Projektbuxheti i Bashkisë së Tiranës për vitin 2016 do të ndikohet nga situata e rëndë financiare që është trashëguar nga administrata e drejtuar nga demokratët.
Kjo ishte deklarata e dhënë nga nënkryetari i Bahskisë së Tiranës Arbian Mazniku i cili vijoi turin e konsultimeve me qytetarët në njësinë e Farkës.
“Në vitin 2015, Bashkia kishte planifikuar 7 herë më shumë investime se buxheti vjetor i Bashkisë në investime, pra ishin planifikuar që të shpenzoheshin 70 lekë dhe në fakt kishin në dispozicion për të shpenzuar vetëm 10 lekë. Sipas këtij koncepti do të duheshin 7 vjet që Bashkia të kishte mundësi që të paguante shpenzime të cilat i kishte marrë përsipër në 2015”, tha Mazniku.
Ndërkohë Drejtoresha e Buxhetit të Bashkisë, Jonida Halili, ka prezantuar projektet konkrete që prekin Njësinë Administrative të Farkës, ku veçohet si i rëndësishëm krijimi i terminalit jug-lindor të autobusëve. Për projektet konkrete të Njësisë Administrative Farkë, Bashkia e Tiranës ka parashikuar 130 milionë lekë.