Komisioni parlamentar i ligjeve ka rrëzuar sot në mesditë amendamentin e paraqitur nga PD-ja, mbi ligjin për dekriminalizimin. Propozimi i PD-së për dekriminalizimin, parashikonte përjashtimin nga politika për funksionarët dhe të zgjedhurit, kur ata arrestohen në kushtet e flagrancës të krimit kundër jetës dhe shëndetit. Sipas ligjëvënësve demokrat, ligji për “Dekriminalizimin” i miratuar vetëm pak ditë më parë nuk parashikon mundësinë e pezullimit nga detyra të funksionarëve publik në rast se ato arrestohen në flagrancë për krime kundër jetës të kryera me dashje, ose veprat penale të kryera me dashje kundër shëndetit.
Sipas tyre, nëse një funksionar publik arrestohet në flagrancë për kryerjen me dashje të një vepre penale kundër jetës ose shëndetit të shtetasve, atëherë krijohet dyshimi i bazuar për pamundësinë ligjore që ai njëkohësisht të ushtrojë funksionet publike në shërbim të qytetarëve. Për këtë qëllim, në nenin 2 është shtuar një formulim ndalues, i cili nuk passjell shkarkimin e tij nga detyra, për arsye të respektimit të parimit të prezumimit të pafajësisë, por pezullimin nga detyra deri në përfundimin e çështjes me vendim gjyqësor të formës së prerë. Nëse funksionari publik deklarohet i pafajshëm me vendim gjyqësor të formës së prerë, atëherë pezullimi konsiderohet i pushuar.
Por mazhoranca në komisionin e ligjeve i ka rrëzuar amendamentet e PD-së me argumentin se ato shkelin haptazi Kushtetutën dhe nga ana tjetër p/ligji ka karakter individual, për një person të caktuar. Plus nga mënyra sesi është formuluar p/ligji, le shumë hapësira për keqinterpretime dhe abuzime. Në këto rrethana deputetët e mazhorancës kanë votuar kundër. Kjo ka bërë që deputetët e PD-së në komisionin e ligjeve të largohen nga punimet e komisionit në shenjë proteste. Pas amendamenteve për ndryshimet në ligjin për komisionet hetimore ky është propozimi i dytë që mazhoranca rrëzon në komisionin e ligjeve. Miratimi i këtyre 2 projektligjeve, si dhe dërgimi i mandateve të deputetëve, Rakip Suli dhe Valentina Leskaj në Gjykatën Kushtetuese, ishin vënë si kusht nga PD për ndërprerjen e marrdhënies së kushtëzuar me Kuvendin.
(javanews.al) Me. Ar
AMENDAMENTET E PD
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KUVENDI
PROJEKTLIGJ
Nr. ______/2016
PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 138/2015 “PËR GARANTIMIN E INTEGRITET TË PERSONAVE QË ZGJIDHEN, EMËROHEN OSE USHTROJNË FUNKSIONE PUBLIKE”
Në mbështetje të neneve 6/1, 81 pika 1 dhe 2, 83 pika 1, dhe 84 pika 4 të Kushtetutës, me propozimin e një grupi deputetësh,
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
Në ligjin nr. 138/2015 “Për garantimin e integritet të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Neni 1
Në nenin 2 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
- Fjalia e parë e paragrafit 1 ndryshohet si më poshtë vijon:
“1. Nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie apo qarku, këshilltar në këshillin bashkiak apo të qarkut, drejtues të njësive administrative, dhe në çdo rast nuk mund të marrin një funksion me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e Kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave, apo me votim nga këshillat bashkiakë ose të qarkut, personat e dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për:”.
- Në paragrafin 2, të nenin 2, pas shkronjës “a”, shtohet shkronja “a/1” me këtë përmbajtje:
“a/1) ndaj të cilëve është zbatuar masa e arrestit në flagrancë për krime kundër jetës të kryera me dashje, ose veprat penale të kryera me dashje kundër shëndetit.”.
Neni 2
Pika 6 e nenit 4, ndryshohet si më poshtë vijon:
“6. Për personat e dëbuar sipas parashikimeve të germës “b” të pikës 2 të nenit 2 të këtij ligji, kohëzgjatja e ndalimit për kandidim, zgjedhje apo ushtrim të funksionit është:
- i) përjetë për dëbim, në lidhje me rastet e parashikuara nga neni 2, pika 1, shkronja “a”;
- ii) 20 vjet për dëbim, në lidhje me rastet e parashikuara nga neni 2, pika 1, shkronja “b”;
iii) 10 vjet për dëbim, në lidhje me rastet e parashikuara nga neni 2, pika 1, shkronja “c”, pavarësisht uljes së dënimit për shkak gjykimi të shkurtuar apo procedure të ngjashme me të që passjell uljen e dënimi.”.
