Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, Arbjan Mazniku ka argumentuar arsyet përse qytetarëve dhe vendit iu nevojitet një reformë territoriale. Në fjalën e mbajtur në Kuvend, Mazniku deklaron se reforma e 2014-ës ndonëse ishte një sukses, është e pamjaftueshme për aspiratën e Partisë Socialiste. Ai theksoi se qytetarët shqiptarë meritojnë mundësi më të mira, ndërsa bashkitë do të forcohen, të ardhurat dhe investimet për banorë do të rriten dhe borxhet do të vijojnë të ulen.
“Është shumë e rëndësishme që në momentin që flasim për mënyrën si organizohet territori dhe kur ngremë çështje që lidhen me administrimin, e rëndësishme është të themi; a e ka mundësinë ajo strukturë organizative të ofrojë ato shërbime që duhet të ofrojë.
A ishte reforma e 2014 një sukses? Po ishte një sukses. Asnjë person i PD nuk tha: duam mbrapsh komunat.
Bashkitë u forcuan, të ardhurat u rritën, investimet për banorë u rritën, borxhet u ulën, fuqia investuese e bashkive u rrit. E megjithatë kjo është e pamjaftueshme për aspiratën që PS ka për mënyrën si u shërbehet njerëzve në territor, sepse ne mund të bëjmë më mirë, më mirë se ajo që bëmë atëherë dhe mund ti ofrojmë njerëzve mundësi më të mira”, deklaroi Mazniku.
Projektligji për Reformën Territoriale, i propozuar nga Partia Socialiste, parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46, ndërsa opozita kërkonte shtimin e numrit të bashkive duke i çuar ato në 100.











