Nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Arbër Mazniku, duke iu përgjigjur akuzave që Partia Demokratike ka bërë në adresë të tij për shpenzimet e kryera gjatë vizitave jashtë vendit, deklaroi sot se “rruga që kam ndjekur është ajo e drejtësisë”.
Në një intervistë televizive, Mazniku, theksoi se “besoj që është gjëja më e duhur për të bërë, të gjithë baltës dhe fake news është mënyra më e mirë për t’iu përgjigjur përmes institucioneve të drejtësisë, të cilat do të bëjnë transparencë për publikun”.
“Shpjegimet i kam bërë dje në prokurori me prova dhe me fakte. Unë kam zgjedhur të mbeten institucional. Kushdo që është bërë pjesë e baltës dhe të pavërtetës duhet të mbajë përgjegjësi pas daljes së të vërtetës. Rruga që kam ndjekur është ajo e drejtësisë. Unë besoj se kemi të bëjmë me ato raste që i mbyturi kërkon të kapet pas një fije kashte”, – nënvizoi Mazniku.
I pyetur për dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 21 shtatorit, Mazniku tha se “bashkia e Tiranës me institucionet përkatëse, po vijon punën në terren për të dokumentuar dhe riparuar të gjitha dëmet e shkaktuara”.
“Ky tërmet ishte më i madhi i regjistruar në Tiranë dhe në vendin tonë në 30-40 vitet e fundit. Për fat të mirë nuk kishim probleme në jetë njerëzish. Problemet janë të limituara në dy kategori, kryesisht në shtëpitë e vjetra në zonat rurale, ndërsa 143 shtëpi janë të pabanueshme. Kemi probleme në ato banesa që janë bërë me shtesa”, – tha ai.
Mazniku theksoi se bashkia po ndjek rast pas rasti që problemet e shkaktuara nga tërmeti të riparohen sa më shpejt.
Duke falënderuar vendet që kanë shprehur solidaritet dhe kanë ofruar ndihma për qytetarët e Tiranës, Mazniku u shpreh se “ka pasur një seri ndihmash nga vendet ndërkombëtare. Ne duhet të dalim nga filozofia, por të fokusohemi nga tipologjia e ndihmës që ishte në atë moment. Ndihmat kanë shkuar në vend dhe kjo është shumë e sigurt. Ka pasur një gatishmëri e madhe edhe nga bizneset e Tiranës”-shtoi ai.
Ndërsa për çështjen e furnizimit me ujë të pijshëm në kryeqytet, Mazniku tha se “Tirana ka pasur 170 mijë banorë, ndërsa sot ka mbi 1 milion banorë, një shtrirje më të madhe.
/a.r