Neni 3
Pika 4 e nenit 5 ndryshohet si më poshtë vijon:
- Formulari i vetëdeklarimit dorëzohet dhe administrohet, sipas rastit:
- a) pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për të zgjedhurit dhe kandidatët për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë apo në organet e qeverisjes vendore;
- b) pranë Kryetarit të Kuvendit për kandidatët për funksione në organet kushtetuese apo të krijuara me ligj dhe që zgjidhen nga Kuvendi;
- c) pranë Prefektit të qarkut përkatës për personat që emërohen në funksione publike me votim nga këshilli bashkiak nën juridiksionin e prefektit apo nga këshilli i qarkut përkatës;
ç) pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për anëtarët e Këshillit të Ministrave që nuk kanë mandat deputeti dhe nuk kanë paraqitur vetëdeklarim, sipas shkronjës “a” të kësaj pike;
- d) pranë titullarit apo organit që bën emërimin për funksionarin publik që emërohet sipas gërmës “a”, pika 1, të nenit 3 dhe kur ky emërim është i ndryshëm nga funksionet e zgjedhura me votim nga Kuvendi si dhe kur emërimi bëhet sipas shkronjave “d” dhe “g”, të kësaj pike;
- dh) pranë Kryeministrit, për rastet e parashikuara nga shkronjat “c” dhe “ç”, të pikës 1, të nenit 3, të këtij ligji;
- e) pranë Drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror apo Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, sipas rastit, për shkronjat “dh” dhe “ë”, të pikës 1, të nenit 3, të këtij ligji;
ë) pranë Departamentit të Administratës Publike, për rastet e parashikuara nga shkronja “e”, të pikës 1, të nenit 3, të këtij ligji;
- f) pranë Ministrit të Mbrojtjes, për rastet e parashikuara në shkronjën “f”, të pikës 1, të nenit 3, të këtij ligji.
Neni 4
Paragrafi 5, i nenit 10, ndryshohet si më poshtë vijon:
“5. Për personat që plotësojnë kushtet e shkronjës “a” dhe “a/1″ të pikës 2, të nenit 2, të këtij ligji, ndalimi që zbatohet për ta është pezullimi i ushtrimit të funksionit, me përjashtim të rasteve të parashikuara në pikën 1, të nenit 16, të këtij ligji. Për rastin e parashikuar nga shkronja “a” e pikës 2 të nenit 2 të këtij ligji, pezullimi zgjat përgjatë gjithë periudhës që ekzistojnë rrethanat për të cilat zbatohet ky ndalim. Në cdo rast, pezullimi mbaron kur personi deklarohet i pafajshëm, me vendim gjyqësor të formës së prerë.”.
Neni 5
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.
Miratuar më _____/_____/2016.
KRYETARI
ILIR META
RELACION PËR PROJEKTLIGJIN
‘PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 138/2015 “PËR GARANTIMIN E INTEGRITET TË PERSONAVE QË ZGJIDHEN, EMËROHEN OSE USHTROJNË FUNKSIONE PUBLIKE”’
Kapja e pushtetit publik nga krimi nëpërmjet përfshirjes së individëve me rekorde të rënda kriminale nga partitë politike në kandidaturat dhe zgjedhjen e tyre në Kuvend apo pushtetin vendor, si dhe nëpërmjet emerimit në funksione të larta apo funksione kyçe të administrates publike dhe organeve ligjzbatuese, përbën një kërcenim të rëndë për integritetin dhe funksionimin e demokracisë dhe institucioneve demokratike. Në demokraci duhet garantuar që personat që konsiderohen nga shumica e votuesve si të papërshtatshëm për të vendosur për interesat e tyre të qendrojnë jashtë vendimmarrjeve legjislative apo Qeverisë. Qëllimi i këtyre kufizimeve ka për synim mbrojtjen e funksionimit demokratik të institucioneve nga ndikimi i personave me rekorde të rënda penale apo që konsiderohen që mund të ndikojnë negativisht, mbi bazën e dyshimeve të arsyshme. Është interes i lartë publik që politikbërja dhe vendimmarrja të imunizohen nga ky ndikim.
Me ligjin nr. 138/2015 “Për garantimin e integritet të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, janë miratuar rregullat bazë për mbrojtjen dhe garantimin e mirëfunksionimit demokratik të Kuvendit, organeve të qeverisjes vendore, institucioneve kushtetuese apo të krijuara me ligj, administratës publike, Forcave të Armatosura, organeve të rendit publik, sigurisë kombëtare dhe çdo institucioni apo entiteti tjetër ekonomik shtetëror, nga ndikimi apo pjesëmarrja në politikëbërje dhe/ose vendimmarrje i personave, të cilët janë dënuar apo ndaj të cilëve janë marrë masa sigurie ose janë dënuar me vendim jopërfundimtar për kryerjen e krimeve. Miratimi i këtij ligji ishte padyshim suksesi më i rëndësishëm i Kuvendit të Shqipërisë gjatë vitit 2015 dhe reforma kyce e përkrahur gjerësisht nga partnerët ndërkombëtar. Tashmë Shqipëria duhet të ndërmarrë hapa konkret për zbatimin e këtij ligji dhe pastrimin e organeve publike nga ndikimi i personave me rekorde kriminale.
