund të flasë për atë ngjarje, pasi ishte larguar nga Shqopëria 2-3 vite para se të ndodhte.
Por ajo që të bën përshtypje, është fakti se të gjithë ata që folëm në fshat, thonë se kur përkujtohet ajo ngjarje, nuk shkojnë tek Posta.
Disa me pretendimin se të afërmit e viktimave e të plagosrve nuk i kanë thirrur asnjëherë e ndonjë tjetër me pretendimin se ajo datë është e dhimbshme për ta e nuk duan ta kujtojnë.
Drejtësia mund të harrojë në arkiva dosjen e “Masakrës së Peshkëpisë”, por familjarët e viktimave nuk harrojnë kollaj.
Kështu thotë Natile Selfo, bashkëshortja e një prej kapterrëve që ndodhej në postë natën e sulmit.
Natile Selfo: “Nuk kishin armë. Urdhri ishte që armë të mos kishin sepse ishin ushtarët e karantinës. Ushtarët do hapeshin nëpër posta ditën tjetër. Ata bënë punën e tyre dhe ikën. Momente qenë ato. Morën njërin peng me armë dhe ikën. Ishin momente. Pastaj u vranë. Shumë ushtarë u plagosën. Oficeri u vra. Pastaj u kthyen për njëri-tjetrin, të ndihmonin oficerin. Oficeri u vdiq në mes të rrugës. Për ne ajo datë është me shumë sukses se jemi të gjallë, pasi burri im rron. Kurse shokët e tij… Se mos ishim atje ta shikonim se kush ishte. Fredi Beleri… nuk flas më më tutje. Por… vrave, do të vrasin. Nuk kanë për ta harruar. Ata që u vranë njerëzit, të afërmit e tyre. U vra oficeri, la dy fëmijë, u vra ushtari, djalë i ri. Pse??”
Edhe pse u përfol gjatë, u hetua e u akuzua për ngjarjen e Peshkëpisë, Fredi Beleri po e tenton sërish Bashkinë e Himarës.
Ndërsa herën e fundit kur ishte kandidat për këtë Bashki në vitin 2015 dhe u pyet për atë që kishte ndodhur në vitin 1994, ai në një farë mënyrë e pranoi dhe tha se ishte një emocion rinie.
Fredi Beleri në 2015: “Jam gjykuar në Greqi për armëmbajtje pa leje në moshë të re dhe për asgjë tjetër”.
Ferdinand Dervishi: “I kam ndjekur vetë nga afër proceset zgjedhore për Bashkinë e Himarës, 3-4 të fundit. Kam qenë atje dhe i kam ndjekur hap pas hapi nga shumë afër. Kam vënë re që popullsia e Himarës është më e joshur për të votuar për Jorgo Goron, apo Gjergji Goron që e kanë djalin e tyre aty, sesa për Fredi Belerin. Pra, Fredi Belerit i peshon shumë e shkuara. Më është krijuar një përshtypje që ata nuk e duan Fredi Belerin sepse vetë himariotët nuk kanë asgjë të ngjashme me të. Himariotët janë një popullsi shumë qytetare. Ekstremisht qytetare. Ata nuk e shohin dot njeriun që ka një lidhje me dhunën. Nuk bëhen dot si ai. Nuk e ndjekin dot atë. Nëse mundem të jap një shembull, në vitin 1998 atyre u vidheshin bizneset. Dyqanet që kishin aty, u vidheshin periodikisht natën. U grumbulluan, u organizuan të gjithë ata që kishin bizneset për t’i ruajtur. E gjetën që i vidhte roja, i cili nuk ishte banor i Himarës, por ishte një ardhës. Atëherë çfarë bënë, nuk e prekën me dorë fare. I dhanë rrogën e fundit dhe e përcollën të gjithë si qytet deri në dalje të qytetit dhe i thanë, ‘Mos u kthe më në Himarë…’. Pra këta njerëz, nuk e durojnë dot një të shkuar të Fredi Belerit, që të bëhen me Fredi Belerin, çfarëdo që t’u premtojë ai. Çfarëdo që të ndjekë ai politikisht. Pra, problemi është që himariotët nuk e pranojnë Fredi Belerin”.
Pas tri hetimeve të dështuara, ndoshta në të ardhmen Prokuroria e Posaçme do arrijë të sigurojë ato prova të munguara në dosjet e pëparshme.
Prova që do të çojnë pas hekurave autorët e sulmit e që do të shkruajnë hitorinë me ato të vërteta që të gjithë i dinë, por askush nuk po i dokumenton./m.j