Monitorim i kufizuar është duke iu bërë cilësisë së ajrit në Kosovë. Edhe pse në këtë monitorim asnjëherë nuk ka qenë i përfshirë i gjithë vendi, tash as 12 stacionet e vendosura në disa komuna të Kosovës nuk janë duke funksionuar.
Tre prej këtyre stacioneve që e monitorojnë cilësinë e atij që thithim çdo ditë nuk funksionojnë fare dhe një tjetër funksionon vetëm pjesërisht, raporton KTV.
Shkak për këtë është bërë mungesa e mjeteve të mjaftueshme për kontraktimin e një kompanie të specializuar për mirëmbajtjen e këtyre pajisjeve.
Të tilla kompani nuk ka në Kosovë. Ndërsa, të gjithë stacioneve u ka skaduar afati i garancisë së mirëmbajtjes.
Kryeshefi ekzekutiv në Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë, Ilir Morina, thotë se kërkuan 165 mijë euro në vit për mirëmbajtje të stacioneve, ku do të kishin të dhëna 24 orë pandërprerë, por që kjo nuk u miratua nga Ministria e Financave.
E Zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini, e ka hedhur përgjegjësinë në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Sipas tij, projektet e Morinës nuk kanë hasur në përkrahje nga vetë MMPH-ja.