Mirëpo, në ligjin nr. 138/2015 vërehet se mungojnë një rrethanë e cila në vlerësimin tonë është me rëndësi parësore në arritjen e qëllimit të vetë ligjit. Konkretisht, ligji nuk parashikon mundësinë e pezullimit nga detyra të funksionarëve publik në rast se ato arrestohen në flagrancë për krime kundër jetës të kryera me dashje, ose veprat penale të kryera me dashje kundër shëndetit. Arrestimi në flagrancë për kryerjen me dashje të një veprave penale kundër jetës ose shëndetit, nënkupton se zyrtare nuk mund të vijojë ushtrimin e funksionit, pa u përfunduar cështja me vendim gjyqësor të formës së prerë, për shkak se ajo bie ndesh me parimet që udhëheqin ushtrimin e funksionit publik dhe që ka të bëjë me ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve, përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të tyre. Nëse një funksionar publik arrestohet në flagrancë për kryerjen me dashje të një vepre penale kundër jetës ose shëndetit të shtetasve, atëherë krijohet dyshimi i bazuar për pamundësinë ligjore që ai njëkohësisht të ushtrojë funksionet publike në shërbim të qytetarëve.
Për këtë qëllim, në nenin 2 është shtuar një formulim ndalues, i cili nuk passjell shkarkimin e tij nga detyra, për arsye të respektimit të parimit të prezumimit të pafajësisë, por pezullimin nga detyra deri në përfundimin e cështjes me vendim gjyqësor të formës së prerë. Nëse funksionari publik deklarohet i pafajshëm me vendim gjyqësor të formës së prerë, atëherë pezullimi konsiderohet i pushuar. Në të njëjtën linjë me këtë shtesë, është riformuluar edhe pika 5 e nenit 10 të ligjit, ku rrethana e parashikuar nga shkronja “a/1” e pikës 2 të nenit 2, është shtuar në rastet e pezullimit të funksionarit nga detyra. Nga ana tjetër, është riformuluar edhe pika 1 e nenit 2, edhe për shkak se konstatohet se nuk janë përcaktuar në mënyrë shteruese të gjitha funksionet publike që duhet të përfshihen. Konkretisht, janë shtuar funksionet e kryetarit/këshilltarit të qarkut, dhe drejtuesit e njësive administrative, në përputhje me ligjin e ri të organizimit dhe funksionimit të pushtetit vendor, si dhe është përputhur parashikimi me shkronjën “dh”, të pikës 2 të nenit 71 të Kushtetutës.
Gjithashtu, për shkak të procedurave të gjata të shqyrtimit të këtij projektligji nga Komisioni i Posacëm Parlamentar dhe ndërhyrjeve në të deri në momentet e fundit, pas miratimit të projektligjit nga Kuvendi, është dërguar për zbardhje pranë strukturës përgjegjëse të Kuvendit, versioni i projektligjit me disa gabime në referimin e brendshëm të ligjit. Konkretisht, gabime në referim janë vërejtur:
- në pikën 6 të nenit 4, ku duhet të referohet pika 1 e nenit 2, dhe jo pika 2 e tij.
- Në pikën 4, të nenit 5, ku shtimi i një shkronje tek neni 3 (shkronjës “b”), nuk është reflektuar edhe në nenin 5 të ligjit.
Për këtë arsye, është e nenvojshme që të bëhen këto saktësime, me qëllim që ligji të mos keqzbatohet në praktikë.
Në përputhje me pikën 4 të nenit 84 të Kushtetutës, ku specifikohet se: “Në rastet e masave të jashtëzakonshme, si dhe në rast nevoje e urgjence, kur Kuvendi vendos me shumicën e të gjithë anëtarëve dhe Presidenti i Republikës jep pëlqimin, ligji hyn në fuqi menjëherë, vetëm pasi të jetë njoftuar publikisht. Ligji duhet të botohet në numrin më të parë të Fletores Zyrtare”, dispozita e hyrjes në fuqi parashikon se ligji hyn në fuqi menjëherë. Nevoja dhe urgjenca që paraqet fillimi nga zbatimi sa më parë të jetë e mundur e legjislacionit për dekriminalizimin, është jetike për funksionimin normal të vetë institucioneve publike. Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë një përfaqësim dinjitoz, jo nga njerëz me rekorde kriminale, por nga burra dhe gra që punojnë në interes të tyre. Ky projektligj i shërben pikërisht këtij qëllimi dhe për pasojë duhet të përkrahet nga të gjitha forcat politike në Kuvend, si një tregues i vullnetit të tyre të sinqertë për dekriminalizimin e politikës dhe mos përdorimit të krimit për të ardhur apo mbajtur pushtetin.