Mazniku: Pallatet pa hipotekë, do i pajisim brenda 300 ditëve
Problemi i pallateve apo ndërtimeve pa hipotekë në Tiranë do të gjejë zgjidhje brenda 300 ditëve”. Gjithçka bëhet me dije nga nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, i cili thekson se tashmë është ngritur një grup pune, i cili po merret me kategorizimin e problemeve të këtyre ndërtimeve. Përmes kësaj interviste, dhënë për “Gazeta Shqiptare”, Mazniku shpjegon se hipotekimi do të bëhet sipas specifikës së problemit, duke siguruar se asnjë ndërtesë nuk do të mbetet jashtë këtij procesi. Po ashtu, nënkryetari bën me dije edhe projektet që ka Bashkia e Tiranës në lidhje me shtimin e parqeve, lirimin e hapësirave publike, ndërtimin e çerdheve, kopshteve e shkollave të reja, transformimin e disa prej projekteve të trashëguara nga administrata e mëparshme, hapjes së vendeve të reja të punës, taksave, parkimeve e terminalit.
Z. Mazniku, ashtu sikurse është bërë e ditur në ditët e para të marrjes së mandatit nga kryebashkiaku, Erion Veliaj, Bashkia e Tiranës ka trashëguar një borxh prej 30 mln dollarësh. Cili është plani për rikuperimin e situatës ekonomike?
Nga analiza paraprake rezulton se Bashkia e Tiranës ka një borxh prej 30 milionë dollarësh detyrime të pashlyera ndaj palëve të treta, ku rezulton se kompanitë e pastrimit kanë që nga muaji janar pa u paguar. Jemi duke vlerësuar strukturën e këtij borxhi për të bërë më pas një vlerësim se si mund ta shtrijmë në kohë dhe ta rikuperojmë, por në thelb ky është një borxh i marrë nga investimet që bashkia mund të bëjë në të ardhmen si dhe nga keqmenaxhimi strukturor i të ardhurave të bashkisë. Nëse shohim buxhetet e 4 viteve të fundit, në secilin prej tyre ka pasur një parashikim buxhetor në nivelin 80-84 milionë dollarë dhe një realizim prej 50-54 milionë, pra pothuajse së secilin prej viteve bashkisë i kanë munguar 30 milionë USD të ardhura, që i kishte planifikuar vetë. Ndaj ne mendojmë që nëpërmjet një plani ambicioz dhe bashkëpunimi me qeverinë qendrore të kemi mundësinë që në një periudhë të shkurtër të gjejmë një mekanizëm për ta rikuperuar këtë borxh.
Do të jenë mbledhja e suksesshme e taksave apo rritja e tyre disa prej mundësive për të rikuperuar borxhin?
Ne besojmë që në këtë moment është e rëndësishme të fokusohemi te mbledhja e taksave, të cilat performojnë shumë keq. Tarifa e parkimit është një ndër to, që del me 2-3% e parashikimit të mbledhjes. Taksa mbi pasurinë është gjithashtu në nivele shumë të ulëta të mbledhjes, me 0.5% e parashikimit. Kjo do të thotë se s’është e nevojshme vendosja e taksave të reja apo rritja e tyre, por thjesht do të duhet të mblidhen në mënyrë të suksesshme.
Keni ndonjë plan se si do të bëhet kjo?
Jemi duke punuar për një plan dhe në buxhetin e ri, i cili do të kalojë në fund të këtij viti, do të kemi mundësi të kemi përcaktuar edhe funksionimin e kësaj pjese.
Një problem i madh për kryeqytetin janë edhe pallatet apo ndërtimet pa hipoteka. Çfarë do të ndodhë me këto pallate?
Që nga dita e dytë në detyrë, kryetari i bashkisë ka ngritur një grup të posaçëm, i cili është duke punuar për çështjen e hipotekave dhe pallateve apo ndërtesave që nuk janë hipotekuar. Janë ndarë në kategori sipas problematikës dhe është duke u gjetur zgjidhje për secilin prej tyre, që variojnë që nga ndërhyrjet ligjore, ndërhyrjet e vlerësimit të strukturës apo ndërhyrje me ndryshime të akteve nënligjore. Do të bëhet një paketë e plotë, që do të propozohet për ato nivele që kanë nevojë për ndërhyrje ndryshimesh të akteve nënligjore të qeverisë, ndërsa në ato vende ku mjafton një Vendim i Këshillit Bashkiak, do të ketë një të tillë, në mënyrë që këtë çështje ta mbyllim me një shpejtësi maksimale e me shumë gjasa brenda 300 ditëve të para të kësaj administrate.
Do të jepen në formën e lejeve të përdorimit, ashtu sikurse u ndoq praktika gjatë këtyre viteve, apo do të ketë një formë të re, certifikata pronësie të mirëfillta për shembull?
Unë nuk mund të them në detaje teknike se si do të jetë zgjidhja në këtë moment. Duhet të kemi parasysh që jemi më pak se 15 ditë në detyrë, por mund t’ju them që grupi është në rrugën e duhur për të gjetur një zgjidhje, e cila do t’u japë të gjithë qytetarëve që banojnë në banesa pa hipotekë, brenda 300 ditëve të para të kenë një pallat me hipotekë.
Po për shtesat e ndërtuara pa leje?
Është pjesë e ndarjes në kategori. Siç thashë më parë, janë ndarë në kategori problematikat: shtesa pa leje, ndërtime ku kompania e ndërtimit është shkrirë e nuk ekziston më, në kategori ku nuk është marrë leja e shfrytëzimit, devijim nga leja e ndërtimit etj.. Pra ka disa nënkategori të arsyeve pse nuk është dhënë leja dhe për secilën prej tyre zgjidhja do të jetë specifike.
Pra në 300 ditë, të gjitha ndërtimet pa leje do të hipotekohen?
Ne besojmë që mund t’ia dalim brenda 300 ditëve.









